Rusia rrezik për luftë civile, kreu i trupave Wagner del kundër Presidentit Putin

Në Rusi situata është shpërthyese pasi kreu i grupit të trupave speciale Wagner që deklaron se ka 25 mijë trupa ushtarake nën kontroll, ka dalë hapur kundër Presidentit Putin.

Presidenti rus Vladimir Putin u zotua të shtunën të mbrojë vendin nga një kryengritje e armatosur e shpallur nga shefi i mercenarëve rusë Yevgeny Prigozhin, që presidenti Putin e quajti një “thikë pas shpine” për Rusinë.

“Të gjithë ata që përgatitën kryengritjen do të pësojnë ndëshkimin e pashmangshëm. Forcat e armatosura dhe agjencitë e tjera qeveritare kanë marrë urdhrat e nevojshëm”, tha Presidenti Putin në një fjalim televiziv drejtuar vendit.

Yevgeny Prigozhin, pronar i kompanisë ushtarake private Wagner, konfirmoi të shtunën në mëngjes se ai dhe trupat e tij arritën në një qytet të rëndësishëm rus pasi kaluan kufirin nga Ukraina.

Yevgeny Prigozhin tha se kishte 25,000 trupa nën komandën e tij dhe do të ndëshkonte ministrin Shoigu në një kryengritje të armatosur dhe i kërkoi ushtrisë të mos bënte rezistencë: “Ky nuk është një grusht shteti ushtarak, por një marshim për drejtësi”, tha ai.

Ndërsa përfundimet e konfrontimit janë ende të paqarta, duket se ai do të pengojë më tej përpjekjet luftarake të Moskës pasi forcat e Kievit po sprovojnë mbrojtjen ruse në fazat fillestare të një kundërofensive. Mosmarrëveshja, veçanërisht nëse Prigozhini do të ngadhënjejë, gjithashtu mund të ketë pasoja për presidentin Putin dhe aftësinë e tij për të mbajtur një front të bashkuar.

Situata e fundit në Rusi ka nxitur reagimin e zyrtarëve amerikanë dhe evropianë.

Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken tha përmes një njoftimi në rrjetin Twitter se kishte biseduar me ministrat e jashtëm të G7-ës dhe ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian mbi situatën në Rusi.

“Shtetet e Bashkuara do të koordinohen ngushtë me aleatët dhe partnerët në ndjekje të situatës”, shkroi zoti Blinken në Twitter.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Mathew Miller tha përmes një deklarate se gjatë bisedës me ministrat e G7-ës zoti Blinken kishte përsëritur se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën nuk do të ndryshojë.

Rrjeti BBC njoftoi mbledhjen e komitetit të emergjencës së qeverisë britanike, njohur si Cobra, për të diskutuar mbi situatën në Rusi.

Të shtunën Kryeministrin britanik Rishi Sunak tha gjatë një interviste me gazetaren e BBC-së, Laura Kuenssberg se do të bisedonte me të gjithë aleatët, ndërsa u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira në konflikt në Rusi që të shmangin lëndimin e popullsisë civile.

Po ashtu, zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Gjermanisë njoftoi se “ministrja Annalena Baerbock diskutoi mbi situatën me homologët e G7-ës”, dhe se është thirrur një takim i ekipit për menaxhimin e krizave në qeverinë e Gjermanisë.

Përmes një deklarate, Kremlini njoftoi se Presidenti i Rusisë Vladimir Putin zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. “Presidenti Erdogan mbështeti veprimet e qeverisë së Rusisë ndaj rebelimit të grupit mercenar të armatosur Wagner”, thuhet në njoftimin e Kremlinit.

Presidenca turke tha përmes një njoftimi se zoti Erdogan e kishte nxitur homologun Putin të vepronte me maturi dhe se Turqia ishte e gatshme të jepte kontributin e saj për të zgjidhur në mënyrë paqësore situatën.

SHKARKO APP