Ironia e Patozit me Berishën: Falenderojmë Zotin që solli Bashën

Rikthimi i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas 6 vitesh mungesë në sallën e kuvendit, nuk kaloi pa vëmendjen gjatë seancës së sotme.

Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi si aksident mungesën e Lulzim Bashës në Kuvend gjatë legjislaturës së kaluar.

Këtë rikthimit të kreut Lulzim Basha dhe deklaratën e Sali Berishës e ka komentuar me ironi ish-deputeti Astrit Patozi. Patozi thotë se gabimi me Bashë që është ndrequr dhe se Shqipëria duhet të presë frutet e kësaj mrekullie.

Në një koment në facebook, ai shkruan se: “Sot mësova me habi se mungesa e Lulzim Bashës në parlamentin e 4 viteve të shkuara paska qenë gabim. Zakonisht në raste të tilla kërkohet falje, por ky nuk është ndonjë zakon që pëlqehet shumë në Shqipëri.

Por nëse ishte vërtet kështu, kujt duhet t’ia dimë për nder që na e bëri këtë gjëmë, njeriut apo Zotit? Atij vetë, që vajti e u “internua” si kryetar i Bashkisë së Tiranës, atyre që e propozuan, atyre që e mbështetën dhe e votuan si të tillë, apo kundërshtarëve që nuk ndryshuan rregullat, kur erdhën në pushtet?

Sepse, me sa po thuhet, parlamenti shqiptar nuk mund t’u kuptoka kurrë pa Lulzim Bashën. Dhe Shqipëria e paska vuajtur shumë mosqenien e tij. Por ja që, si gjithmonë, Zoti vonon, por nuk harron. Tani Lulzim Basha është rikthyer, gabimi është ndrequr më në fund dhe Shqipëria thjesht duhet të falenderojë krijuesin dhe duhet të presë frutet e shpejta të kësaj mrekullie”,- shkruan Astrit Patozi.

Ironia e Patozit i drejtohet direkt ish-kreu të PD dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili edhe pse Basha largoi nga grupi gjithë bashkëpunëtorët e Berishës, sërish nuk mbajti asnjë qëndrim.

SHKARKO APP