Seanca e dekreteve dhe zgjedhjes së Spiropalit, shoqerohet me protesta në Kuvend

Kuvendi miratoi mes tensioneve të deputetëve opozitarë, në një sesion të jashtëzakonshëm, kryetaren e re të institucionit më të lartë ligjvënës dhe dekretet e Presidentit të Republikës për ministrat e rinj në Mbrojtje, Financa dhe Punët e Brendshme.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi u përjashtua nga seanca për protestat e tij dhe “për gjuhën fyese të përdorur”, siç tha kryetarja Lindita Nikolla, ndërsa një pjesë e kolegëve të tij godisnin tryezat në shenjë proteste.

Opozita kishte kërkuar më herët që kjo seancë për ndërrimin e ministrave të bëhej me debat për të diskutuar mbi rezultatet e tyre në fushat përkatëse, si dhe për korrupsionin në administratën e lartë, por kjo kërkesë nuk u pranua.

Zoti Bardhi së bashku me një grup kolegësh bllokuan foltoren e Kuvendit, duke protestuar me thirrje të ndryshme “kundër korrupsionit të kryeministrit Edi Rama”, si dhe ndaj drejtueses së seancës për mosdhënien e fjalës, ndërsa socialistët nisi procesin e votimit, duke miratuar mes duartrokitje ministrat e rinj me shumicën e mjaftueshme të votave të tyre për këto emërime.

Protesta e deputetëve opozitarë në sallë, duke bllokuar folotoren dhe sheshin në qendër të sallës, pamundësoi procesin e votimit të fshehtë me fletëvotimi në kuti, ndaj zgjedhja e kryetares së re Elisa Spiropali u krye me votim të fshehtë me elektronikë, me 75 vota pro dhe 4 kundër.

Zonja Spiropali e mbajti fjalën e saj mes duartrokitjeve të kolegëve socialistë dhe protestave të opozitarëve, të cilët hidhnin drejt saj dhe drejt kryeministrit Rama shishe uji dhe tufa letrash, si dhe akuza “për korrupsion dhe veprime mafioze”.

Kryetarja e re e Kuvendit u angazhua të vazhdonte punën e ish kryetares Nikolla “me përkushtim dhe durim, si e para mes të barabartëve, me paanshmëri dhe palëkundshmëri” në krye të procesit ligjvënës, duke u shprehur gatishmërinë për të qenë “vullnetmirë në krah të opozitës” dhe “në një frymë bashkëpunimi” me ta, në përputhje me rregulloren e institucionit.

Taulant Balla u emërua ministër shteti për marrëdhëniet me Kuvendin, ndërsa ministrja e mëparshme Elisa Spiropali u zgjodh kryetare e Kuvendit pas dorëheqjes së zonjë Lindita Nikolla për arsye shëndetësore.

Ministër i Punëve të Brendshme pas zotit Balla u emërua Ervin Hoxha. Ervin Mete u zëvendësua me Petrit Malajn në detyrën e ministrit të Financave. Ministër i Mbrojtjes u zgjodh Pirro Vengu, pas shkarkimit të Niko Peleshit. Bledi Çuçi u zgjodh nënkryetar i Kuvendit, duke zëvendësuar Ermonela Felajn.

SHKARKO APP