Sherr në PS. Ish-ministri Saimir Tahiri del hapur kundër Kryeministrit Edi Rama
Buxheti për institucionet e Vettingut ka nxjerrë pah divergjencat mes Partisë Socialiste. Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka dalë hapur kundër vendimit të Kryeministrit Edi Rama për uljen e fondeve dhe stafit për tre institucionet e reja që do të kryejnë reformën në drejtësi. Një ditë më parë Tahiri votoi kundër qëndrimit të PS në Komisionin e Ligjeve.
Por sot rezervat e tij i ka shprehur hapur edhe në mbledhjen që Kryeministri Edi Rama zhvilloi me deputetët e Partisë Socialiste. Tahiri tha se për reformën në drejtësi nuk duhet që PS të kursejë asnjë fond. Ish-ministri parashikoi se këto institucione, në rast të mos përmbushjes së detyrës, do të justifikohen në Kuvend duke thënë se qeveria nuk u dha mbështetje. Sipas Tahirit, dështimi i reformës do t’i faturohej Partisë Socialiste dhe Qeverisë së Edi Rama.
Rama nuk replikoi direkt me ish-ministrin, por ju përgjigj akuzave të PD dhe LSI për këtë çështje. Kryeministri tha se shifrat nuk janë ato që pretendohen nga partitë e opozitës. Por kritikat, tashmë nuk janë vetëm të PD dhe LSI, por edhe të një ish-ministri shumë të rëndësishëm në PS dhe në qeverinë e parë të Edi Ramës.
Qëndrimi i Saimir Tahirit edhe pse është një pozicionim parimor për angazhimin politik të PS për reformën në drejtësi, në fakt tregon më shumë për atë që po ndodh në Partinë Socialiste. Debatet në grupin parlamentar tregojnë për sherret dhe pakënaqësitë që ka krijuar Rama në ndarjen e pushtetit.
Ish-ministri Tahiri ka qenë më i akuzuari nga PD dhe nga LSI gjatë mbajtjes së detyrës. Edi Rama e mori shpreh herë në mbrojtje duke e cilësuar modelin e suksesit të qeverisë së tij. Por megjithë lëvdatat e pakursyera për Tahirit, në qeverinë e re Edi Rama nuk pati asnjë post për ish-ministrin e tij të preferuar.
Përjashtimi nga qeveria i Saimir Tahirit, në PS është parë si një goditje ndaj imazhit të ish-ministrit që është përgatitur për të bërë rrugë të gjatë në PS. Ndaj dhe Tahiri ka vendosur të reagojë kundër Kryeministrit, sipas mënyrës së tij.
Mbajtja larg qeverisë ka bërë që Tahiri të jetë aktiv në jetën partiake. Por këtë herë jo si mbështetës i flaktë i Ramës, por si kritizer i fortë i saj. Nismat e para të qeverisë jo vetëm i ka kundërshtuar në parim, por edhe i ka votuar kundër. Një akt ky, që nëse i referohemi “Kodit të Sjelljes” së PS mund të sillte dhe penalitete të rënda nga Rama. Por për momentin Kryeministri nuk e ka luksin të hapi sherre dhe të bëjë ndëshkime në PS, pasi më shumë se kurrë i duhet një grup parlamentar kompakt.
Rezerva ndaj qeverisë së re Rama ka dhe mes deputetëve të tjerë si Erion Braçe, apo emrave që edhe pse kanë karrierë të gjatë në PS, sot e shohin vetën të përjashtuar nga ndarja e pushteteve. Ky grup deputetësh duket se është e vetmja lëvizje që mund të mbaj nën kontroll qeverinë nga arroganca që çdo pushtet në mandatin e dytë e ka thuajse të pashmangshme.
Mbledhja e parë publike e grupit parlamentar të PS tregoi se Kryeministri ka venë në rresht qeverinë dhe partinë, por “timonieri” rrezikon që rrugës t’i dalin dhe deputetë që i kërkojnë të shkelë frenat.
DEBATET NË GRUPIN E PS PËR KOMISIONET E VETTINGUT
Edi Rama: Nuk do të thotë sa më shumë punonjës të kesh aq më shumë rezultat ke, përkundrazi dhe për më tepër në rastin konkret kur është fjala për vettingun, ne jo vetëm nuk do kursejmë asnjë burim që qeveria ka, por përkundrazi do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme. Ama asnjë tejkalim i kotë dhe abuziv nuk mund të pranohet me arsyen që kjo është një çështje e rëndësisë së veçantë.
Taulant Balla: Do i kërkoj kryetarit të Kuvendit dhe konferencës së kryetarëve që këto tre projekt vendime të hyjnë në seancën e ditës së enjte. Besoj se është e qartë. Sigurisht ka dhe një memo të përgatitur nga Komisioni i Çështjeve Ligjore për këtë çështje. Sigurisht ministri i Drejtësisë së bashku me Komisionin e Çështjeve Ligjore do të duhet që së bashku me ministrin të bëjnë sqarimet e tymnajë që do mundohet të ngrihet. Fakti është, që edhe pse janë parashikuar të jenë javën tjetër ne do të kërkojmë të kalojnë menjëherë sepse është shumë e rëndësishme që kjo strukturë që rregullohet me këto tre pr/vendime të jetë sa më efikase dhe gati menjëherë për të nisur punën.
Erjon Braçe: Lidhur me vendimin për vettingun për strukturat dhe pagat e tyre, kam përshtypjen që është një vendim që ka në mënyrë të qartë efekte financiare. Kësaj here u tejkalua por unë do ju kërkoj që herë tjetër të mos ndodhë më që vendime të tilla të mos kalojnë në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës.
Taulant Balla: Shumë e drejtë, por pa dashur tju tërheq vëmendjen të gjithë. Është cështje e procedurës parlamentare. Sigurisht sa herë që bëhet fjalë për pr/ligje apo pr/vendime me faturë financiare është detyruese dhe i tërheq vëmendjen shërbimeve të kuvendit më pas, sepse këtu nuk i kemi që kjo çështje të adresohet menjëherë.
Ndërhyn Bashkim Fino (Nuk dëgjohet sepse është pa mikrofon)
Erjon Braçe: Po të doni nuk e mbledhim Komisionin e Ekonomisë fare. Si të doni.
(Edi Rama bën me shenja për të tërhequr vëmendjen e Bashkim Finos dhe me mimikë i thotë: Je live. Bashkim Fino reagon ndaj Ramës, por nuk kuptohet sepse nuk ka mikrofon)
Edi Rama: Unë vetëm një kërkesë kam. Meqë mbledhjet e grupit janë live dhe do të bëhet live gjithmonë, thjesht me radhë.
Arben Ahmetaj: Ministria e Financave e ka debatuar në detaje strukturën. Është arritur nga 180 veta të zbresë në 113 veta, dhe jemi duke folur për shtesë mbi shtesë. Të gjithë komisionerët dhe stafi juridik do të paguhen me 100 % nga 2019 plus në pagë. Kërkohet struktura shtesë mbështetëse dhe shtesë mbi shtesë. Do të jetë mbi 100 %.
Saimir Tahiri: Ne nuk na shërben qasja e kontabilistit në historinë e vettingut dhe as nuk duhet parë si çështje financiare. Ne nuk mund të jemi të lirë në miell dhe të shtrenjtë në krunde kur vjen puna tek historia e vettingut.
Pse, sepse kemi marrë një vendim politik që duhet ta çojmë deri në fund, mbi të gjitha për të hequr justifikimin e atyre trupave që nesër mund të vijnë në parlament e të na thonë nuk na mbështetët prandaj nuk po bëjmë detyrën. E them këtë se ndoshta jo pa shkak, s’e di por dy nga institucionet deklaruan se ne nuk bëjmë dot me këtë buxhet. Unë sigurisht e di që propozimi i tyre duhej futur në një kornizë ligjore dhe kishte nevojë për të paktën për tu latuar, por kur këto institucione sot thonë nuk bëjmë dot detyrën, nesër çfarë do të na thonë?!
Ndoshta duhet parë me pak fleksibilitet nga ana jonë e ministria e Financave. Në mënyrë që nesër në seancë, jo pse kjo po kthehet në garë kush do më shumë trupat e vettingut por pse ne, duhet të heqim çdo justifikimi atyre njerëzve që janë mandatuar atje, nesër kur të na vinë në parlament të na thonë nuk e bëmë detyrën sepse pikërisht ju nuk na dhatë lekët. Ne nuk kemi asnjë lloj llogaridhënie me ata trupa, për shkak se kështu është ligji, por të paktën nga pikëpamja e mbështetjes buxhetore të kemi mundësi t’i kërkojmë llogari për atë që bëjnë dhe të mos fshihen pas vendimmarrjeve tona.
Arben Ahmetaj: Jam dakord me Saimirin në logjikë. Ftoj Saimirin të ulet me mua të shohë detajet. Ne i kemi dhënë mbështetjen maksimale strukturës nga ana financiare. Kemi ndërtuar së bashku me komisionin e ligjeve qoftë një strukturë materiale thelbësore, qoftë mbështetëse të plotë. Unë dua të theksoj: Jemi duke thënë do të kenë 100% rritje rroge që e kanë me ligj apo do të kenë 120, 150, apo 200 %. Jemi duke folur për mbështetje ekstra. Struktura është e plotë, ka logjikë funksionale. Është bërë më e mira e mundshme. Shifra shtesë është 242 milionë lekë. Është shtesë e konsiderueshme. Janë 18 milionë dollarë shtesë në 2019. Mos harroni se janë dhe të paktën 3- 4 institucione për tu informuar që kanë nevojë po për mbështetje financiare me struktura standarde.