Analiza/ “Kështjella blu” po digjet. Kthehu Sali për ca kohë në krye të PD!
Selia blu është në kaos. Sejcili turret të marrë diçka tani; dikush një zyrë, një tjetër një tavolinë e perdet e shtrenjta, të tjerë po shikojnë mundësinë e marrjes së oborrit për të bërë një pallat me Edi Ramën; të gjithë me vrap e me dëshirë ta shkatërrojnë ndertesën ku rri partia e parë opozitare në Shqipëri, nga ku filloi demokracia, liria e tregut. Tashmë pas humbjes katastrofike në zgjedhjet parlamentare, selia është në rrëmujë, dhe ka filluar të shikohet tymi që po nxjerr nga katër anët ndërtesa e përbashkët e demokratëve.
Lulzim Basha takoi kryeministrin Rama dhe më pas filloi rënia, katastrofa. Ishte pazar në mesnatën e datës 17 maj apo marrëveshje për zgjedhje të lira; kjo tashmë e ka marrë përgjigjen përderisa edhe pas humbjes së zgjedhjeve të cilat u blenë nga mafia e drogës, Lulzim Basha nuk del për ta denoncuar dhe për ta rrëzuar si Marrëveshje. Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër; ishte Pazar dhe si çdo pazar kështu përfundojnë pazaret e mbyllura në errësirë dhe në mesnatë. Ndërkohë Lulzim Basha nuk tërhiqet, kurse Sali Berisha jep një përgjigje as mish e as peshk për këtë katrahurë në selinë e PD. Një numër shumë i madh themeluesish, qendrestarësh, të rinjë, anëtarë kryesie e këshilli kombëtar janë kundër Bashës dhe mënyrës se si ai po rikandidon për kryetar. Në fakt Basha e ka një zgjidhje për tu ringritur: Denoncim dhe mos njohje të paktit-pazar të 17 majit 2017. Dhe së dyti, të zhvillojë një kandidim të barabartë me rivalin serioz Astrit Patozi. Zgjidhjet e tjera nuk i japin fitore, përkundrazi e shkatërrojnë figurën e tij politike, por edhe PD-në.
Denoncimi i prerë i paktit të 17 majit dhe fillimi i një opozite radikale ndaj Ramës e bën Lulzim Bashën të mbajë selinë blu. Pikërisht te ky Pazar do ta godasi fort rivali Patozi.
Ndërkohë momentalisht kaosi në PD vazhdon. Një herë del Arben Imami me “tank”, më pas Majlinda Bregu duke buzëqeshur me ironi, prapë gjuan me silura Jozefina Topalli, nuk harron as Ridvan Bode e Gjergj Lezhja, del në tapet Astrit Patozi dhe bëhet gati për grushte, Genc Ruli fut thikën me helm në trupin e kundërshtarit Basha, që solli humbjen e zgjedhjeve; të tjerë hedhin e presin gjyle topi. Një tymnajë e madhe dhe ku kanë filluar të duken rrenojat e kështjellës demokrate. As në vitin 1997 dhe as në shtatorin e vitit 1998 kjo kështjellë nuk u rrënua. Por tani po e sakatojnë vetë, demokratët dhe udhëheqësit e tyre.
Të gjithë me sëpata, hanxharë, gjyle, bomba, me bidona me benzinë e me shkrepse në xhep, me cfurq e kazma; po shkatërrojnë ngrehinën e tyre. Por jo vetëm të tyre. PD është pasuri kombetare, ndonëse ka bërë edhe gjëma kombëtare në ndonjë vit. Por realish mbetet pasuri. Ajo duhet mbajtur në këmbë, ndryshe nuk ngrihet më. Ajo është tashmë opozitë, bashkë me LSI. Opozitat janë zëri i qytetarëve, ndaj janë vlera kombëtare që duhen mbrojtur. Asnjë nuk fiton kur opozita mbetet e përçarë.
“Ushtritë” e tyre demokrate janë drejtuar kundër njeri tjetrit, dhe përkundrejt tyre Edi Rama rri e qesh. Fërkon duart me helmin dhe gropën që iu bëri me 17 maj. Mjeshtërisht kryeministri ua futi demokratëve. U mori edhe dy gishtat.
Taborret po rreshtohen për luftë. Për shkatërrim total të asaj që la Saliu. Ndërkohë ish-lideri rri e vështron kështjellën që po digjet. E çuditshme se si “krijuesi i Perandorisë demokrate” rri e shikon nga Lalzi apo nga kulla e tij në katin e 14-të në mes të Tiranës e ku duket selia e PD-së në flakë!
Ka një zgjidhje që të shpëtojë selia e PD: Kthimi për një periudhë kohe në seli blu I Sali Berishës. Më pas, kur të qetësohen gjakrat dhe përcaktohen rregullat, ikën përfundimisht Saliu dhe caktohet nga “ushtarët demokratë” lidershipi i ri.
Ndryshe tymi dhe shpërthimet e granatave në “kështjellen blu” do të djegin dhe vetë Berishën që nuk bëzan!
S.P.
http://albanianews1.al/selia-blu-po-digjet-kthehu-sali-per-ca-kohe-ne-krye-te-pd/