SHBA, Gjykata e Lartë do të përcaktojë nëse ish-presidenti Trump mund të përjashtohet nga fletët e votimit

-Zëri i Amerikës-

Gjykata e Lartë tha të premten se do të përcaktojë nëse emri i presidentit Donald Trump mund të përjashtohet ose jo nga fletët e votimit për shkak të përpjekjeve të tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, gjë që e bën gjykatën faktor në fushatën presidenciale të vitit 2024.

Anëtarët e gjykatës e pranuan se është e nevojshme që të merret një vendim i shpejtë, pasi zgjedhësit do të fillojnë së shpejti të hedhin votat presidenciale në zgjedhjet paraprake në të gjithë vendin.

Gjykata ra dakord të shqyrtonte një apel nga ana e zotit Trump ndaj një vendimi në shtetin e Kolorados që u mor për shkak të rolit të tij në ngjarjet që arritën pikën kulmore me sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit. Argumentat për këtë çështje do të paraqiten në fillim të shkurtit.

Është hera e parë që gjykata do të japë një interpretim për një dispozitë të Amendamentit të 14-të të Kushtetutës amerikan sipas së cilës u ndalohet disa zyrtarëve që “angazhohen në kryengritje” të mbajnë poste publike.

Amendamenti u miratua në vitin 1868, pas Luftës Civile dhe është përdorur aq rrallë sa gjykata më e lartë e vendit nuk ka pasur asnjë rast më parë për të shprehet për të.

Gjykata e Lartë e Kolorados, me një votim 4-3, vendosi muajin e kaluar se zoti Trump nuk duhet të jetë pjesë e zgjedhjeve paraprake republikane.

Ishte hera e parë që Amendamenti i 14-të u përdor si bazë për të përjashtuar një kandidat presidencial nga gara.

Ish-presidenti Trump po apelon veçmas në një gjykatë shtetërore një vendim të sekretares demokrate të shtetit Mein, Shenna Bellows, sipas së cilit ai nuk duhej të përfshihej në fletët e votimit të atij shteti për shkak të rolit në sulmin ndaj Kapitolit.

Vendimet e Gjykatës së Lartë të Kolorados dhe Sekretares së Shtetit në Mein janë të pezulluara deri kur të përfundojnë proceset e apelit.

Vendimi i gjykatës së lartë për të ndërhyrë, gjë që u kërkua nga të dyja palët, është përfshirja më e drejtpërdrejtë në zgjedhjet presidenciale e saj që nga zgjedhjet e vitit 2000 mes kandidatit të atëhershëm republikan George W. Bush dhe ish-nënpresidentit demokrat Al Gore, kur një shumicë konservatore e gjykatës vendosi efektivisht rezultatin e zgjedhjeve në favor të republikanit Bush.

Tre nga nëntë anëtarët aktualë të Gjykatës së Lartë janë emëruar nga zoti Trump, megjithëse ata kanë vendosur disa herë kundër tij në padi të lidhura me zgjedhjet e vitit 2020 dhe përpjekjet e tij për të mbajtur dokumentet që lidhen me 6 janarin dhe që të mos i dorëzonte dokumentate e taksave në Komisionet e Kongresit .

Nga ana tjetër, anëtarët konservatorë të gjykatës Amy Coney Barrett, Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh kanë qenë pjesë e shumicës së vendimeve të marra nga konservatorët që rrëzuan të drejtën kushtetuese për abortin dhe zgjeruan të drejtat për armëmbajtje.

 

SHKARKO APP