SHBA ultimatum politikës shqiptare: Jepni mandat tjetër prokurorëve të SPAK, ndryshe…!
Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Alexander Kasanof theksoi sërish mbështetjen e plotë të SHBA-ve ndaj SPAK-ut dhe bëri thirrje që prokurorëve të posaçëm t’u mundësohet, pas mbarimit të mandatit nëntë vjeçar, riaplikimi për të shërbyer përsëri në këtë fushë të vështirë.
Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Alexander Kasanof, mori pjesë sot në tubimin ceremonial të pesë vjetorit të SPAK-ut në Tiranë, ku deklaroi se “ky është institucioni publik më i besueshëm në Shqipëri”, që po bën “përpjekjen më të suksesshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në historinë shqiptare”, ndaj duhet siguruar vazhdimësia e kësaj lufte pa ndërprerje.
“Për t’u siguruar që SPAK-u do të vazhdojë pa ndërprerje luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të ardhmen, ne besojmë se prokurorët e SPAK-ut duhet të lejohen të aplikojnë për të shërbyer sërish pas përfundimit të mandatit të tyre aktual. Dështimi për të realizuar këtë, rrezikon të ndërpresë përpjekjen më të suksesshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në historinë shqiptare dhe rrezikon humbjen e profesionistëve tuaj më me përvojë e të njohurive të tyre institucionale”, tha ai.
Zëvendës-ndihmës Sekretari Kasanof tha se guximi dhe vullneti për të luftuar krimin dhe korrupsionin me energji të qëndrueshme janë sot po aq të rëndësishme sa në fillim të reformës në sistemin e drejtësisë, ndërsa këto rezultate janë thelbësore për rrugëtimin e Shqipërisë drejtë anëtarësimit në BE.
“Arrestimet, procedimet penale dhe dënimet tuaja të jashtëzakonshme, sikurse i keni parë këtu nga zoti Dumani, kundër atyre që dikur ishin të paprekshëm, flasin shumë. Puna juaj frymëzon besimin se prova do të ndiqet brenda kornizës së ligjit pavarësisht se ku, pavarësisht se drejt kujt çojnë hetimet. Asnjë nuk është mbi ligjin”, tha zoti Kasanof.
Ai theksoi se pavarësia e SPAK-ut mbetet vendimtare, por ky institucion nuk mund të zgjidhë i vetëm gjithë problemet e vendit, ndaj edhe institucionet e tjera duhet të tregojnë guxim, të ndërtojnë besimin e publikut dhe të veprojnë me integritet, sepse lufta kundër korrupsionit është detyrë për të gjithë.
Drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, u shpall 10 ditë më parë nga SHBA-të kampion për luftën ndaj korrupsionit. Ai tha sot se gjatë 5 vjetëve SPAK-u regjistroi 1 mijë e 809 procedime penale për afro 2 mijë e 496 persona.
“Askush nuk është më i paprekshëm, nëse e shkel ligjin dhe SPAK-u nuk është i njëanshëm. Ky është vetëm fillimi dhe vendosmëria e institucionit është e plotë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha zoti Dumani.