Sali Berisha: Edi Rama ndryshoi emrin për shkak të hetimeve spanjolle
Çështja e dekriminalizmit dhe ndryshimit të emrave të disa politikaneve ka qenë sot pjesë e debatit dhe tensioneve në Kuvend. Ish-kryeministri Berisha, duke marrë fjalën në Parlament ka komentuar të dhënat e fundit që janë publikuar në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, që sipas tij faktojnë depërtimin e krimit në institucione.
“Ky është një moment i rëndësishëm i jetës parlamentare. Ligji për dekriminalizimin zbuloi fytyrën e vërtetë të krimit në Parlament, zbuloi vrasësit, trafikantët dhe njerëzit me dy fytyra e 4 emra”, ka deklaruar Berisha. Ai i ka drejtuar një sërë akuzash kryeministrit Rama, i cili sipas tij e ka ndryshuar emrin për shkak të përfshirjes së tij në një hetim të autoriteteve spanjolle.
“Le të vijë këtu Edvin Kristaq Rama, për të cilin jam akuzuar mijëra herë se po i ndërroj emrin, ja që del se nuk i kam ndërruar unë emrin por e ka ndërruar ai emrin e tij. Unë pra i kam thirrur atij në emrin e vërtetë. Ai të vijë këtu të tregojë se nga Edvin u bë Edi për shkak të dosjes spanjolle, për shkak të Kardiovskit, për shkak të akuzave të Kadriovskit e shkaqeve të tjera që duhet t’i sqarojë, sepse ai ndërrim emri në një kohë kur pikërisht janë përfolur këto që them unë, në një kohë kur mediat e kanë akuzuar për një krim të tmerrshme në hotelet e Spanjës, në një kohë kur Kadrovski e akuzonte në një letër për të shoqen, Dilën, implikim direkt, janë në media të gjitha këto. Të vijë këtu të thotë ç’është ky ndërrim i emrit. A qëndron tek ky ndërrim emri nënshtrimi dhe poshtërimi i tij para krimit, dhe shndërrimi i parlamentit, qeverisë dhe administratës së tij në një strofull krimi dhe organizatë kriminale”,- tha Berisha.
Duke theksuar se, ky ligj tregoi se kriminelët i futi në Parlament Edi Rama, ish-kryeministri i ka akuzuar deputetët e mazhorancës se, “tani po përpiqen të fshehin kokën si struci në diell”. “Kjo mazhorancë po krahason vrasjen me kundravajtjen. Denoncoj Edi Ramën si një armik të egër të qënies tonë kombëtare”, ka vijuar Berisha. Ai e ka akuzuar pasardhësin e tij se, “është një antishqiptar”, duke përmendur këtu rastin e dekorimit të kompozitorit serb Goran Bregoviç me çelësin e Tiranës, për ato që ai i ka quajtur “himnet anti-kosovare”.
Për Partinë Socialiste, formularët e vetëdeklarimit janë prova se në radhët e mazhorancës nuk ka deputetë të inkriminuar, ndryshe nga sa pretendonte lideri i opozitës Basha se 19 parlamentarë nga Partia Socialiste janë “kriminelë”.
http://www.kohajone.com/2016/05/26/te-gjithe-paskan-ndryshuar-emrat/