SHBA-Rusi takohen pa Ukrainën
Zyrtarët të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë u takuan të martën në Arabinë Saudite për të diskutuar mbi përmirësimin e marrëdhënieve dhe negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë- bisedime që pasqyruan një ndryshim të madh dhe të shpejtë të politikës së jashtme amerikane nën drejtimin e Presidentit Donald Trump.
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, Këshilltari për Siguri Kombëtare, Mike Waltz dhe i Dërguari për Lindjen e Mesme, Steve Wikof u takuan për afro 4 orë e gjysmë me ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe Yuri Ushakovin, ndihmës i lartë i udhëheqësit Vladimir Putin, pas një bisede telefonike javën e kaluar mes Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe udhëheqësit rus Vladimir Putin.

Asnjë zyrtar ukrainas nuk ishte i pranishëm në takimin që u zhvilluar ndërsa Ukraina po humbet terren pak nga pak, por në mënyrë të vazhdueshme, përballë një numri më të lartë të trupave ruse, në luftën që nisi thuajse tre vjet më parë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka deklaruar se Kievi nuk do të pranojë rezultatin e bisedimeve të kësaj jave në rast se nuk merr pjesë në bisedime. Aleatët evropianë kanë shprehur shqetësimin se janë mënjanuar.
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha pas bisedimeve se për t’i dhënë fund luftës së Rusisë ndaj Ukrainës do të jetë e nevojshme që të bëhen lëshime nga të gjitha palët.
Kur u pyet mbi sanksionet ndaj Rusisë, zoti Rubio vuri në dukje se masat janë vënë si rezultat i sulmit të Rusisë dhe se sanksionet nuk ishin vënë vetëm nga ana e Shteteve të Bashkuara. Ai shtoi se “Në një moment Bashkimi Europian do të jetë në tryezën e bisedimeve, sepse edhe ata kanë vendosur sanksione”.
Zoti Rubio tha se Presidenti Trump dëshiron të veprojë me shpejtësi për t’i dhënë fund luftës dhe se objektivi është një marrëveshe e drejtë, afatgjatë dhe e qëndrueshme.
Mes shqetësimeve në Ukrainë dhe aleatëve eruropianë mbi përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, Sekretari Rubio tha se objektivi ishe një marrëveshje “që është e pranueshme nga të gjitha palët e përfshira, dhe kjo padyshim përfshin Ukrainën, por po ashtu edhe partnerët tanë në Evropë, dhe natyrisht edhe palën ruse”.
Këshilltari për Siguri Kombëtare, Mike Waltz u tha gazetarëve se nuk është caktuar një datë për një takim mes Presidentëve Trump dhe Putin/VOA/
Reagon Presidenti i Ukrainës:
Zelensky theksoi se çdo negociatë për fundin e luftës duhet të përfshijë Ukrainën dhe vendet evropiane, duke shfaqur shqetësim për përjashtimin e tij nga diskutimet e zhvilluara në Arabinë Saudite mes zyrtarëve amerikanë dhe rusë. Ai e bëri të qartë se një paqe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes një procesi të hapur dhe gjithëpërfshirës.
KOHA JONË SONDAZH

