Shitja e detit nga Rama si Shën Naumi i Ahmet Zogut
Publiku shqiptar duhet të rrijë vigjilent ndaj marrëveshjes Bushati-Kotzias që të mos kemi një marrëveshje si ajo e ish-mbretit Ahmet Zogu me 26 korrik 1926 ku i shiti jugosllavisë Manastirin e Shën Naumit në këmbim të mbështetjes për të ardhur në pushtet duke rrëzuar qeverinë e Fan Nolit
Marrëveshja e re mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufirin detar ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik duke u kthyer në një debat kombëtar. Pakti i ri, fatmirësisht ende nuk është nënshkruar pasi për të arritur deri këtu duhet dhe firma e kreut të shtetit. Dje Presidenti Ilir Meta iu përgjigj interesit të mijëra qytetarëve për këtë çështje, duke dhënë garanci se në momentin që do të paraqitet para tij, kreu i shtetit do të vepronte vetëm në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve ndërkombëtarë.
Ndërkohë në opinionin publik janë ngritur dyshime të forta se kjo marrëveshje është negociuar, deri më sot, në mënyrë të disfavorshme për Shqipërinë. E thënë thjeshtë, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, dy personat që po merren me negociatat me Greqinë kanë toleruar palën greke duke i falur hapësira të konsiderueshme detare, pronë e shtetit shqiptar.
Edhe Marrëveshja e vitit 2009 mes ministrit Basha dhe ministres Bokojanis ishte problematike derisa e rrëzoi Gjykata Kushtetuese. Por në rastin e tanishëm deklarata e parë që ngriti dyshimet është ajo e ministrit të jashtëm grek, Niko Kotsias, i cili tha se territori i ujërave greke zgjerohet me 12 milje duke marrë nga deti shqiptar. Qeveria shqiptare duhet të jetë transparente në këtë pikë dhe publiku, media dhe depuetët shqiptarë të marrin informacion nga ministrit grek ku raporton para parlamentit grek. Praktikisht parlamentarët shqiptarë kanë më pak informacion se qytetarët dhe të rejat e fundit i marrin vesh vetëm nga ajo që deklarojnë autoritetet greke. Ministri grek thotë se marrëveshja është e favorshme për Athinën. Po Shqipëria çfarë ka fituar?
Ish-kryeministri Sali Berisha bëri një deklaratë që nëse rezulton se është e vërtetë mund të kemi të bëjmë me tradhti kombëtare. Sipas tij, nga pakti i negociuar nga Rama shtetit shqiptar i fal Greqisë zonën më naftëmbajtëse të detit Jon në Sarandë dhe krejt Mesdheut. Është e njëjta zonë për të cilën u bë debati edhe gjatë marrëveshjes së nënshkruar me Berishën, të cilën Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshme. Pra, kemi të bëjmë me një marrëveshje të re, që është dhe më e dëmshme për Shqipërisë sesa marrëveshja antikushtetuese e firmosur nga Sali Berisha. Edi Rama u nis të korrigjonte një vendim të Berishës dhe sipas gjasave ka lëshuar në tavolinë më shumë sesa kishim humbur me marrëveshjen e parë. Sigurisht Rama dhe Bushati thonë të kundërtën. Por deri më sot kemi vetëm fjalën e tyre përballë asaj të politikanëve të tjerë, që pretendojnë të kundërtën. Gëzimi grek për marrëveshjen krijon dyshime për humbje territori detar shqiptar dhe tamam në ato zona naftëmbajtëse dhe gazi në detin shqiptar, ku fshihen miliarda dollarë fitime më vonë.
Në foto: Ish-ministri i jashtëm Lulzim Basha me ish-ministren e jashtme greke pas nënshkrimit për detin (2009)
A mund të sqarohet një çështje kaq madhore vetëm me intervista të porositura televizive dhe deklarata Facebook-u të qeverisë? Heshtja e qeverisë dhe mungesa e informacionit vetëm sa u jep më shumë zë hamendjeve dhe teorive konspirative se ky pakt është një tjetër tradhti e radhës. Qeveria ka detyrimin tu tregojë shqiptarëve se ka mbrojtur interesat e vendit.
Ndërhyrja e Presidentit të Republikës Meta se do të zbatojë vetëm Kushtetutën dhe interesat e shtetit shqiptar është një garanci se nuk do lejohet qeveria shqiptare të bëjë pazare për shitje të territorit shtetror.
Publiku shqiptar duhet të rrijë vigjilent ndaj marrëveshjes Bushati-Kotzias që të mos kemi një marrëveshje si ajo e ish-mbretit Ahmet Zogu me 26 korrik 1926 ku i shiti jugosllavisë Manastirin e Shën Naumit në këmbim të mbështetjes për të ardhur në pushtet duke rrëzuar qeverinë e Fan Nolit.
Historia edhe mund të përsëritet!
Q.Xh.
Në foto: Nikolla Pashiç (Serbi) dhe Ahmet Zogu viti 1924 kur jugosllavët e sollën në pushtet, pasi kishte rënë dakort për t’ju falur toka shqiptare në këmbim të mbështetjes serbe. Me këtë rast Mbreti Zog u fali Manastirin e Shën Naumit dhe toka në veri.
Në foto: Ministri i jashtëm grek Kotzias dhe ministri jashtëm i Shqipërisë duke negociuar për detin e Shqipërisë