Rusi Grigory Yavlinsky: “Shanset për të shtypur butonin bërthamor nga Putini, janë me shumë se kurrë”
Bota nuk ka qenë kurrë më afër përdorimit të armëve bërthamore se sa sot, kështu thonë agjensitë e shërbimeve partnere. Grushti i shtetit që dështoi duket se e ka dobësuar Putinin në sytë e botës, ndaj ai mund të reagojë te butoni bërthamor.
Ndaj rreziku i një lufte gjithëpërfshirëse bërthamore nuk është një kërcënim i largët, por një “mundësi shumë reale”. Paralajmërimi vjen nga një nga liderët e opozitës ruse. Grigory Yavlinsky thotë se kërcënimet e Vladimir Putin për një Armagedon bërthamor midis Lindjes dhe Perëndimit janë “serioze”.
Ai ka folur për mediat britanike.
Yavlinsky është një ish-ndërmjetës pushteti i epokës sovjetike dhe themelues i partisë së fundit liberale të Rusisë. “Duke marrë parasysh madhësinë e kërcënimit të luftës bërthamore kjo është e gjitha mjaft serioze” – tha ai për “The Sun”. Sipas tij Putini sapo ka dalë nga paqëndrueshmëria e një tentative për grusht shteti ndaj rreziku i një Vladimiri të dobësuar “duhet të merret parasysh”.
Kërcënimi nuk është vetëm për Ukrainën, paralajmëroi ai, por një apokalips bërthamor “midis Lindjes dhe Perëndimit”.
“Nuk do të thosha se është një kërcënim për nesër, por me sa kuptoj kjo është tashmë 50 me 50. Kjo është një mundësi shumë reale që mund të ndodhë”. I futur në një cep, Yavlinsky shpjegoi se “Putini mund të jetë në pozitë [të përdorë armë bërthamore] nëse nuk ka shtegun për të gjetur një rrugëdalje.
Kryetar i partisë Yabloko dhe 3 herë kandidat presidencial, ai është një nga shumë pak kundërshtarë politikë të Putinit që nuk është internuar, burgosur apo vrarë në mënyrë misterioze. Ai jeton dhe punon në Moskë dhe e di shumë mirë kërcënimin pas krahëve.
Ndërkohë gjatë fundjavës, shefi i Wagner, Yevgeny Prigozhin udhëhoqi një kryengritje të armatosur, duke u zotuar se do të rrëzonte pushtetin më të lartë të Rusisë.
Ekspertët janë të prirur të vënë në dukje se një Putin paranojak që ka nën kontroll arsenalin më të madh bërthamor në planet nuk mund të përjashtohet se mund të drejtojë gishtat drejt butonit.
Një Putin i dobësuar mbetet më i rrezikshëm se sa një Putin që kontrollon gjithçka.
Këtë muaj, lideri rus zhvendosi koka bërthamore në Bjellorusinë fqinje, duke e afruar kërcënimin bërthamor gjithnjë e më afër kufijve të NATO-s.