SHBA: Ish-presidenti Trump përgatit terrenin për një rikandidim të mundshëm
Ish-presidenti Donald Trump u prit me brohoritje nga mbështetësit e tij në Robstown të Teksasit, ku foli për dy garat e tij të para për Shtëpinë e Bardhë dhe la të kuptohej se mund të kandidojë për herë të tretë.
“Për ta bërë vendin tonë të suksesshëm, të sigurt dhe madhështor përsëri, ndoshta do të më duhet ta bëj (të kandidoj) sërish”, tha ai muajin e kaluar.
Fjala “ndoshta” e përdorur me kujdes, mund të shmanget së shpejti nga fjalori i tij, ndërsa zoti Trump bën fushatë. Ndihmësit e ish-presidentit po bëjnë pa bujë përgatitje për një fushatë presidenciale për vitin 2024 që mund të nisë menjëherë pas zgjedhjeve për Kongresin të javës së ardhshme, ndërsa zoti Trump përpiqet të përfitojë nga fitoret e pritshme të republikanëve për të përmirësuar shanset për t’u bërë kandidati kryesor i partisë së tij.
“Jam 95% i sigurt që ai do të kandidojë,” thotë Reince Priebus, ish-shefi i kabinetit i Shtëpisë së Bardhë të zotit Trump. “Pyetja e vërtet është nëse do të kandidojnë sfidues të tjerë me peshë? Nëse presidenti Trump kandidon, do të jetë shumë e vështirë për çdo republikan që të fitojë ndaj tij”, shton zoti Priebus.
Një fushatë tjetër do të ishte një kthesë e jashtëzakonshme për çdo ish-president, aq më shumë për zotin Trump që hyri në histori si i pari që iu nënshtrua dy herë procesit për shkarkimin e tij dhe mbetet i përfshirë në hetime kriminale të shumta, përfshirë hetimet për mbajtjen e informacionit të klasifikuar në Mar-a-Lago dhe përpjekjet e tij për të ushtruar presion ndaj zyrtarëve zgjedhorë për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Por zoti Trump, sipas personave të afërt me të, është i etur të kthehet në lojën politike. Ai ka folur për një rikthim të mundshëm që para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë, por ndihmësit dhe aleatët e konsiderojnë periudhën dyjavore pas zgjedhjeve të 8 nëntorit si një dritare të mundshme për shpalljen e kandidaturës, megjithëse ata paralajmërojnë se ai nuk e ka marrë ende vendimin dhe se – si gjithmonë kur bëhet fjalë për zotin Trump – gjërat mund të ndryshojnë, veçanërisht nëse rezultatet e zgjedhjeve vonohen për shkak të rinumërimit ose një balotazhi të mundshëm të zgjedhjeve në Xhorxhia.
Përgatitjet për një deklarim të mundshëm vijnë ndërsa ish-presidenti ka rritur përpjekjet për të ndihmuar kandidatët në javët e fundit para zgjedhjeve, duke shpresuar që të përdorë fitoret e mundshme të republikanëve në Kongres për t’i dhënë hov një fushate të tij.