SHBA: Mbështesim Ramën dhe Metën
Komisioni i Posaçëm për Reformën hodhi dje hapin e parë zyrtar për kalimin e projektit të drejtësisë për miratim në Parlament. Deputetët e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim miratuan pa praninë e opozitës dokumentin që bazohet në rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe misioneve ndërkombëtarë të drejtësisë. Edhe prania e Ambasadorit të SHBA Donald Lu dhe asaj të Bashkimit Europian, Romana Vllahutin nuk i ka bindi deputetët e opozitës të votojnë “pro” draftit. Madje në mënyrë demonstrative ligjvënësit demokratë janë larguar para se të niste procesi i votimit. Arsyeja e bojkotit nga PD është ajo e përhershmja, “vendet e rezervuara” për partitë në institucionet e reja të drejtësisë.
Pas votimit në Komisionin e Reformës Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për mediat, deklaroi se reforma ka hyrë në procesin e miratimit në Kuvend. Ai tha se mundësitë për konsensus do të shfrytëzohen deri në momentin e fundit me opozitën. Por pavarësisht ftesës për konsensus, Rama këmbënguli se pika e “vendeve të rezervuara” nuk pranohet dhe kjo është vija e kuqe të cilën mazhoranca nuk mund ta kalojë. Vetë pak minuta pas Kryeministrit, Kreu i opozitës Lulzim Basha përsëriti edhe një herë qëndrimin e Partisë Demokratike. Sipas tij, nuk mund të ketë garanci për drejtësi të pavarur me qëndrimet e Ramës. Basha dhe PD janë kapur fort pas nenit 88 të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, në të cili thuhet se nëse palët nuk arrijnë konsensus për votat që duhen për zgjedhjen e njerëzve të drejtësisë ata “do të zgjedhin një sistem propocional që garanton përfaqësimin e opozitës në organet kolektive”. Kjo pikë, sipas PD, përkthehet në “vende të rezervuara”. Vendet e rezervuara që kërkon PD-ja do të thotë që drejtësinë ta bësh më të politizuar sesa është tani. Aq me tepër që nga një pjesë e qëndrimeve mazhoranca u tërhoq, siç është rasti i votimit me 2/3 në Kuvend për zgjedhjen e gjyqtarëve.
Procesi dje hyri në fazën e votimit dhe garancia nuk është as Kryeministri Edi Rama dhe as opozita që realisht nuk bie dakord me gjithë reformën. Garancia edhe një herë erdhi nga ndërkombëtarët. Pjesëmarrja e Lu dhe Vllahutin në Komisionin e Posaçëm ku u votua drafti ishte gjesti i parë ndërkombëtarët bënë për të dalë në krah të reformës. Dhe mëqënëse në mbledhjen me dyer të mbyllura qëndrimi i tyre nuk mund të jetë kuptuar mirë nga PD-ja, Ambasada Amerikane në një deklaratë për mediat konfirmoi edhe një herë qëndrimin e saj për reformën. Gjatë kohës që kreu i PD-së fliste për arsyet pse nuk votoi reformën, SHBA dhe BE në një deklaratë të përbashkët theksonin se drafti i reformës në drejtësi ka mbështetjen e tyre të plotë. Pra nuk flitet për një dokument të njëanshëm, por për një projekt që ka marrë miratimin e partnerëve ndërkombëtarë.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin miratimin e projekt-amendamenteve kushtetuese nga Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi i Parlamentit të Shqipërisë. Ky është një hap i rëndësishëm për të shtruar rrugën e miratimit të plotë të një reforme të thellë dhe domethënëse të sistemit të drejtësisë të Shqipërisë. Paketa e projekt-amendamenteve ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian”,- thuhet në deklaratë.Me troç dhe me hapur nuk ka se si mund të thuhet mbështetja për Edi Ramën dhe Ilir Metën.
Në qëndrimin e SHBE dhe BE theksohet dhe një herë se votimi i kësaj reforme ka të bëjë direkt me procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Kjo është goditja e radhës që Partia Demokratike merr brenda pak ditëve nga ndërkombëtarët për procesin e reformës.
Gjatë muajve të fundit ka pasur mjaft skenarë për forcat politike që janë kundër reformës. Dje pro projektit ishin vetëm votat e PS-së dhe LSI-së në Komision. Një fakt ky që u vlerësua dhe nga SHBA. Ndërsa vija ndarëse ishte për PD-në në mënyrë të përsëritur, duke i kujtuar se po vendoset kundër interesave të integrimit të vendit. Goditje më të madhe se kaq një parti nuk ka marrë nga SHBA dhe BE. Bashës i mbeten edhe pak ditë deri në votimin e projektit në seancë për të pranuar votimin e draftit. Kjo pasi Rama dhe Meta nuk kanë ndërmend të ndalen deri në votimin në Kuvend. Ndonëse rruga për konsensus nuk mungon dhe përpjekjet e kreut të Kuvendit Meta janë domëthënëse, pasi insiston që edhe opozita të jetë pjesë e votimit,sepse kjo Reformë nuk është për dy vite, por mundet edhe për 100 vitet e ardhshme të Shqipërisë.
Meta dje foli nga zyrat e LSI, por duke e thënë prerë se tashmë derisa të miratohet Reforma do të flaës vetëm si kryetar parlamenti, sepse LSI ka autorizuar Petrit Vasilin të negociojë e të flas politikisht.