SHBA e fundos Korenë e Veriut vetëm për 30 minuta. A do jepet urdhëri?
A po shkon bota drejt një lufte të III-të? A do jetë kontinent tjetër, tashmë, që do ta nisë luftën botërore e jo Europa si dy luftërat e para boterore? Do jetë Azia, e cila do provokojë konfliktin e madh botëror. Kështu duken gjasat, Azia do jetë arenë e përplasjeve të mëdha, ku natyrisht do reagojnë edhe Kina e Rusia. Në dy luftërat e para botërore Kina ishte një gjigand pa dhëmbë, por tashmë është kthyer në një supërfuqi botërore. E jo vetëm ekonomike, por edhe ushtarake.
Nëse lufta e I-rë dhe II-të botërore nisen nga Europa dhe u mbyllën në Azi, ka mundësi që lufta e III-të botërore të fillojë në Azi e urojmë të mos mbyllet në Europë! Pra të mos vijë në Europë.
Kështu mendojnë shumë politologë europianë, duke thënë mes dhembëve, se “le të mbetet njëherë në Azi!”. Mjetet diplomatike duhen luajtur deri në fund, pasi lufta mbetet luftë e asnjë nuk e do luftën, përveç diktatorëve si ai i Koresë së Veriut.
Realisht po vrap po shkohet drejt luftës. E për faj të diktatori të Koresë së Veriut dhe “neutralitetit” të Kinës.
Ç’po ndodh?
Presidenti Donald Trump bëri së fundmi një paralajmërim të ri ndaj Koresë së Veriut, duke thënë se deklarata e tij për “zjarr dhe furi” “nuk ishte mjaftueshëm e fortë”.
Duke folur me gazetarët, zoti Trump tha se Koreja e Veriut “duhet të sillet mirë, përndryshe do të ketë probleme sikurse disa vende të tjera”.
Presidenti i bëri komentet ndërsa pushon në klubin e golfit të tij në New Jersey përpara një takimi me këshilltarët e lartë lidhur me çështje të sigurisë.
Deklarata e zotit Trump vjen pas paralajmërimit të bërë prej tij më herët gjatë kësaj jave se Koreja e Veriut do të përballet me zjarr dhe furi që bota nuk e ka njohur ndonjëherë.
Përpara reagimit të fundit të presidentit
Koreja e Veriut tha të enjeten se po finalizon një plan për të hedhur katër raketa balistike pranë brigjeve të territorit amerikan të Guamit në Paqësor, një provokim i ri në retorikat mes Phenianit dhe Uashingtonit.
Ushtria Popullore e Koresë së Veriut bëri publike hollësi të reja për një goditje me raketa ndaj Guamit. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, raketat që planifikohen të lëshohen pritet të jenë me rreze të mesme veprimi. Ato do të kalojnë mbi Japoni dhe janë planifikuar të bien 30 deri 40 kilometra nga Guami, i cili ndodhet 3 mijë kilometra në juglindje të Gadishullit Korean.
Plani, që sipas ushtrisë do t’i paraqitet udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un në mes të muajit gusht, ndryshon prej kërcënimeve të mëparshme ndaj Shteteve të Bashkuara dhe përshkruhet si një operacion shumë specifik.
Në Guam jetojnë 163 mijë qytetarë amerikanë si dhe janë të vendosura një bazë ushtarake amerikane që përfshin dhe një njësi operacionele nëndetësesh, një bazë ajrore dhe një Roje Bregdetare.
Paralajmërimin e presidentit Trump këtë javë se Pheniani do të përballej me “zjarr dhe furi” nëse kërcënon përsëri Shtetet e Bashkuara, ushtria e Koresë së Veriut e cilësoi “tërësisht të pakuptimtë”.
Në komentin e saj agjensia e lajmeve KCNA tha për presidentin Trump se “dialogu me një person të tillë, të cilit i mungon arsyeja tingëllon i pamundur dhe se vetëm forca e pakufizuar mund të funksionojë mbi të.”
Ndërkaq, Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in, ka reaguar i përmbajtur lidhur rrezikun në rritje bërthamor që paraqet Koreja e Veriut dhe në veçanti mbi paralajmërimet e presidentit Trump.
Uashingtoni dhe Pheniani janë mes një gare për pozicionimin e tyre, sipas ish-zyrtarit të Pentagonit, Majkëll Maluf.
“Nëse SHBA do të kishte për qëllim të niste një sulm, ajo do të mblidhte aleatet e saj në rajon dhe do të mund ta shfaroste Korenë e Veriut për vetëm gjysmë ore, madje jo me armë bërthamore”, thotë ai për “Russian Today”.
Kreu koreano-verior i shtetit ka një strategji që e ndjek me këmbëngulje. Sinjalet kontradiktore nga Uashingtoni ai i interpeton si kërcënim. Kjo e vështirëson zgjidhjen e konfliktit edhe më shumë, mendon Peter Sturm, sipas radios gjermane DW.
Për Kim Jong-un është shkruar shumë, me të drejtë rrallëherë është shkruar vërtetë diçka me dashamirësi për të. Por në situatën aktuale, që mund të shndërrohet në një krizë, një meritë mund t’ia vesh në dukje kreut koereano-verior të shtetit: Kim Jong-un po vepron jo pa arsye. Duket se ai ka një strategji. E këtë e ndjek me këmbëngulje të madhe, ngjashëm si edhe i ati Kim Jong-il dhe gjyshi i tij Kim Il-Sung. Por ndryshe nga dy të mëparshmit, me sa duket Kim Jong-un ndjen presion akut kohor. Kjo sigurisht ka të bëjë me ndryshimin e qeverisë në Uashington.
Qeveria Trump ka deklaruar, se strategjia e Obamas “strategjia e durimit” në raport me Korenë e Veriut ka marrë fund. Që qysh nga janari vazhdimisht vijnë sinjale kontradiktore nga Uashingtoni, këtë Kim Jong-un me gjasë nuk e interpreton ashtu siç është në të vërtetë, pra si një tollovi në qeverisje. Ai mendon, se gjithçka që thuhet publikisht është e verifikuar deri në detajet më të vogla. Parë nga kjo perspektivë tollovia e palës tjetër i duket atij si kërcënuese, sepse një situatë e tillë (me gjasë qëllimisht) e turbullon kundërshtarin e mundshëm.
Ndaj Kim Jong-un vëren një “hapësirë dobësie” për veten. Arsyeja më e rëndësishme për këtë është, që ai vetëm në aspektin propagandistik mund të matet në të njëjtin nivel me SHBA-në. Në aspektin ushtarak kjo nuk qëndron. E këtë nuk e ndryshojnë as dy apo një sërë prova raketash atomike që ka ndërmarrë ai. Kim do që ta mbyllë teknikisht sa më shpejt të jetë e mundur programin e armëve atomike, sepse vetëm kështu e imagjinon ai veten të sigurtë prej ndonjë sulmi.
Një pyetje tjetër është, nëse mund të zgjidhet konflikti vërtetë me këshillat e mira p.sh. të Kinës, që SHBA-ja duhet të nisë dialogun me Phenianin? Nëse ka një konstante në tridhjetë vjetët e jetës së Kim Jong-unit, atëherë kjo është, që mos i beso askujt nga bota e jashtme, madje as një cope letre. Ndaj ndonëse teorikisht është e mundur marrëveshja me Korenë e Veriut, nuk është i mundur një çarmatim total bërthamor i gadishullit korean. Por është pothuajse e pamundur, që të besosh, se Kim Jong-un do t’u përmbahej rregullave të një marrëveshjeje të tillë. Pra racionaliteti i udhëheqësit koerano-verior nuk arrin deri në këtë nivel.
Kina paralajmëron SHBA-në në konfliktin me Korenë e Veriut
Presidenti kinez, Xi ka kërkuar në një telefonatë me presidentin amerikan, Trump ulje të toneve në grindjen atomike me Korenë e Veriut. Ndërsa kancelarja Merkel nuk sheh zgjidhje të konfliktit me mjete ushtarake.
Donald Trump duhet të mënjanojë „fjalët dhe veprat”, që çojnë në një gjendje të tensionuar, paralajmëroi presidenti kinez, Xi Jinping presidentin amerikan. Sipas të dhënave të televizionit kinez, Xi nuk i bëri thirrje vetëm SHBA-së për vetëpërmbajtje, por të gjitha palëve që të „ushtrojnë vetëpërmbajtje” dhe të „vazhdojnë rrugën e dialogut dhe të një zgjidhjeje politike”. Gjithashtu presidenti kinez ka theksuar, se është në interesin e përbashkët të Kinës dhe SHBA-së çarmatimi atomik i Gadishullit Korean dhe sigurimi i paqes dhe stabilitetit në rajon.
Ashpërsimi i toneve
Së fundmi SHBA dhe Koreja e Veriut kanë ashpërsuar tonet. Donald Trump kërcënoi këtë javë Korenë e Veriut se SHBA do të reagojnë me „zjarr, zemërim” ndaj provokimeve të tjera. Ndërsa të premten nga Pheniani u tha se SHBA duhet të llogarisin me „një dështim të turpshëm”, nëse do të këmbëngulin ende „me aventurën ekstreme ushtarake” si edhe rrugën e sanksioneve dhe presionit. Trump është shprehur se Kim do të „pendohej” nëse do të sulmonte SHBA-në. “Shpresoj, që ata ta kuptojnë këtë që them në tërësinë e saj, bashkë me pasojat. Dhe këtë që them e mendoj kështu.”
Merkel: Zgjidhje e konfliktit në kuadër të KS
Por fjalëve të ashpra nuk u përgjigjen hapa konkretë. Sipas raportimeve të mediave nuk ka shenja për një lëvizje të trupave amerikane, aeroplanmbajtëseve apo avioneve luftarakë. Nuk ka po ashtu asnjë shenjë, se 150.000 ushtarët amerikanë të stacionuar në Korenë e Jugut po strehohen në vende të sigurta. Shtëpia e Bardhë bëri vetëm të ditur, se njësitë luftarake amerikane janë të “gatshme” të mbrojnë Guamin. Në të njëjtën kohë Japonia po përgatitet ndaj një sulmi të Koresë së Veriut. Një system mbrojtës raketor, sipas raportimit të televizionit NHK po instalohet ndërkohë në disa qytete në perëndim të vendit. Në pamjet televizive shihen automjete të ushtrisë me pajisjet përkatëse.
Ndërkohë politikanë nga e gjithë bota i kanë bërë thirrje për përmbajtje SHBA-së. Kancelarja gjermane, Angela Merkel bëri thirrje që të përforcohen përpjekjet në kuadër të Këshillit të Sigurimit për një zgjidhje paqësore të konfliktit dhe përmes bashkëpunimit me Kinën. Merkel nuk e sheh zgjidhjen e këtij konflikti tek mjetet ushtarake.(DW)
BE-ja si ndërmjetësuese mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së?
Politikanë në Gjermani në sfondin e konfrontimeve verbale mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut shprehin shqetësimin e tyre. Partia Socialdemokrate gjermane propozon, që BE-ja të ndërmjetësojë.
Kryetari i grupit parlamentar të partisë socialdemokrate (SPD) Thomas Oppermann angazhohet për ndërmjetësimin e BE-së në krizën mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së. “Gjermania ka mundësi të kufizuara, të influencojë direkt në këtë konflikt”, tha ai në Belrin. Ndërsa BE-ja propozohet si ndërmjetësuese. “Unë nuk e di, nëse kjo është realiste. Nëse ka një mundësi për këtë, atëherë ajo duhet shfrytëzuar.” Fillimisht duhet insistuar, që përballja verbale të zëvendësohet nga bisedime të arsyeshme.
Të shmanget përshkallëzimi
“Përshkallëzimi verbal është i rrezikshëm – dhe besimi tek Donald Trump, se mund të marrë vendime të siguruara në plan afatgjatë, është i kufizuar”, tërhoqi vëmendjen Oppermann. “Ndaj shpresoj shumë, që në SHBA forca si ministri i Jashtëm Tillerson, që përdorin gjuhë të moderuar, të marrin situatën në dorë.” Por kërkohet natyrisht edhe nga fuqia mbrojtëse e Koresë së Veriut Kina, që të ndërmjetësojë. “Tani kemi një situatë, ku Këshilli i Sigurimit – ka vendosur sanksione kundër Koresë së Veriut pa u vendosur veto prej Kinës dhe Rusisë. “Kësisoj situata politikisht edhe në aspektin diplomatik është sjellë në drejtimin e duhur. “Kjo nuk duhet të çojë nga një përshkallëzim verbal drejt aktiviteteve ushtarake. Një gjë të tillë duhet ta ndalojmë patjetër”, theksoi politikani socialdemokrat.
Ndërkohë kandidati i SPD-së për kancelar Martin Schulz akuzoi Trumpin se po e ashpërson konfliktin e Koresë së Veriut. “Ne jemi në një situatë, ku na duhet t’i themi edhe hapur qeverisë së SHBA-së, që kjo përplasje verbale e ashpërson situatën dhe nuk e zbut atë”, tha kryetari i SPD-së në Berlin. Qeveria federale duhet t’ia bëjë të qartë këtë Trumpit. Schulz përshëndeti ashpërsimin e sanksioneve kundër Koresë së Veriut dhe i kërkoi Kinës, që të verë në veprim influencën e saj. “Ajo që duhet të na shqetësojë, është se presidenti i SHBA-së bie në nivelin e diktatorit koreano-verior.” Këtë duhet t’ia themi qartazi Trumpit. “Kjo politikë e presidentit Trump nuk mund të jetë kurrë politika e europianëve, as politika e Republikës Federale të Gjermanisë”, tha Schulz.
Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, e akuzoi Korenë e Veriut për shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe shprehu mirëkuptim për presidentin e SHBA-së. “Përsëritja e provave me raketat bërthamore nga Koreja e Veriut shkel të drejtën ndërkombëtare në fuqi dhe kërcënon paqen rajonale”, tha për gazetën “Passauer Neuen Presse” politikania kristiandemokrate.
Koreja e Veriut i përmbahet kursit
Koreja e Veriut pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare prej vitesh po e avancon programin e saj të raketave dhe armëve bërthamore. Në korrik ajo testoi dy raketa ndërkontinetale, që sipas ekspertëve mund të prekin edhe kontinentin në SHBA. Trump në një deklaratë adresuar Phenianit tërhoqi vëmendjen për arsenalin bërthamor të SHBA-së, që është “më i fortë se kurrë” më parë. Po ashtu presidenti i SHBA-së kërcënoi, se SHBA-ja do të reagojë me “zjarr e indinjatë” ndaj provokimeve prej Koresë së Veriut. Si kundërpërgjigje Koreja e Veriut nga ana e saj kërcënoi me një sulm me raketë ndaj destinacioneve përreth bazës ushtarake të SHBA-së Guam në Paqësor.(DW)
Koreja e Veriut: Rrënjët e urrejtjes ndaj SHBA
Propaganda e Koresë së Veriut i injekton popullit që prej gjashtë dekadash urrejtje ndaj SHBA. Kjo funksionon, sepse kujtimi për luftën e Koresë është ende i gjallë. Mendërisht, vendi ka ngecur në vitet 1950.
Në Korenë e Veriut ka shumë gjëra që mungojnë. Por një gjë ky vend e ka: një makineri efektive të propagandës. Që në kopshte dhe në librat e shkollës ushqehet urrejtja ndaj SHBA, e lidhur me frikën prej “agresorit imperialist nga Uashingtoni”. Propagandën e ndihmon fakti që mund të bazohet në përvojën kolektive të Luftës së Koresë. Kjo luftë lë gjurmë në botën e njerëzve sot, edhe sepse ajo nuk ka marrë fund. Nuk ekziston një marrëveshje paqeje. Që prej më shumë se gjashtë dekadash, në paralelin 38 sundon vetëm një armëpushim.
Kjo luftë – për ta thënë qartë – nisi nga vetë Koreja e Veriut. Trupat e Koresë së Veriut ishin ato që e kaluan në 25 qershor 1950 paralelin e 38-të. Me forcën e armëve Pheniani donte të impononte ribashkimin e gadishullit të ndarë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Megjithatë: kur Presidenti i SHBA, Donald Trump kërcënon tani me zjarr, zemërim dhe me pushtet të pafrenuar dhe lë të kuptohet se Koresë së Veriut “do t’i ndodhnin gjëra, të cilat nuk i ka konsideruar kurrë të mundura”, atëherë kjo përshtatet si me historitë që tregon Pheniani, ashtu edhe me përvojën historike. Kur ministri i Mbrojtjes, James Mattis e paralajmëron udhëheqjen e Koresë së Veriut për rrezikun e “asgjësimit të popullit”, trauma nacionale që ushqehet vazhdimisht rigjallërohet nga propaganda. Sepse asgjësim koreanoveriorët kanë përjetuar – midis viteve 1950 dhe 1953.
Tri vjet bombardim mbi sipërfaqe
Për tri vjet me radhë u mbulua atëherë Koreja e Veriut me bombardime mbi sipërfaqen e vendit nga avionët luftarakë të SHBA. Pa e ruajtur fare popullatën civile, siç shkruan historiani i SHBA, Bruce Cumings. Cumings e karakterizon këtë si krim lufte.
Në këtë kohë mbi Korenë e Veriut u hodhën më shumë bomba dhe napalm se sa u hodhën kundër Japonisë në hapësirën e Paqësorit në të gjithë Luftën e Dytë Botërore. Vlerësohet se jetën e humbën prej tyre 20 përqind e popullatës.
Ish- ministri i Jashtëm i SHBA, Dean Rusk – që në kohën e luftës së Koresë qe përgjegjës për Azinë Lindore në Ministrinë e Jashtme – deklaroi se “midis paralelit 38 dhe kufirit kinez ne kemi bombarduar çdo tjegull, që qëndronte mbi një tjetër, gjithçka që lëvizte. Ne kishim epërsi të plotë ajrore dhe e bombarduam rëndë Korenë e Veriut”.
Në të vërtetat e pakëndshme historike, që harrohen në Perëndim, por kujtimi i të cilave mbahet gjallë në Korenë e Veriut bëjnë pjesë edhe masakrat. Të tilla si masakra e No Gun Ri, e kryer nga ushtarët e SHBA vetë. Nën një urë, u vranë qindra civilë që kishin marrë arratinë, siç u bë e ditur në vitin 1999.
Edhe më të këqija qenë spastrimet antikomuniste të forcave të armatosura të Koresë së Jugut. Menjëherë pas fillimit të luftës, në jug u ekzekutuan simpatizantë të vërtetë ose të supozuar të Veriut, me dijen dhe në sytë e oficerëve të SHBA. Për to u akuzua Koreja e Veriut.
Mobilizohen 3, 4 milion koreanë për luftë
Duket se konflikti, deri më tani vetëm në kuadër të deklaratave, mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut, po agravon edhe në teren.
Edhe pse SHBA po investohet në “rrugën diplomatike”, tensioni mes dy vendeve mbetet i lartë dhe askush nuk mund të thotë më me siguri nëse do të ketë në vazhdim luftë apo paqe.
Agjencia koreano-jugore, Yonhap, duke ju referuar gazetës së Koresë së Veriut, “Rodong Sinmun”, njofton se aplikimet e popullatës civile në këtë vend për t’’u mobilizuar për luftë kanë arritur në shifrën e 3. 475 milionë njerëzve.
Mes tyre ka punëtorë, studentë, pensionistë, një masë e madhe kjo që do ta kthente luftën në një përplasje me pasoja shkatërrimtare. Duket se acarimi i Phenianit ka ardhur pas miratimit më 5 gusht të sanksioneve të reja nga Këshilli i Sigurimit në OKB. Televizioni shtetëror koreano-verior ka bërë të ditur se aplikimet janë masive dhe se të mërkurën rreth 100 mijë njerëz u mblodhën në Phenian, për të mbështetur qeverinë në qëndrimin kundër SHBA.
Kërcënimi bërthamor i Koresë së Veriut sfidon edhe tabutë në Japoni
Ndërsa është nxehur retorika ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut për programin e saj të armëve bërthamore, tabutë e hershme po thyhen në vendin fqinj – Japoninë – i vetmi vend që është bombarduar me armë bërthamore gjatë luftës. Analistët thonë se debati nëse edhe Tokio duhet të zhvillojë armë bërthamore u fillua nga ekstremi i djathtë politik dhe tashmë është bërë pjesë e diskutimit kombëtar.
Një revistë japoneze për mbrojtjen njoftonte këtë javë rreth shqetësimeve të shërbimeve amerikane të zbulimit se Pheniani i ka përmbushur edhe hapat e fundit për prodhimin e mbushjeve bërthamore në miniaturë.
“Janë mundësitë që Korea e Veriut ta sulmojë që sot Tokion me armë bërthamore. Nëse lëshon raketa, ato e arrijnë Tokion në dhjetë minuta”, thotë Narushige Michishita, i Institutit Kombëtar për Studimin e Politikave.
Mendohet se Korea e Veriut disponon mbi 200 raketa që mund të godasin Japoninë. Një sulm ndaj një qyteti të mbipopulluar si Tokio do të rrezikonte qindra mijëra jetë.
Kushtetuta e Japonisë lejon veprimin ushtarak vetëm në rast vetëmbrojtjeje. Konservatorët e djathtë, ndër ta edhe Ministri i Financave Taro Aso, thonë se Japonia duhet ta ketë opsionin e zhvillimit të armëve bërthamore. Kjo çështje po debatohet haptazi edhe në Korenë e Jugut. Por, anketimet tregojnë se vetëm 5% e japonezëve duan që vendi i tyre të bëhet një fuqi bërthamore.
“Nuk mendoj se do të ndodhë në të ardhmen e afërt. Edhe nëse Korea e Jugut bëhet fuqi bërthamore, ne do të jemi të fundit”, thotë Kuni Miyake, i Institutit “Canon” për Studime Globale.
Të tjerë dyshojnë se armët bërthamore mund të ofrojnë peshë diplomatike.
“Nëse do të kishim armë bërthamore dhe do të thonim se do të kundërpërgjigjeshim nëse Korea e Veriut do të godiste, a do të ishte kjo e besueshme? Mendoj se jo”, thotë zoti Michishita.
Këtë javë u përkujtuan goditjet bërthamore ndaj Hiroshimës dhe Nagasakit, kur u vranë qindra mijëra njerëz. Ceremonitë përkujtimore u lanë në hije nga debati i rigjallëruar për luftën.
“Është shtuar frika se armët bërthamore mund të përdoren në një të ardhme jo të largët”, tha kryetari i bashkisë së Nagasakit, Tomihisa Taue.
Kryeministri i Japonisë rikonfirmoi qëndrimin e deritanishëm të vendit.
“Këtu në Nagasaki, në qytetin që vazhdon të lutet për vazhdimësinë e paqes, rikonfirmoj angazhimin për një botë në paqe pa armë bërthamore”, deklaroi Kryeministri Abe.
Analistët po diskutojnë nëse do të ndryshojë perceptimi në rastin e një sulmi ndaj Japonisë.
Pyetja shtrohet: Nëse SHBA e shkrin me arsenalin e saj luftarak e bërthamor Korenë e Veriut a mendoni se bota shkon dalëngadalë drejt luftës së III-të botërore?