Selia blu si bombol gazi!
Partia Demokratike mblodhi dje pas shumë kohësh kryesinë. Organi më i lartë vendimmarrës i selisë blu pritet të merrte vendime të rëndësishme për aksionin opozitar, strategjinë e ngritjes së partisë dhe ndryshimet statusore. Por në vend vendimeve që kanë të bëjnë me fatin e opozitës, PD-ja prodhoi dje lajme për sherre, përplasje, goditje fizike, truproja, fikje valësh telefoni dhe grupe që sulmojnë egër njeri-tjetrin. Basha ka kërkuar nisjen e analizës për humbjen. Kundërshtarët e Bashës, që u lanë jashtë parties, kanë kërkuar ndryshime në statut dhe legalizimin e fraksioneve. Debati arriti deri në pikën që Jemin Gjana, një demokrat i njohur për karakterin jo konfliktual, është ngritur të godasë fizikisht anëtaren e Kryesisë, Valbona Mezini, e cila njihet si mbështetëse e grupit anti-Basha. Pas kësaj është dashur ndërhyrja e bodigardëve të Bashës dhe deputetëve të tjerë që të ndanin demokratët nga përleshja. Mungonte vetëm patrulla e policisë së ministrit socialist, Fatmir Xhafa për të vënë qetësinë në shtëpinë e demokratëve.
Mbledhja e djeshme e Kryesisë të kujtonte më shumë me sherret e lagjeve mes burrave dhe grave që nuk kanë gram kulture. Ndërsa PD-ja tashmë ngjan me një bombol gazi, nga ato të lokaleve, që mund të shpërthejë në çdo moment. Një bombol që mund të plasë ca nga mungesa e ‘kolaudimit’ dhe ca nga pakujdesia dhe papërvoja e përdorueseve të saj. Kjo klimë klonfliktuale që ka kohë që e shoqëron PD, vjen një moment që shpërthen dhe shkakton kaos, si ky i mbledhjes ku demokratët harrojnë se çfarë detyrë kanë ndaj demokratëve, por i vërsulen njeri-tjetrit.
Partia që duhet të ishte një prej përfaqësueseve të shqetësimeve të shoqërisë dhe një alternativë qeverisëse, ndodhet sot në kuotat më të ulëta publike. Tensioni që ndihej në mbledhjen e Kryesisë, si një epidemi është shpërndarë në gjithë degët e saj. Në PD sot gjen grupazhe, njerëz që i bashkojnë interesat e momentit, qejfmbetjet personale dhe shumë pak idealistë e opozitarë të vërtetë. Në PD gjenden kampe pro dhe anti-Bashë, pro dhe anti-Topalli, Patozi, etj, si dhe së fundi ka dalë dhe një rrymë e re anti-Berishë. Ajo që nuk gjendet më në PD prej kohësh është opozita.
Tamam si bombol gazi e pakoaliduar!
Lulzim Basha, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare e fitoi sërish karrigen e kryetarit, por ende duket se nuk e ka fituar gjithë partinë. Përjashtimet e pajustifikuara të deputetëve nga listat e kandidatëve kanë lënë gjurmë në strukturat e PD, por edhe në elektoratin e djathtë. PD është e ndarë dhe një opozitë e tillë vetëm sa shtyn ditët, pa shpresë se një ditë do të vijë në pushtet. Basha duhet të pranojë se në partinë që ka drejton ka një numër personalitetesh me të cilët ose duhet të bëjë kompromis për tu lënë hapësira në parti, ose duhet t’i përjashtoj nga partia. Varianti i fundit mund të jetë edhe më dramatik për PD-në, pasi do të shënonte formimin e një partie tjetër të djathë duke dëmtuar më shumë se këdo PD dhe Bashën.
Rrëmuja që ndodh sot PD e ka burimin dhe te marrëveshja pazar e 18 majit, mes Luzlim Bashës dhe Edi Ramës. Gabimet e bëra në këtë pakt vazhdojnë të kushtëzojnë qëndrimet e Bashës si kryetar i një partie kryesore të opozitës. Ka dy muaj që betohet se pazari me PS ka vdekur, po jo vetëm demokratët, por as Edi Rama nuk e beson më Bashën kur thotë se nuk ka marrëveshje. Nuk mjaftojnë me deklaratat. Basha duhet të bindë me akte publike kundër mazhorancës se mes tij dhe Ramës nuk ka më pazar. Në të kundërt, të gjitha aksionet që ndërmerr PD-ja duket sikur i shërbejnë strategjisë së PS-së. Madje dhe sherret e Bashës me kundërshtarët, provokimet e Salijanit ndaj Topallit dhe Patozit janë shërbimi më i mirë që Basha i bën qeverisë së Edi Rama.
Ka disa javë që qeveria ka nisur punën me jo pak gafa dhe opinioni nuk ka asnjë ide se çfarë ndodh në zyrat e qeverisë. E gjithë vëmendja është tek PD. Por jo si alternativë më e mirë se qeveria aktuale, por si “bombol gazi” që të gjithë e dinë që do shpërthejë një ditë. E ku të gjithë i ruhen një bombole të tillë, sepse të përvelon.
Ndaj Rama bën sehir dhe shetit pa asnjë teklif. E di se në ç’gjendje ndodhet PD. E vetmja që e acaron dhe streson kryeministrin Rama mbetet LSI. Por LSI dhe PD duhet të përbashkohen në Front kundër qeverisë e jo të kenë frikë nga njëra tjetra.
Nga bombola e gazit, e pasigurtë, asnjë nuk përfiton “ngrohje”. Ajo vetëm sjellë shkatërrim.