SHBA: Ish-ministri Saimir Tahiri i implikuar me trafikantët e drogës
Çështja “Tahiri” është ngritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si shqetësim për krimin dhe korrupsionin në Shqipëri. Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, Harry Kamian, në një letër dërguar kreut të OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt, deklaron se ish-ministri i Brendshëm shqiptar është implikuar në mbështetje të trafikantëve të drogës.
“Ambasador, si ju, ne e pranojmë se mbetet shumë punë për t’u bërë. Korrupsioni dhe kriminaliteti në të vërtetë mbeten pengesa për prosperitet në Shqipëri. Prokurori i Prokurorisë së Tiranës po heton aktualisht më shumë se 3,000 raste të marrjes në punë dhe shkarkimit të ppërkrahësve partiakë gjatë periudhës së fushatës zgjedhore 2017, një shqetësim që është ngritur edhe nga ODIHR. Në njërin nga rastet, një ish-ministër i brendshëm, i cili tani është anëtar i Parlamentit, është implikuar në Itali për mbështetjen e trafikantëve të drogës. Z. Ambasador, duke iu drejtuar këtyre dhe problemeve të tjera, koordinimi midis aktorëve ndërkombëtarë do të vazhdojë të jetë një nga çelësat e suksesit- deklaron në letrën e tij i ngarkuari me punë i SHBA në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë.
Ky është qëndrimi më i fortë që SHBE me anë të diplomatëve të saj ka mbajtur për çështjen “Tahiri”. Ambasada e SHBA në Tiranë, deri më sot, nuk ka bërë komente për këtë çështje. Ndërkohë, disa javë më parë, Zëvendës ndihmës sekretari amerikan Hoyt Brian Yee deklaroi se politika nuk duhet të abuzojë më imunitetin parlamentar. Brian Yee nuk bëri komente mbi pozicionin e Tahirit duke u shprehur se kjo është një çështje e drejtësisë.
Deklarata e bërë nga ambasadori i SHBA në OSBE, një organizatë ndërkombëtare me ndikim në zhvillimet politike në vend, flet për vëmendjen e madhe me të cilën po shihet nga SHBA çështja “Tahiri”. Sikurse duket se rrufetë sa kanë filluar mbi qeverinë e Ramës, e cila nuk shikohet më si shpresë apo zgjidhje për shqiptarët.
Rasti Tahiri-Habilaj sa ka filluar të zbërthehet, pasi priten emra dhe arrestime të shumta, të cilat do jenë edhe nga radhët e parlamentit. Ka informacione se një deputet ka qenë disa herë në makinat e bandës Habilaj në Vlorë. Prokuroria po heton dhe një ministër aktual të kabinetit Rama për takime dhe sponsorizime elektorale me Habilajt.
Deklaratën e diplomatit të SHBA për Ambasadorin e OSBE në Tiranë mund ta lexoni në anglish këtu: OSCE Presence in Albania