Rreziqet e Ballkanit, NATO në Tiranë

Shefat e ushtrive të vendeve të Aleancës së Atlantikut Verior diskutojnë për të ardhmen dhe rreziqet e  Ballkanit. Ushtritë e NATO-së do të qëndrojnë në Kosovë. Kryeministri Edi Rama: Është koha që të anëtarësohet edhe Serbia, Bosnja, Kosova e Maqedonia.

Në Tiranë zhvilloi sot punimet Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO, e cila mbledh së bashku shefat e shtabeve të ushtrive të vendeve anëtare të Aleancës. Ky institucion i NATO-s është dhe hartuesi i politikave të operacioneve dhe sigurisë, të cilat më pas kalojnë për miratim në stafet politike të vendeve anëtare. Kjo është hera e parë, që pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO që një institucion i tillë i aleancës mblidhet në Tiranë.

Punimet e kësaj konference kanë pasur në qendër rezultatet në luftën kundër terrorizmit te angazhimi në Irak e Afganistan dhe situata në Ballkanin perëndimor. Për shkak të kërcënimi terrorist dhe ndërhyrjes së aktorëve të tjerë, si Rusia, Ballkani Perëndimor është kthyer në axhendën e kryesore të Aleancës. Pak muaj më parë, Mali i Zi u bë pjesë e aleancës. Ndërkohë që e njëjta gjë synohet edhe më vendet e tjera të rajonit.

Fjala e hapjes u mbajt nga kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjeneral Petr Pavel, i cili në emër të të gjithë aleatëve, shprehu mirënjohjen për angazhimin e fuqishëm të Shqipërisë ndaj Aleancës, si dhe për kontributin në misionet, operacionet dhe aktivitetet e NATO, përkatësisht misionet në Afganistan dhe Kosovë. Gjenerali Pavel vlerësoi rolin e Shqipërisë në përkrahjen e bashkëpunimit dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, por edhe në luftën kundër të ashtuquajturit Shteti Islamik, siç tha ai “duke kontribuuar me mjete dhe pajisje në koalicionin global kundër ISIL dhe trajnuesit e Forcave Speciale në Irak.”

Ai gjithashtu përmendi edhe këmbënguljen e Shqipërisë për ngritjen e një qendre ekselence të NATO në vendin tonë, e cila do të trajtojë fenomenin e “luftëtarëve të huaj”.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama shprehu kënaqësinë, që Shqipëria mirëpret për herë të parë këtë konferencë dhe theksoi vendosmërinë e vendit tonë për të përmbushur të gjitha angazhimet dhe detyrimet që rrjedhin si vend anëtar i NATO. “Ne jemi bashkuar në angazhimet e Aleancës në një nivel mbiprofesional. Misionet e Shqipërisë në NATO nuk kanë marrë asnjë votë kundër në Kuvendin e Shqipërisë. Pjesëmarrja jonë nuk ka qenë e lehtë për shkak të resurseve të kufizuara të vendit, por prania jonë do të fuqizohet me shtimin e shpenzimeve për mbrojtjen, ashtu sikurse Forcat tona të Armatosura do të jenë prezent në çdo front ku do të thirren. Edhe në të ardhmen ne do të japim kontributin tonë për angazhimet e NATO-s”.

Sa i përket situatës në rajon, kryeministri Rama ripërsëriti qëndrimin e Shqipërisë pro politikës së dyerve të hapura për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. “Hartës së NATO-s i mungojnë Bosnje dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia dhe Kosova. Kjo zonë, ende e papërfshirë në arkitekturën e sigurisë europiane, përbën një territor, ku aktorë të tretë shohin vulnerabilitet dhe mundësi për penetrim.”

Shefat e Shtabeve të vendeve anëtare të NATO-s, diskutuan për situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe do të japin rekomandime për vazhdimësinë e misionit Rezolute Support në Afganisatan dhe KFOR Kosovë.

SHKARKO APP