Shkarkimi si kryetar nga Këshilli Bashkiak, Veliaj: Procedurën nuk e cakton Sekretari i Përgjithshëm

Erion Veliaj i është përgjigjur me një shkresë zyrtare Këshillit Bashkiak lidhur me procedurën e iniciuar për shkarkimin e tij, që do të zhvillohet ditën e nesërme. Në dokumentin e firmosur prej tij, Veliaj thekson se nuk është informuar zyrtarisht nga sekretari i Këshillit për zhvillimin e mbledhjes së parashikuar, duke u njohur vetëm nga burime mediatike. Prej disa ditësh kryeministri Edi Rama propozoi shkarkimin nga detyra të Veliajt, ndërsa propozoi si kandidate të PS në garë, Ogerta Manastirliun.

Përgjigjja nga Erion Veliaj

Në përgjigje të shkresës nr. 32059/2 prot., datë 22.09.2025, me firmën e sekretarit të Këshillit Bashkiak, evidentojmë se nuk përmban vendimmarrjen me votim të Këshillit Bashkiak lidhur me garantimin e të drejtave kushtetuese të Kryetarit të Bashkisë në procedurën e shkarkimit të iniciuar ndaj tij, si organi që ka kompetencën për të vendosur mbi praninë, dëgjimin dhe mbrojtjen e Kryetarit të Bashkisë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sekretari i Këshillit Bashkiak nuk mund të marrë përsipër rolin e një organi kolegjial. Çdo komunikim i Sekretarit të Këshillit që shkon përtej funksioneve tekniko-administrative përbën tejkalim të kompetencës dhe cenim të parimit të ndarjes së funksioneve. Sekretari është një funksionar administrativ, jo organ politik me vendimmarrës në këtë procedurë. Kompetenca e tij kufizohet në sigurimin e infrastrukturës organizative të mbledhjeve; shpërndarjen e materialeve dhe njoftimeve; protokollimin dhe mbajtjen e procesverbaleve.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ai nuk ka asnjë tagër ligjor të japë udhëzime mbi mënyrën e realizimit të së drejtës për t’u dëgjuar apo për të interpretuar kërkesat e Kryetarit. Në një procedurë që mund të përfundojë me shkarkimin e Kryetarit, e drejta për t’u dëgjuar dhe mbrojtur e Kryetarit të Bashkisë, nga një organ kushtetues është thelbësore. Kjo e drejtë nuk mund të reduktohet në një njoftim formal të sekretarit të Këshillit Bashkiak lidhur me mundësinë potenciale për të sjellë një mbrojtje me shkrim.

Pavarësisht sa më sipër, nga përmbajtja e shkresës së dërguar nga ana e sekretarit të Këshillit Bashkiak, unë kryetari bashkisë vetëm informohem se Këshilli Bashkiak, ditën e nesërme, në orën 16:00, ka një mbledhje, pa u informuar zyrtarisht se për çfarë do të zhvillohet kjo mbledhje dhe cili është rendi i ditës së saj, si dhe nuk kam asnjë informacion zyrtar (përveç lajmit mediatik) lidhur me garantimin e së drejtës për t’u dëgjuar në këtë mbledhje, e cila edhe nëpërmjet kërkesës nga ana ime do të duhej të më ishte mundësuar kryesisht nga ana juaj.

Ende sot, një ditë përpara vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak, nuk jam informuar zyrtarisht nga ky këshill lidhur me mbajtjen e një mbledhjeje në të cilën do të vendoset lidhur me shkarkimin tim si Kryetar Bashkie, shkaqet e shkarkimit, materialet që më ngarkojnë me përgjegjësi, sqarimet përkatëse nga ana juaj, këndvështrimin e sqarimeve dhe provave nga ana ime lidhur me shkeljen e pretenduar dhe materialet mbi të cilat ajo mbështetet, dhe si rrjedhojë nuk më është krijuar mundësia për t’u mbrojtur, dhënë shpjegime dhe për t’u dëgjuar nga ky organ kolegjial, as fizikisht dhe as me shkrim. Për tërë këtë periudhë kam qenë i ndodhur në kushte e paraburgimit, bazuar në një masë sigurimi personale, mundësitë i kam të kufizuara.

Për sa më sipër, mbetem në pritje të vendimmarrjes me votim nga ana e Këshillit Bashkiak, për garantimin e të drejtave kushtetuese të Kryetarit të Bashkisë në procesin e iniciuar për shkarkimin e tij.

KRYETARI, Erion Veliaj

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?