Scholz-Erdogan: Tensione mbi konfliktin në Lindjen e Mesme
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan vjen (17.11.2023) në Berlin. Pozicionet për luftën në Lindjen e Mesme mes dy vende janë larg njeri-tjetrit. Për këtë takim janë marrë masa të sigurie të nivelit të lartë.
Nuk janë premisa të mira për vizitën e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në Gjermani këtë të premte (17.11.2023) e deri të shtunën: Atmosfera ndërmjet Berlinit dhe Ankarasë është e akullt. Arësyeja është lufta në Lindjen e Mesme. Gjermania dhe Turqia kanë pozicione të ndryshme ndaj Izraelit dhe Hamasit islamist.
Scholz e quan “absurde” kritikën e Erdoganit për Izraelin
Në mënyrë të përsëritur Erdogani kohët e fundit është adresuar me fjalë të ashpra kundër Izraelit dhe ka mbrojtur Hamasin terrorist. Izraeli përpiqet që prej 75 vjetësh “të krijojë një shtet në një territor, që i është rrëmbyer popullit palestinez”, tha së fundi Erdogani në Ankara. Legjitimiteti i Izraelit “vihet në pikëpyetje për shkak të fashizmit të tij”, sipas Erdoganit. Të martën (14.11.2023) kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz në një konferencë shtypi në Berlin i quajti “absurde” këto fjalë të presidentit turk. Izraeli është një demokraci, theksoi kancelari. “Edhe kjo duhet thënë shumë qartë, e për këtë nuk ka asnjë dyshim”, tha Scholz. Edhe më parë presidenti i Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani, Josef Schuster, e ka sulmuar ashpër Erdoganin: Presidenti turk “me propagandën e tij ysht edhe trazira në rrugët e Gjermanisë si dhe terror psikologjik kundër hebrenjve në Gjermani”, derklaroi Schuster.
Në sfondin e këtyre mosmarrëveshjeve në Berlin jo pak politikanë kanë bërë thirrje që të anulohej kjo vizitë në këtë moment. Por nga ana tjetër qeveria gjermane i përmbahet planit të vizitës. Edhe drejtuesi i opozitës, kristiandemokrati Friedrich Merz, e mbështet kancelarin në këtë drejtim. Turqia është shumë e rëndësishme për Gjermaninë dhe po ashtu Gjermania është shumë e rëndësishme për Turqinë. Kështu mendon edhe Roderich Kiesewetter. Eksperti i partisë kristiandemokrate për politikën e jashtme sjell në vëmendje në këtë kontekst situatën flagrante të krijuar gjatë vizitës së presidentit palestinez Mahmoud Abbas në Berlin në mes të gushtit 2022. Kiesewetter i tha DW-së: “Një situatë si ajo vitin e kaluar gjatë vizitës së Abbas, kur ky i fundit në krah të kancelarit Scholz përgënjeshtroi Holokaustin pa iu kundërvënë njeri, nuk duhet të përsëritet më.”
Meqënëse këtë nuk e do askush as në qeveri, gjendja është mjaft e tensionuar. Po ashtu ka drojë të madhe, që Erdogani mund ta shfrytëzojë këtë vizitë, për të krijuar atmosferë kundër Izraelit, kundër hebrenjve ndër 1,5 milion turqit që jetojnë në Gjermani. Edhe qeveria gjermane e di, që rreth dy të tretat e shtetasve turq që jetojnë në Gjermani e kanë ndihmuar presidentin turk në zgjedhjet e fundit.
Program i kufizuar vizite
Kjo gjendje pasqyrohet në programin e vizitës së presidentit turk. Erdogani vjen të premten paradite dhe fillimisht do të pritet nga presidenti Frank-Walter Steinmeier në presidencë në Schloss Bellevue. Më pas është në rend të ditës një drekë në selinë e kancelarit. Më shumë se kaq deri tani nuk është bërë e ditur. E hapur mbetet madje nëse do të ketë një konferencë shtypi. E qartë është, se qeveria do të shmangë kryesisht takime të Erdoganit në publik, në rrugë apo në sheshet e Berlinit. P.sh. ndeshja e futbollit mes Gjermanisë dhe Turqisë në stadiumin Olimpik të Berlinit nuk është më e planifikuar për të shtunën, edhe pse shumë turq do ta kishin dëshiruar këtë. Në Berlin nuk preferon askush ta kujtojë fjalimin e Erdoganit në maj 2010 në një stadium të Këlnit, ku ai foli përpara rreth 15.000 bashkëatdetarëve të vet duke u bërë thirrje të integrohen në Gjermani, të mësojnë gjermanisht, por duke shtuar: “Askush nuk mund të presë që ju të asimiloheni.”
Gjermania dhe Turqia kanë nevojë për njëra-tjetrën
Por sot e di edhe Erdogani: Turqia në sfondin e rënies ekonomike është e interesuar për biznese të mira me Gjermaninë. Ankaraja nga ana tjetër është për Gjermaninë dhe BE-në një partnere e rëndësishme. Ndër të tjera edhe pse Turqia ende mund të ndihmojë për ta kufizuar numrin e refugjatëve drejt Europës. Erdogani përpara shtatë vjetësh në pikun e krizës së refugjatëve ra dakord me BE-në, të ndalojë aktivitetet e kontrabandistëve në kufijtë e Turqisë dhe të pranojë ata migrantë, kërkesa e të cilëve për azil refuzohet në Greqi. Në këmbim Ankaraja mori disa miliarda euro, për të strehuar këta njerëz në Turqi. Ky i ashtuquajtur pakt i refugjatëvendërkohë pak a shumë është ngrirë, por BE-ja shpreson ta rigjallërojë atë. Ekspertja liberal-demokrate për mbrojtjen Marie-Agnes Strack-Zimmermann beson, se Europa ka nevojë për Erdoganin edhe sa i përket luftës në Lindjen e Mesme. Për DW ajo thotë: “Eshtë e rëndësishme që lufta të mos përhapet atje. E në këtë drejtim ka rol edhe Turqia. Ndaj ne duhet të bisedojmë me njeri-tjetrin, çështja është, se me sa qartësi do ta bëjmë këtë.”
Shkalla më e lartë e sigurisë në Berlin
Berlini politik pret nga kancelari Olaf Scholz që t’i kundërvihet ndonjë devijimi të mundshëm të deklarimeve të Erdoganit. Marrëdhëniet ndërmjet dy politikanëve qysh në fillim me vizitën e parë të Scholz-it në Ankara në mars 2022 kanë qenë të ftohta. Më pas vizita e Erdoganit në Berlin u shty e pastaj u vendos një datë e re për në nëntor, vendim ky i marrë përpara sulmit terrorist të Hamasit ndaj Izraelit. Sidoqoftë në Berlin kanë hyrë në fuqi masat e sigurisë në nivelin më të lartë, me rastin e vizitës së presidentit turk. Nëse gjatë kësaj vizite do të pozicionohen edhe snajperistë nëpër tarracat e çatitë e godinave, sikure ndodhi gjatë vizitës shtetërore të Erdoganit më 2018, kjo nuk është bërë e ditur. Atëherë, më 2018, ishin vënë në shërbim mbi 4000 policë, në kuartierin qeveritar mbizotëronte gjendje e jashtëzakonshme. Kështu do të jetë edhe sivjet të shtunën, sepse mijëra kurdë duan të protestojnë për partinë kurde të punës PKK e ndaluar në Turqi si dhe kundër politikës së Ankarasë.