Sherri mes forumeve rinore të PS e LSI. Ndërhyn IUSY: Festivalin e organizon LRI

Internacionalja e të Rinjve Socialistë (IUSY) ka ndërhyrë në debatin mes FRESSH dhe LRI-së për organizimin e festivalit të të rinjve të majtë nga e gjithë bota në Jalë. Në një deklaratë urgjente për mediat, IUSY shpjegon se aktiviteti në Jalë organizohet nga Lëvizja Rinore për Integrim. Sipas IUSY, Forumi Rinor Eurosocialist i PS-së ka vetëm rol mbështetës në këtë aktivitet.

Më herët FRESSH në një deklaratë zyrtare akuzoi LRI-në se po merre meritat e organizimit të një aktiviteti ndërkombëtarë pa të drejtë. Sipas FRESSH, aktiviteti ishte organizuar nga ata. Kësaj deklarate të FRESSH ju përgjigj deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj. Ajo deklaroi se Festivali Botëror i IUSYt 2017 në Jalë organizohet vetëm më kontributin e LRI-së dhe FRESSH ka qenë i ftuar në bazë të një marrëveshje mes drejtuesve të dy forumeve. Mehmetaj u kujtonte drejtuesve të FRESSH se edhe për një aktivitet të zhvilluar një vit më parë nuk kishin shlyer ende detyrimet financiare.

Për të sqaruar përplasjen mes të rinjëve të PS dhe LRI kanë ndërhyrë drejtuesit e Internacionalja e të Rinjve Socialistë (IUSY). Në deklaratën e IUSY sqarohet se kush është organizatori i takimit. IUSY konfirmon se roli i FRESSH është vetëm mbështetës në këtë aktivitet.  Deklarata është firmosur nga Presidenti i IUSY dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj.

Deklarata e bërë nga zyra e FRESSH ditën e sotme, ku të rinjtë e PS merrnin atributet e organizimit të aktivitetit, ka shkaktuar dhe reagimin e ashpër të drejtuesve të Internacionales së të Rinjëve Socialistë. Në qëndrimin e tyre ata theksojnë se “Deklarata për shtyp që ka dale sot ne mediat shqipëtare duke na cituar gabimisht dhe e atribuar FRESSH-it nuk ka as pëlqimin e as të dhënat nga ne dhe nuk përfaqëson konstruktivitetin dhe ambientin pozitiv mbi të cilin ky event po organizohet.”

Deklarata e plotë e Internacionales së të rinjve Socialistë, IUSY: “Internacionalja e të Rinjve Socialistë, organizata politike rinore më e madhe në botë, do të festojë përvjetorin e 110 të krijimit në Jalë, Shqipëri në datat 15-20 korrik në lidhje me Festivalin Botëror të IUSYt 2017 me temë “Ne nuk shohim kufi”.  Eventi mbahet nga LRI dhe suportohet nga FRESSH dhe Partia Europiane Socialiste. Ky Festival do të presë më shumë se 1000 pjesëmarrës nga e gjithë Bota, përfaqësues të 60 shteteve dhe 90 organizata, ky do të jetë një event që kërkon të diskutojë, debatojë dhe të nxjerrë konkluzione për mënyra se si të rinjtë progresiste të organizatave anëtarë të IUSY të mund të jenë “Në të gjithë botën për ta ndryshuar”.  Me vullnetin që të rinjtë të përfshihen në lidershipin e politikbërjes, Festivali do të ketë pjesëmarrës edhe liderë botërorë dhe gjithashtu Presidentin e zgjedhur të Shqipërisë dhe Kryeministrin; ku lider të IUSY, pjesëmarrës të festivalit do të mblidhen si të barabartë për të përkrahur progresivitetin dhe për të kapërcyer problemet globale. Deklarata për shtyp që ka dale sot në mediat shqiptare duke na cituar gabimisht dhe e atribuar FRESSH-it nuk ka as pëlqimin e as të dhënat nga ne dhe nuk përfaqëson konstruktivitetin dhe ambientin pozitiv mbi të cilin ky event po organizohet.”

SHKARKO APP