SHBA rrëzon PD për reformën: Qeveria të çojë draftin për miratim në Kuvend

Ambasada e SHBA-ve në mënyrë të hapur ka kritikuar sot qëndrimin e Partisë Demokratike lidhur me reformën në drejtësi dhe mos arritjen e një marrvëshje në takimin Rama-Basha. Në një deklaratë për mediat, Ambasada e SHBA shprehet se Qeveria tregoi fleksibilitet në qëndrimet e saj dhe thekson se opozita nuk bëri të njëjtën gjë.

Në deklaratë thuhet se Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbështet qëndrimin e qeverisë shqiptare për ta çuar draftin drejt miratimit. Pas dështimit të takimit, Kryeministri Edi Rama tha se do e çonte reformën në Kuvend, me apo pa opozitën. Qëndrimi i sotëm i qeverisë së SHBA shihet si një mbështetje e hapur e nismës së Kryeministrit.

Lidhur me debatin për rrjedhje votash apo bojkot total të votimit nga Partia Demoratike, Ambasada e SHBA shprehet se “Do të jetë përgjegjësia e anëtarëve individualë të parlamentit të vendosin nëse duan të mbajnë sistemin e sotëm të drejtësisë të korruptuar dhe të politizuar apo nëse do ta mbështesin këtë reformë”,- thuhet në deklaratë.

Në qëndrimet e mbajtura nga PD-ja është nxjerrë si argument për dështimin e konsensusit mos pranimi nga PS i variantit të “vendeve të rezervuara”. Basha dhe deputetë të PD-së kanë thënë se “vendet e rezervuara” kanë qenë si opsion edhe në propozimet e SHBA. Por në deklaratën e sotme të Ambasadës thuhet se opozita nuk u tregua fleksible. Ndërsa Qeveria vlerësohet që pranoi votimin me 94 vota për zgjedhjen e njerëzve të sistemit të drejtësisë, nga 84 vota që ishte varianti i mëparshëm që kundërshtohej nga PD.

Deklarata e plotë e Ambasadës së SHBA:

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara shpreh zhgënjimin e saj që takimi i 6 qershorit mes Kryeministrit Rama dhe Liderit të Opozitës Basha nuk arriti një vendim përfundimtar mbi reformën në drejtësi.

Qeveria shfaqi fleksibilitet, por, në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë.  Prandaj, Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet përpjekjet e Qeverisë shqiptare për ta çuar draftin drejt miratimit.

Do të jetë përgjegjësia e anëtarëve individualë të parlamentit të vendosin nëse duan të mbajnë sistemin e sotëm të drejtësisë të korruptuar dhe të politizuar apo nëse do ta mbështesin këtë reformë.

Për më shumë se 18 muaj, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, politikanë, shoqëria civile, dhe publiku, janë angazhuar në një debat të rëndësishëm mbi reformën e drejtësisë në Shqipëri. Ky proces shterues e ka përmirësuar draft-paketën e reformës dhe e afroi qeverinë dhe opozitën drejt një marrëveshjeje.

Kjo reformë, të cilën e mbështesin shumica dërrmuese e shqiptarëve, mbetet një prioritet kyç për Shtetet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara do të punojnë për t’u siguruar që drafti përfundimtar i paraqitur në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe në Parlament, të jetë një draft i drejtë, që përfaqëson idetë më të mira të ekspertëve vendas, ekspertëve ndërkombëtarë, dhe Komisionit të Venecias”.

BE: Deputetët mbajnë përgjegjësi para qytetarëve për reformën në drejtësi

 

SHKARKO APP