Sa i fortë doli ky Vangjush Dako i Durrësit!
Vangjush Dako është kryetar bashkie në Durrës prej shumë vitesh. Dikush thotë me humor “që prej kohës së romakëve”, një tjetër me bindje pohon se “Dako do fitojë prapë nëse don të kandidojë”. Tashmë Dako është kthyer në target i opozitës, por edhe lajm kryesor.
“Dako pjesë e bandës së Shijakut”, “Dako mik personal i kryeministrit”, “Dako blen votat për PS me banda”, etj etj akuza që gëlojnë këto kohë në publik. Dhe Dakos nuk i bën syri tërr, por deklaron se “jam supermen votash”. Vetbesim absolut i tij. Nga i vjen vetbesimi: Nga bandat, nga kryeministri apo nga populli?
Me ngjarjet e fundit që po zbardhen nga media në dosjen e shumëpërfolur të bandës së Shijakut, ka shumë pikëpyetje që sillen përreth Dakos si kryebashkiak. Ish-kryeministri Berisha shkruan se Fatmir Xhafaj dhe prokuroria po e kërkonin ta arrestonin, por Dako rrinte në Surrel ose në makinën e kryeministrit. Kështu thotë Berisha.
Dako u ka rezistuar sulmeve të opozites, hetimeve, gjyqeve dhe sot ndodhet në një hetim intensiv nga prokuroria e krimeve të rënda për një dosje, e cila nuk lidhet direkt me të, por emri i tij del në shumë faqe të dosjes hetimore. Kryebashkiaku durrsak nuk don t’ia dijë fare. Edhe kur i nxorën sms-të e biseda telefonike komprementuese prapë Dako tha pa asnjë shenjë pendese apo modestie se “mund të kandidojë përsëri nëse e gjykon ai dhe PS (partinë as që e pyet), por prapë do jem drejtues fushate në qarkun e Durrësit dhe do t’i fitoj të treja bashkitë”.
Kush ia jep këtë garanci kryebashkiakut të Durrësit? Vetvetja apo kryeministri Rama? Apo njerëzit që dalin nëpër dosje hetimesh nga prokuroria? Edhe arrestimet e fundit e dërmuan Gjushin, por nuk dorëzohet. Thuhet se ministri Xhafaj, në ikje, është viktimë e tij pasi insistimi i Fatmir Xhafajt me palën gjermane për ta hetuar dosjen e bandës së Durrësit, solli reagim dhe shfrim kryeministror. Reagimi i Edi Ramës ka qenë jo vetëm se hetimi shkonte te miku i tij më i mirë në bregdet, Vangjush Dako, porse edhe dilte fakti se votat në vitin 2017 u blenë me bandat e krimit më të rrezikshëm në Shqipëri.
Ndaj Dako duket i qetë, edhe prej natyres së tij, sepse ai e di që nëse binte Vangjushi, atëhere shkonte si puna e tullave, edhe qeveria e mazhoranca.
Prandaj Vangjush Dako pi kafen i qetë buzë detit në Durres, i nis ndonjë sms Edi Ramës, “he shefo, si jeni andej nga Tirana?”, dhe ndez një puro duke parë se si ikin ministra kur guxojnë të prekin “perandorinë” e tij.
Një rrezik ka për Gjushin;vetëm ndonjë prokuror që mund ta kalojë cakun e lejes së kryeministrit…