Revolta e protestuesve të Unazës së Re: Sot hyjmë me forcë në Parlament!

-Paralajmërimet e banorëve që do t’ju shëmben shtëpitë nga ndërtimi i Unazës së Re: “Jemi gati të vdesim për pronën tonë. Edi Rama të tërhiqet ose fundi do t’i vijë nga ne. Do hyjmë në Parlament!”. Ndërkohë forca të mëdha policore rrethojnë sot Kuvendin. 

-Protesta e banorëve sot do të zhvendoset para Parlamentit. Dje, në ditën e 18 të protestës, qytetarët që kërkojnë dëmshpërblim të plotë nga qeveria, paralajmëruan se kërkesat e tyre do t’i parashtrojnë para godinës së seancave, ku pritet të jetë kryeministri dhe gjithë qeveria. 

Tubimi para Kuvendit pritet të mos jetë vetëm manifestim, por edhe shprehje e fortë e pakënaqësisë që pronarët e më shumë se 320 banesave kanë ndaj qeverisë “Rama”. Gjatë tubimit të mbrëmshëm në Unazën e Re, banorët paralajmëruan se situata mund të jetë shpërthyese para Kuvendit. Në akuzat e tyre ndaj qeverisë nuk ka vetëm ankesa, por edhe kërcënime të forta që paralajmërojnë tensione. Një prej qytetarëve që morën fjalën në protestë, njoftoi se ditën e sotme, protestuesit mund të hyjnë edhe në Kuvend. “I bëj thirrje kryeministrit, që nesër protesta do të jetë përpara parlamentit dhe nëse nuk dëgjoni ne mund të futemi dhe brenda në Kuvend. Prandaj nëser (sot) në orën 10 do të jemi të gjithë përpara Parlamentit të mbështetur dhe nga banorët e bregut të lumit”, deklaroi një prej qytetarëve në protestë.

Ndërsa një tjetër prej protestuesve bëri një kërcënim personal ndaj kryeministrit Edi Rama, duke u shprehur se nëse banesat e tyre shemben, ky do të jetë dhe fundi i tij. “I bëj thirrje të gjithë popullit shqiptar që të ngrihen se kjo është një kauzë për gjithë Shqipërinë që po ik drejt humnerës. Po ikin njerëzit jashtë. U bëj thirrje të gjithë Ambasadave. O kryefaqezi, pronën do ta mbrojmë me gjak, me jetë! Ti do të më vrasësh mua, pas meje do të vish dhe ti. Do të vdes për pronën time. Vetëm mashtrime ke bërë me këtë popull, por nuk na shtyp dot. Po na vrave ne, do të dalin dhe të tjerët më të fortë se ne dhe ti me ne e ke fundin, ta kesh të qartë. Lëri lojërat politike se nuk jemi për politikë, jemi për të drejtën tonë legjitime”,- u shpreh një prej qytetarëve të revoltuar. Ky ishte realisht kërcënim serioz për jetën e kryeministrit. Mësohet se Garda ka shtuar rojet përreth Kryeministrit.

Ndërkohë dje Edi Rama ka pranuar se do të mbajë një fjalim të gjatë në Parlament pikërisht për çështjen e banorëve që shpronësohen nga ndërtimi i Unazës së Re. Argumentet që do të paraqesë kryeministri janë parathënë nga Ministria e Infrastrukturës, Bashkia e Tiranës dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar. Sipas institucioneve, shtëpitë do të prishen dhe kompensimi do të bëhët në bazë të bëhet i plotë për banesat e legalizuara. Një pjesë e banorëve që protestojnë i kanë ndërtesat në proces legalizmit dhe sipas asaj që thonë zyrtarët mund të marrin pak ose aspak dëmshpërblim. Nëse kreu i qeverisë do të përsërisë të njëjtat gjëra që banorët i kanë dëgjuar prej ditësh dhe ndaj kanë dalë në protestë, ka mundësi që protesta e nesërme të jetë një “betejë” mes tyre dhe qeverisë. Në tubimet e tre javëve në zonën e Unazës së Re kanë protestuar më shumë se një mijë banorë. Sot para Kuvendit pritet të jenë dhe banorët e asaj që njihet si Bregu i Lumit, të cilët kanë të njëjtat ankesa për dëmshpërblimin. Gjë që do të thotë se numri i protestuesve mund të jetë më i madh se zakonisht. Flitet se mund të ketë dhe të tjerë, ndaj duhet që policia e shtetit të sigurojë jetën e kryeministrit Rama. Nuk bëhet shaka me ata që humbin shtëpinë dhe të ardhmen e fëmijëve!

Policia ka marrë masa gjatë mbrëmjes së djeshme për të shmangur incidentet. Por nëse Edi Rama mban vetëm  një fjalim të fortë, pa premtuar zgjidhje për banorët edhe reagimi i protestuesve do të jetë i fortë, por jo me fjalë. Pasi po u merret prona dhe gjithë pasurinë që kanë venë në 27 vite, banorët e Unazës së Re nuk kanë më çfarë humbasin me protesta paqësore.

Ndaj kujdes, sot! Policia e Shtetit ka marrë masa të përforcuara që të mos lejojnë asnjë banorë që të kalojë vijën e sigurisë duke mbrojtur deputetët e PS dhe qeverinë/Q. Xhani

SHKARKO APP