Selami: Ti jepet fund idesë që mund të qeverisim me Partinë Socialiste

Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Eduard Selami është kategorik në qëndrimin e tij kundër koalicionit me Partinë Socialiste. Në takimet e tij me demokratët e Qarkut të Dibrës, Selami ka kërkuar nga drejtuesit e forumeve të PD-së që të shprehen qartë lidhur me dëmet që i sjellë PD dhe të djathtës koalicioni me PS.

“Duhet ti jepet fund idesë që mund të qeverisim me Partinë Socialiste. Ju po shkoni të bëni koalicion me Partinë Socialiste ai na mori dhe dyshin me pikturat na vuri dhe një trëndafil. Jo nuk duhet të jemi bashkë. Pjesa dërrmuese e elektoralit nuk do që të qeverisë me PS. Unë praktikisht jam kundër kësaj marrëveshje”,- tha Eduard Selami.

Ai u shpreh se do të ketë një vendimmarrje institucionale lidhur me koalicionin me PS. Selami u shpreh se nëse strukturat e PD vendosin për koalicion me PS ai do të dorëzonte mandatin. “Do mblidhet Këshilli Kombëtar që do vendosë, Grupi Parlamentar por dhe Kuvend Kombëtar. Nuk ka gjë më të rëndësishme sa të ndërrosh strategjinë të lëvizjes nga fondamentet e së djathtës ku jemi krenar, që e kemi lënë bosh e jemi rrethuar kuq. Nëse vendos struktura të bëjmë koalicion, unë jam nga ata që jam kundër. Do dorëzoj mandatin edhe pse do jem në PD”,- tha Selami.

Lidhur me humbjet e PD-së, Salami tha se duhet që partia të riorganizohet. “Kemi tre humbje të thella rresht, por nëse nuk bëjmë analizë serioze fatkeqësisht do të vazhdojë…sepse është humbje besimi dhe shpresës që ne jemi forcë progresive në Shqipëri. Dhe për mua si demokrat por dhe për ju bëhet më e rënde, sepse po na mund e majta trashëgimtare e Partisë së Punës”, tha Selami.

Kandidati për kryetar kritikoi dhe mungesën e demokracisë së brendshme në PD. “Në partinë tonë mungon demokracia. Nëse ne nuk e kthejmë këtë ta shikojmë ku kemi problemin dhe ta kapërcejmë, nuk kemi gjë në vijë.  Është thelluar! Shikoni listën! Ka mjaft njerëz të nderuar që do kishin fituar edhe vetë nqs do kishim një konkurrim të barabartë. Por është listë jashtë konkurrimit, jo legjitime. Është kompetencë e Këshillit Kombëtar, jo e kryetarit. pike…Duhet ta fillonte nga ju, ti bënit ju rekimandimet”,- tha Selami.

Kandidati Selami tha se më atë kryetar, Partia Demokratike do të ngrihet drejt vlerave perëndimore dhe tek demokracia e brendshme. “A mund të ngrihemi? Po, duke mësuar dhe nga tradita jonë më e mirë e të qenurit partia më e suksesshme në gjithë Europën Lindore. Një pjesë e madhe këtu ka kontributin e tyre atëherë. Si? Kemi qenë më demokratikë atëherë se tani ne mbledhjen e strukturave, në marrjen e vendimeve. Pse? Sepse me tërë mend nuk dinim shumë për demokracinë, por dëgjonim partnerët tanë ndërkombëtarë, ata që na kanë ngritur e ndihmuar. Me tërë mend nuk dinim shumë për demokracinë por kishim idealin dhe donim të bënim një Shqipëri si gjithë Europa. Me tërë mend nuk dinim aq shumë por e donim me tërë mend Shqipërinë sesa karrigen dhe sesa pozitën tonë. Fatkeqësisht dalë nga dalë këto kohë morën fund”, tha Eduard Selami.

SHKARKO APP