Gramoz Ruçi kundër shkarkimit të Malajt, e shtyn për në shtator
Kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi, nuk futi në seancë plenare shkarkimin e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj.
Duke iu referuar ligjit për BSH, Ruçi kujtoi se duhet të jetë Këshilli i Ministrave që të propozojë shkarkimin për Malajn dhe jo deputetët.
“Në zbatim të nenit 47, pika 1 e ligjit për Bankën e Shqipërisë, Këshilli i Ministrave është ai që nis procedurën dhe nëse ai e nis, vihet në lëvizje. Procedurat e tjera, sipas Rregullores së Kuvendit, në komisione dhe pastaj shprehet seanca e Parlamentit”, tha Ruçi.
PS kërkoi shkarkimin e ish-deputetit socialist për shkelje të Kodit të Etikës së BSH-së me deklaratat e tij publike.