Sekretari Amerikan, Mike Pompeo: Votoni Marrëveshjen, kurse deputetët opozitarë thonë se “nuk e votojmë”!

Marrëveshja e arritur mes opozitës reale dhe qeverisë për reformën zgjedhore, si asnjë pak tjetër politik është mbështetur fort nga faktori ndërkombëtarë. Dokumenti i hartuar në rezidencën e Ambasadës së SHBA ka marrë mbështetjen e Komisionit Europian, Parlamentit Europian, Bundestagu gjerman dhe çdo institucion i BE.  Në serinë e qëndrimeve të ndërkombëtarëve, dje marrëveshja është mbështetur dhe nga kryediplomati amerikan, Mike Pompeo. Njeriu më i rëndësishëm i diplomacisë amerikane dhe botërore, në një konferencë për mediat ku ka folur për çështjet më kritike të botës sot, është ndalur dhe në situatën në Shqipëri. “Mirëpres marrëveshjen ndërpartiake në Shqipëri për Reformën Zgjedhore, e cila do të forcojë demokracinë e saj dhe do forcojë edhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Ne inkurajojmë të gjitha palët që ta kodifikojnë këtë marrëveshje”,- u shpreh kreu i diplomacisë amerikane. Qëndrimi i Pompeut është njëlloj sikur të ketë folur Shtëpia e Bardhë. Një marrëveshje politike e arritur në Tiranë nuk ka marrë kurrë më shumë vëmendje kaq të madhe sa këto ditë. Kur flet Komisioni Europian ka folur qeveria e BE, kur flet Departamenti i Shtetit dhe Sekretari i  Shtetit ka folur praktikisht vetë Presidenti Trump. Të gjitha palët e shohin këtë marrëveshje si një akt që do të rikthejë normalitetin politik në Shqipëri dhe jep shpresë për zgjidhje dhe zgjedhje normale politike.

Të vetmit që nuk e pranojnë këtë marrëveshje janë një grup deputetësh që mbajtën apo morën mandatet që dogji opozita në parlament një vit më parë. Të ashtuquajturit si “opozita parlamentare”, këta deputetë që morën karriget me pazare dhe me joshje financiare nga rilindja, sot kanë dalë kundër gjithë ndërkombëtarëve dhe bllokojnë procedurën e kalimit të marrëveshjes në Parlament. Njerëzit që sabotuan aksionin e opozitës dhe shpëtuan qeverinë “Rama” nga rrëzimi, një vit më parë thanë se po marrin mandatet për të shpëtuar integrimin e vendit dhe për të ruajtur stabilitetin. Të njëjtët njerëz, sot që duhet të votojnë një marrëveshje që ndihmon negociatat e integrimit dhe ruan stabilitetin politik, janë gati të djegin Shqipërinë. Kanë vendosur si kusht për kalimin e marrëveshjes miratimin e listave të hapura. Në fakt, nëse sheh përbërjen e këtij grupi, ata si të jenë në lista të hapura, si të jenë në lista të mbyllura nuk marrin asnjë votë. Nëse sot janë në Kuvend dhe marrin pagat dhe dietat, kjo ndodhi sepse ishin në fund të listës dhe as ata që i vendosën nuk e mendonin se ndonjëherë do të hynin në Parlament.

Por sot jemi para situatës, kur këta njerëz që hyn aksidentalisht në politikë dhe parlament, rrezikojnë të krijojnë një precedentë të rrezikshëm duke bllokuar marrëveshjen. Edi Rama i përdori kur PD dhe LSI dogji mandatet, po i përdor dhe tani mjeshtërisht. Duke i futur sërish në lojë për votimin e marrëveshjes, kryeministri po tenton që të modifikojë përmbajtjen e saj. Duke i njohur si opozitë reale, Rama synon që me votat e tyre të shkatërrojë atë që u arrit në rezidencën amerikane. Edhe nëse nuk ndryshon marrëveshje, sërish nga rrëmuja që po bëjnë këta deputetë shpreson të dëmtojë opozitën. Thirrja që kryeministri bëri dje për krerët e PD dhe LSI që të flasin me këta deputetë dhe të negociojnë është pjesë e kësaj skeme.

Deputetët anonimë që hynë në Kuvend me pazar, janë në pritje të pazarit të radhës. Pasi morën nga rilindja përfitimet financiare, tani presin që opozita ti falë dhe t’u jap ndonjë vend në listë për zgjedhjet e radhës. Që në momentin që ata pranuan mandatet duhet ta kishin llogaritur dhe këtë ditë, opozita ka kohë që nuk ka më punë me ata. Ata janë produkt i Edi Ramës që e ndihmuan për të ruajtur pushtetin. Ndaj vota e tyre për marrëveshjen sot është problem i Edi Ramës dhe jo i opozitës reale./Mili Xhani/

 

SHKARKO APP