Rrëzohet akuza e “ BIRN” për Metën, sipas anglezëve të “Clifford Chance”

Histeria mafioze dhe loja politike pothuaj 6-mujore kundër Ilir Metës mori goditje dje nga anglezët

Procesi gjyqësor mes OSHEE-së dhe kompanisë së mbledhjes së borxheve DIA është mbyllur që në datën 15 dhjetor në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë. Por historia e kompanisë DIA, me administrator Kastriot Ismailaj që sot ndodhet në burg për mashtrim, përfshiu jo pak emra të politikës. Emri i Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta u përfshi në këtë histori në bazë të disa raporteve mediatike dhe kryesisht të BIRN që pretendonin se kishin dokumentet e zyrës që mbronte interesat e shtetit shqiptar në Gjykatën e Arbitrazhit. Ishte BIRN që filloi këtë sulm. Më pas opozita u investua për disa muaj në këtë akuzë duke kërkuar dhe dorëheqjen e Ilir Metës. Historia nisi në muajin shtator të vitit të kaluar dhe që nxori në sipërfaqe akuza, përgjime, sajesa, teori konspirative dhe “kërcënime” etj., që në të gjitha rastet synonin goditjen politike të kreut të Kuvendit. Në sulm u përfshinë disa media, opozita, lobe të forta biznesi në vend dhe flirtime të çuditshme të aleatëve të Metës dhe kundërshtarëve të tij. U bë një lëmsh i madh interesash milionere të disa biznesmenëve, të cilët donin me çdo kusht të zhytnin në akuza kreun e Kuvendit, si dhe t’i dhuronin Edi Ramës 270 mijë votat e LSI-së, kurse për vete të merrnin leje ndërtimi tek Liqeni i Tiranës përballë Fakultetit Ekonomik apo buzë detit në Kavajë, por për të ruajtur koncesionet e kohës së Berishës edhe me Kryeministrin e majtë.

Dhe vërtet ia arritën deri diku të bënin rrëmujë publikun me akuza, dalje të “rastësishme” në ndonjë televizion të ndonjërit të paguar nga kundërshtarët e Metës, hodhën e mbështollën, ku kishin mbetur letra, sms, hieroglifë e sajesa “vrasjesh”, “presionesh”, “zhdukje dëshmitarësh”, derisa më në fund loja politike kundër Ilir Metës, për këtë rast, u mbyll. U mbyll se foli kompania angleze, e cila nuk do t’ia dijë as për Ramën, as për Metën, as për Bashën, pasi ata thonë të vërtetën.

Nga dje, mund të thuhet se loja mbaroi. Fundi i lojës nuk ka ardhur nga Tirana, por nga Londra dhe nga vetë kompania e avokatëve “Clifford Chance” që kishte marrë përsipër mbrojtjen e interesave të shtetit shqiptar. Është e njëjta kompani me dokumentet e së cilës u abuzua për të sulmuar kreun e Kuvendit ajo që më në fund ka folur pa dorashka tani që procesi ka përfunduar. Përfaqësuesi i kompanisë, Tim Shcreiber, në një letër që i ka dërguar ministrit të Energjetikës, Damian Gjiknuri dhe kreut të OSHEE-së, Adrian Çela ka sqaruar dhe arsyet se përse nuk ka folur më parë. Letra konfirmon se emri i kreut të Kuvendit, Ilir Meta, nuk ka asnjë lidhje me çështjen “DIA”. Pra duket hapur se loja politike kundër Metës kishte prapavijë të një grupi politiko-mediatiko-bizneso-mafioz në Tiranë.

“Ne na duhej të qëndronim të tërhequr nga reagimi në detaje ndaj supozimeve të tilla të medias, në këndvështrim të procedurave në vazhdim të arbitrazhit, por ne mund t’ju sigurojmë që nuk disponojmë asnjë të dhënë që e lidh z. Meta me veprimet korruptive të DIA-s apo të administratorëve të saj të shkuar apo aktuale. Në çdo rast, përfshirë përpjekjen e fundit frenetike të oponentëve të OSHEE-së për të shkaktuar konfuzion publik, ato dështuan dhe procedimi përfundoi me dhënien e vendimit përfundimtar të arbitrazhit më datë 14 dhjetor 2015”, thuhet në letrën e “Clifford Chance”.

Letra e studios ligjore me qendër në Londër flet në mënyrë të hapur dhe për motivet politike për të cilat u përdor përballja mes OSHEE-së dhe DIA-s në gjykatë. “Është për të ardhur keq që natyra jo-publike e procesit të arbitrazhit është dhunuar, kur disa nga parashtrimet tona rrodhën në drejtim të shtypit për arsye të ndryshme politike dhe disa përfaqësues të medias lidhën emrin e të Nderuarit Kryetar të Parlamentit të Shqipërisë me akuzën e korrupsionit. Kjo gjë ka qenë qartësisht e pajustifikueshme mbi bazën e parashtrimeve tona”,- thuhet në letrën e dërguar nga studio “Clifford Chance” për qeverinë shqiptare.

Përgjigjja e kompanisë ligjore u jep fund spekulimeve disamujore. Letra merret me faktet dhe largon mjegullën e thashethemeve. Avokatët e studios ligjore janë njerëzit që hartuan dosjen, e cila shpëtoi shtetin shqiptar nga gjoba 130 milionë euro dhe sigurisht më të informuar se ata nuk është askush për këtë çështje.

Por tashmë që kjo histori është mbyllur në mënyrë ligjore disa pyetje ende mbeten. Kur akuzat kanë rënë përfundimisht me këtë letër zyrtare të kompanisë angleze mbetet të shihet kush përfitonte prej tyre. Sulmet ndaj numrit dy të shtetit kishin dy qëllime. I pari ishte politik. Duke goditur aleatin kryesor të koalicionit me ndihmën e elementëve brenda maxhorancës, synohej eliminimi politik i Ilir Metës. Dhe jo vetëm kaq.

Sulmi i dytë duket se ishte për interesa të pastra ekonomike. Përfshirja e emrit të Metës në këtë histori u jepte argumente avokatëve të kompanisë DIA për të fituar 130 milionë euro në gjykatë kundër shtetit shqiptar. Kur dëgjon se janë në lojë një shifër e tillë parash është e kuptueshme se pse në një betejë të çuditshme u investuan lobe biznesi dhe lobe mediatike si asnjëherë më parë. Ky grupim kishte pjesën e përfitimit financiar, përveç Kastriot Ismailajt dhe një deputeti të Parlamentit, armik të Ilir Metës, ndaj u investuan në këtë lojë politike. Ky grupim donte t’i zhvaste shtetit shqiptar 130 milionë euro, duke përdorur emrin e Ilir Metës si dhe duke e masakruar publikisht e politikisht kreun e Kuvendit.

Kompania “Clifford Chance” e mbylli përfundimisht këtë histori politike kundër Ilir Metës. Për emrin e saj duhet që agjencia “BIRN” të publikojë letrën e “Clifford Chance”.

SHKARKO APP