SHBA/DeSantis i jep fund fushatës, mbështet ish-presidentin Trump, të cilit i buzëqesh fitorja

-Zëri i Amerikës-

Kandidati republikan për president Ron DeSantis, i cili dikur konsiderohej si personi me shanset më të mira për të mundur ish-presidentin Donald Trump, i dha fund fushatës të dielën, një tërheqje relativisht e hershme që nxjerr në pah pozitën e fuqishme të ish-presidentit brenda partisë.

Zoti DeSantis e bëri njoftimin në një video në platformën X, gjatë së cilës tha gjithashtu se do të mbështesë zotin Trump. Ai e bëri njoftimin dy ditë para zgjedhjeve paraprake në Nju Hamshër, ku sipas sondazheve ai kishte një përqindje të vogël mbështetjeje.

Republikani 45 vjeçar ishte parë gjerësisht si një pretendent kryesor për emërimin e Partisë Republikane për zgjedhjet e vitit 2024 dhe pasues i natyrshëm i zotit Trump, falë stilit të tij luftarak dhe pikëpamjeve thellësisht konservatore.

Në fillim të vitit 2023, ai kryesoi në disa sondazhe ndaj ish-presidentit Trump. Por mbështetja ndaj guvernatorit të Floridës ka rënë prej disa muajsh, për shkak të një strategjie të gabuar gjatë fushatës, pamundësisë për të krijuar një lidhje me votuesit dhe mbështetjes së palëkundur të bazës republikane ndaj zotit Trump.

Ndërprerja e fushatës nga ana e zotit DeSantis, do të thotë që ish-ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley, është tani republikania e fundit në garë që ka një shans – megjithëse jo shumë realist – për t’i mohuar ish-presidentit Trump emërimin republikan.

Fituesi i garës për emërimin republikan do të përballet me Presidentin Joe Biden, kandidatin e mundshëm demokrat, në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor.

Më shumë se 70% e republikanëve mbështesin zotin Trump, sipas pjesës më të madhe të sondazheve.

Zoti Desantis nuk arriti kurrë të bindte shumicën e përkrahësve të zotit Trump pse ai ishte një alternativë më e mirë, ndërsa republikanët që nuk mbështesin ish-presidentin i ndanë votat mes kandidatëve të tjerë të shumtë.

Zonja Haley, në veçanti, është shfaqur si kandidatja e preferuar mes republikanëve të moderuar.

SHKARKO APP