SHBA, Prokurori i Hagës caktohet për të hetuar kundër Trumpit

Hetuesi special i pavarur që është marrë edhe me krimet e luftës në Kosovë, Jack Smith, do të hetojë akuzat ndaj ish-presidentit Donald Trump. Atë e emëroi të premten Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.

Ish-prokurori amerikan Jack Smith do të udhëheqë hetimet për dy çështje: dokumentet sekrete të konfiskuara në shtëpinë private të Donald Trump Mar-a-Lago dhe sulmin në Kapitol më 6 janar 2021, njoftoi Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland në Uashington.

Emërimi erdhi vetëm tre ditë pasi Trump njoftoi synimin e tij për të garuar sërish si kandidat republikan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Garland tha se “në dritën e zhvillimeve të fundit, duke përfshirë njoftimin e Presidentit të mëparshëm se ai është një kandidat presidencial në zgjedhjet e ardhshme, dhe synimin e Presidentit aktual (Joe Biden) për të qenë gjithashtu një kandidat, unë kam arritur në përfundimin se ka interes publik që të caktohet një hetues  i posaçëm”.

Është në interesin publik të emërohet një hetues special për Trumpin, tha Garland për median në Uashington

Trump akuzohet për vjedhje dhe mbajtje të paligjshme të dokumenteve sekrete, fshehje të paligjshme të dokumenteve qeveritare dhe pengim të drejtësisë. Gjyqësori amerikan po kryen gjithashtu hetime masive për sulmin në Kapitol nga mbështetësit e Trumpit në janar 2021.

Avokati Smith ka punuar nga viti 2008 deri në vitin 2010 në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë, ku mbikëqyri hetimet për krimet e luftës. Pas vitit  2010, ai ka drejtuar një ekip prokurorësh në Departamentin e Drejtësisë të SHBA që trajtonte rastet e korrupsionit publik dhe abuzimeve me zgjedhjet. Së fundmi, Smith ka shërbyer si prokuror në Gjykatën speciale të Hagë të ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë. Në një prononcim  të parë, Smith deklaroi  se ai do t’i kryente hetimet me shpejtësi, në mënyrë të pavarur dhe me themel.

Smith është hetuesi i dytë special kundër Trumpit

Smith është hetuesi i dytë special që merret me ish-presidentin amerikan. Gjatë mandatit të republikanit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2017, ishte marrë ish-shefi i FBI-së Robert Mueller me akuzat për ndërhyrjen e  rusëve në favor të Trumpit në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës në SHBA.

Donald Trump dëshiron të kthehet në Shtëpinë e Bardhë si President

Në hetimin e tij gati dyvjeçar, Mueller nuk arriti të gjente prova të mjaftueshme për një marrëveshjeve të paligjshme midis ekipit të fushatës elektorale të Trumpit dhe Rusisë. Megjithatë, ai nuk e shfajësoi ish-Presidentin nga dyshimi për pengim kriminal të drejtësisë.

Trump i ka kritikuar hetimet kundër tij si të motivuara politikisht dhe prej kohësh thotë se ato janë  vetëm një përpjekje e kundërshtarëve të tij për ta penguar atë të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Ai e quajti “të padrejtë” emërimin e hetuesit të ri special. Ai tha për Fox News se ky emërim është “i papranueshëm” dhe paralajmëroi se nuk do të bashkëpunojë me hetuesin./VOA/

SHKARKO APP