Revista italiane: Një kredhje në Shqipëri

Edi Rama shkruan në  profilin facebook: Një ditë të mbarë me këtë tjetër artikull të bukur për Shqipërinë, botuar në njërën prej revistave më prestigjioze italiane:

NJË KREDHJE NË SHQIPËRI

Plazhet që lagen nga uji transparent i detit Mesdhe e bëjnë Vendin e Shqiponjave një destinacion befasisht tërheqës për pushimet verore: vetëm vitin e kaluar turizmi u rrit me 15 për qind. Falë edhe natyrës së virgjër, vendeve UNESCO si edhe dëshirës për të ardhme dhe gjallëri të një prej popullsive me moshën më të re të Europës. (nga Paola Pardieri)

BLU I THELLË
Kur lë Vlorën dhe udhëton gjatë bregdetit, mund të hasësh vendpushime buzë një deti fantastik: nga Dhërmiu, i cili frekuentohet nga të pasionuarit pas zhytjes, në Himarë e cila është e rrethuar nga agrumet dhe ullinjtë; nga Saranda turistike dhe mondane deri në Kasmil prej ku mund të mbërrihet me not në ishujt e vegjël fantastikë me të njëjtin emër.

Manual përdorimi
Francorosso (www.alpitour.it/francorosso), operator turistik i njohur për kujdesin që i dedikon zhvillimit të itinerareve kulturore inovative, propozon dy ture në Shqipëri. I pari është Vendi i shqiponjave (deri në shtator), ku ju çon në vendet kryesore me interes në mal, bregdet dhe vendeve arkeologjike: nisja bëhet nga Tirana për të mbërritur në Sarandë duke kaluar midis peizazhesh përgjatë bregut dhe vendesh të mrekullueshme të Unesco-s. Turi i dytë është Toka e miteve dhe e sundimeve (vetëm në korrik dhe gusht), dhe përshkon nga Veriu në Jug historinë mijëvjeçare të këtij vendi: vizitohen qytete moderne me pamje evropiane, plazhe të arta dhe vende arkeologjike.

Kush e di nëse Pylli Vertikal, xhevahiri arkitektonik i Qendrës së re të biznesit në Milano, do të ketë shpejt një “binjak” në tokën ballkanike? Edhe mundet, përderisa arkitektit italian Stefano Boeri i është besuar plani i ri rregullator i Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë. Një projekt ambicioz, i kërkuar fort nga kryeministri socialist Edi Rama dhe nga kryebashkiaku aktual dhe plot gjallëri, 37-vjeçari Erion Veliaj. “Jemi një komb i ri – mosha mesatare është 35 vjeç – që në pesëmbëdhjetë vitet e fundit ka përjetuar një bum ekonomik edhe falë investimeve të shumta të huaja, mes të cilave ato italiane”, më shpjegon Veliaj me një entuziazëm ngjitës. “Sa për të pasur një ide, në 2016-ën, PPB-ja shqiptare u rrit me tre për qind. Plani i ri rregullator do të riprojektojë lëvizshmërinë urbane duke e reduktuar trafikun rrugor në qendër të qytetit – vetëm në qytet ka plot 170.000 makina – duke promovuar sistemin “car sharing” dhe duke racionalizuar dhe rritur ndërlidhjet publike me periferitë. Gjithashtu, parashikohet mbjellja e dy milionë pemëve të reja”, thekson ai.

Infektim arkitektonik
Edhe pse rruga është ende e gjatë, Tirana godet që tani me dinamizmin e saj. Përveç ndërtesave të reja që shfaqen me shpejtësinë e dritës, ajo që më bën përshtypje është përzierja e stileve të pallateve dhe monumenteve përgjatë rrugëve kryesore: xhami të rafinuara si ajo e Et’hem Beut, e përfunduar në vitin 1821, bashkëjetojnë me muralet plot ngjyra të feksura të cilat janë vizatuar për t’iu kundërpërgjigjur grisë së pallateve të periudhës së komunizmit. Arkitekturat me stil tipik neo-racionalist, siç është ishulli pedonal i Sheshit Skënderbej, dedikuar heroit kombëtar që iu kundërvu ambicieve osmane në vend, ose ndërtesat e ngritura nga Mussolini deri tek Sheshi Italia në periudhën e pushtimit fashist, shërbejnë si kundërpeshë për Pazarin e Ri plot me ngjyra, një treg i pasur me lloj-lloj produktesh ushqimore me kilometër zero, dhe i mbushur me kafene të frekuentuara nga rinia.
‘Night life made in Tirana’
Atmosfera e mbrëmjes në Tiranë ndizet nga aktiviteti plot gjallëri dhe i zhurmshëm, sidomos në zonën e Bllokut, sot e mbipopulluar nga të rinj të shfrenuar por dikur e rezervuar vetëm për nomenklaturën komuniste e cila udhëhoqi vendin nga viti 1944 deri në vitin 1995 nën grushtin e diktatorit Enver Hoxha. Një trashëgimi e paranojës së liderit janë edhe bunkerët e shumtë prej betoni të shpërndarë në gjithë territorin. Njëri nga më të mëdhenjtë gjendet afër Tiranës: sot quhet Bunk’Art dhe është transformuar në një muze të diktaturës falë nismës të një gazetari salentin, Carlo Bollino. Është ai që më shoqëron në dhomat e nëndheshme përgjatë një itinerari që e risjell historinë nëpërmjet fotografive, sendeve dhe dokumenteve: një vizitë që të rrëqeth mishin, por jashtëzakonisht interesante.

RËRË E ARTË
Deti ngjyrë gurkali i plazhit të Ksamilit, zonë që ndodhet përballë ishullit grek të Korfuzit (ju këshillojmë patjetër një ndalesë gastronomike në restorantin Guvat, rruga Tre ishujt, Ksamil 1220).

Ngadhënjimi i Turizmit
Nëse Tirana përfaqeson dëshirën për t’u vendosur, vendet e tjera tregojnë plagët e marra, përfshi ndërtimet e paligjshme të periudhës së destabilitetit që karakterizoi vendin në vitet ‘90. Klasa drejtuese aktuale synon të investojë në zhvillimin e territorit, siç më shpjegon Milva Ekonomi, Ministrja e Turizmit: “Shqipëria u përfshi në 10 destinacionet kryesore per vitin 2016 të ‘Rough Guide’ falë edhe vëmendjes të qeverisë për sektorin turistik. Vitin e kaluar patëm një bum të vizitorëve të huaj: 4.3 milionë, 15% më shumë krahasuar me vitin paraardhës. Kemi shumë atraksione: vende ku koha duket sikur ndalet, florë dhe faunë endemike që vende të tjera ballkanike nuk e kanë, disa vende të mbrojtura nga Unesco”. Një shembull i shkëlqyer është Butrinti. Zona arkeologjike ruan dëshmi të kulturës helene, romake, bizantine, veneciane dhe otomane, të zhytyra në një pizazh të shkëlqyer të rrethuar nga nje liqen i kripur që bashkohet me detin përmes kanalit të Vivarit. Një vend tjetër i Unesco-s, që nuk mund të humbet, është Gjirokastra, e përshkruar nga shkrimtari Ismail Kadare në librin Qyteti i Gurtë: një qendër urbane otomane e dominuar nga një kështjellë me pamje mbi luginën e lumit Drino

Magjia e natës shqiptare
Ndalesa ime e fundit është Berati, rreth 100 km larg Tiranës. E kuptoj menjëherë përse e quajnë “qyteti i njëmijë dritareve”: kur perëndon dielli, drita që përshkon kornizat e dritareve i bën shtëpitë e ngritura mbi dy kodra dhe me pamje nga lumi Osum, të duken si një mori xixëllonjash. Një spektakël magjik, edhe pse me keqardhje vërej që shumë bare frekuentohen vetëm nga meshkujt. Por Shqipëria është kështu: një përzierje kontradiktore e progresit me traditën, një vend që shesh drejt së ardhmes por që e ka të vështirë të shkëputet nga një e kaluar e vështirë. Por ndërsa ngjitem në avion mendoj se shqiptarët i kanë përvetësuar vërtet fjalët e Gonxhe Bojaxhiut, ose Nënë Terezës, bashkëkombësja e tyre më e famshme: “Bëni të mundur që kushdo që të vijë tek ju, të largohet duke u ndier më mirë dhe më i lumtur”.

Image may contain: ocean, text, water and outdoor
Image may contain: 1 person, text
Image may contain: 1 person, ocean and text

SHKARKO APP