Reuters: SHBA mund të ndërhyjë ushtarakisht kundër Iranit brenda 24 orëve
Një ndërhyrje ushtarake e Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër Iranit mund të ndodhë brenda 24 orëve të ardhshme, ka paralajmëruar një zyrtar europian, i cituar nga Reuters, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme po përshkallëzohen ndjeshëm.
Sipas burimit, situata është në zhvillim të shpejtë dhe vendimet ushtarake mund të merren në çdo moment. Ndërkohë, një zyrtar izraelit ka deklaruar se Donald Trump duket se e ka marrë tashmë vendimin për të ndërhyrë, edhe pse ende nuk është bërë e qartë shkalla, forma dhe koha e saktë e operacionit të mundshëm ushtarak.
Në terren, Shtetet e Bashkuara kanë nisur evakuimin e qindra ushtarëve nga baza ajrore Al Udeid në Katar, baza më e madhe ajrore amerikane në Lindjen e Mesme. Ky veprim shihet nga analistët si parapërgatitje operative për një sulm të mundshëm ndaj Iranit, që mund të urdhërohet drejtpërdrejt nga presidenti Trump.
Reuters raporton gjithashtu se po tërhiqet personeli edhe nga baza të tjera ushtarake amerikane në rajon, pa dhënë detaje për vendndodhjen e saktë të tyre apo për shkallën e tërheqjes.
Situata mbetet jashtëzakonisht e tensionuar dhe e paqartë, ndërsa zhvillimet e orëve dhe ditëve në vijim pritet të jenë vendimtare për stabilitetin e Lindjes së Mesme dhe për balancat globale të sigurisë.

KOHA JONË SONDAZH

