Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin takon Presidentin Ilir Meta
Presidenti i Republikës Ilir Meta priti në një takim të veçantë, Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Eminencën e Tij, Kardinalin Pietro Parolin.
Me ftesë të Presidentit Meta dhe të Universitetit Katolik “Zonja e Këshillit të Mirë”, Kardinali Parolin ka ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurit të parë dhe të bekimit të fillimit të punimeve për Spitalin e kurimit të kancerit të gjirit, një amanet i Shenjtores Nënë Tereza.
Presidenti Meta shprehu mirënjohjen e thellë për vëmendjen e madhe që Ati i Shenjtë, Papa Françesku dhe Selia e Shenjtë i kushtojnë Shqipërisë e shqiptarëve.
“Lidhjet e hershme të miqësisë mes shqiptarëve e Selisë së Shenjtë, sot janë rigjallëruar dhe intensifikuar më shumë se kurrë”, – nënvizoi Presidenti Meta.
Ndërsa duke iu referuar vizitës së Kardinalit Parolin në Tiranë, Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Selia e Shenjtë i ka dhënë dhe i jep zhvillimit të projekteve të ndryshme sociale, sidomos në arsim dhe shëndetësi.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit, duke nënvizuar rëndësinë e zhvillimit të dialogut, bashkëjetesës dhe bashkëpunimit për të ardhmen europiane të rajonit.
https://www.facebook.com/kohajone/videos/2244241379124825/