Skandal/Kuvendi falsifikon dokumentet e partive që hyjnë në zgjedhje

Që në nisje të procesit farsë të zgjedhjeve të 30 qershorit janë vënë re falsifikime dhe manipulime skandaloze që po kryhen nga institucionet më të larta shtetërore.

Konkretisht Andi Përmeti, i cili mori mandatin e deputetit më 25 prill dhe u deklarua i pavarur, ka përdorur firmën e tij për të regjistruar partinë Bindja Demokrate në zgjedhjet e 203 qershorit. Shkelja ligjore qëndron në faktin se Parlamenti ka lëshuar dokument që “vërteton” se Andi Përmeti ka gjashtë muaj deputet, kur në fakt ende nuk ka mbushur një muaj nga marrja e mandatit.

Shkelja e dytë e Parlamentit në dokumentin që ka lëshuar është se deputetin Andi Përmenti e cilëson deputetët të partisë Bindja Demokratike, kur në fakt gjatë betimi, Përmeti është deklaruar i pavarur.

Lidhur me këto shkelje kanë reaguar përfaqësuesit e opozitës. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, në një deklaratë për mediat denoncoi manipulime që po bëhen nga institucionet kushtetuese qeveria për zgjedhjet e 30 qershorit. Ai tha se ky dokument është një turp i parlamentit dhe provë se zgjedhjet e 30 qershorit janë farsë.

Kjo qeveri, për të justifikuar farsën e zgjedhjeve ka arritur në skandale të tilla sa, këtu kemi një dokument, i cili është turpi i të gjithë këtij pushteti ku një kandidat për deputet, i cili kërkon të mbështesë një nga partitë e krijuara tani së fundmi në furrikun e Edi Ramës, Andi Përmeti, i cili ka një mandat prej më pak se 4 javësh, e ka marrë në 25 Prill, ka bërë betimin e tij. Raportohet nga Kuvendi i Shqipërisë, nga Parlamenti monist i shkatërruar, i përdhunuar i këtij vendi sikur ka 6 muaj si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, pra 4 javë dhe këta e deklarojnë sikur 6 muaj. Një turp të tillë fiksojeni shumë në mendje të nderuar qytetarë, të kuptoni se ç’të paturp e qeverisin këtë vend”,- tha Vasili.

Ndërsa Sekretari Ligjor i PD, Ivi Kaso, në një deklaratë për mediat tha se kryeministri, Edi Rama po përdor çdo mjet, po shkel ligjin zgjedhor dhe po manipulon procesin ende pa nisur për llogari të paterices së tij, Bindjes Demokratike. “Sipas ligjit që një kandidat i një partie politike të regjistrohet nga KZAZ dhe KQZ në zgjedhje, duhet të paraqesë një vërtetim që partia politike zotëron një mandat deputeti të paktën 6 muajt e fundit. Në të kundërt, duhet të mbledhë firma nga votuesit e secilës zonë, ku kandidon. Bindja Demokratike nuk përmbush asnjërin nga të dy kushtet ligjorë. Partia e krijuar në paradhomën e Edi Ramës ka paraqitur kandidatë fallco në zgjedhjet fallco me një vërtetim fallco nga Kuvendi i Shqipërisë. Në një akt të paprecedentë, për llogari të Edi Ramës, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka falsifikuar dokumentet zyrtare, duke lëshuar për partinë fantazëm të Edi Ramës një vërtetim, sikur përfaqësohet në Kuvend nga një deputet që ka 6 muaj që ushtron mandatin e tij. Bëhet fjalë për deputetin Andi Përmeti, i cili nuk ka mbushur as 1 muaj në marrjen e mandatit”,- deklaroi Ivi Kaso.

Nga ana e Parlamentit nuk ka pasur asnjë reagim për dokumentin që tregon hapur falsifikimin e kohës kur deputeti ka marrë mandatin. Ndërsa Bindja Demokratike e Astrit Patozit, e cilësoi si të ligjshme procedurën dhe akuzon opozitën se po kërkon të dëmtojë forcën e tyre politike.

Në një reagim për mediat, Patozi tha se veç firmës së Përmetit është dhe firma e deputetit Lefter Koka. “Sqarojmë publikun se BINDJA DEMOKRATIKE mbështetet jo nga një, por nga firmat e dy deputetëve për të garuar dhe kandiduar në gjithë Shqipërinë. Ata janë zotërinjtë Lefter Koka dhe Andi Përmeti, dhe për këtë ekziston e gjithë praktika e depozituar në KQZ”, shprehet Patozi.

Por pavarësisht qëndrimit politik të Bindjes Demokratike, dokumenti i lëshuar nga Kuvendi ngre dyshime për gjithë procedurën e ndjekur, jo vetëm për këtë parti. Lefter Koka nuk është anëtarë i Bindjes Demokratike dhe si i tillë, firma e tij për regjistrimin e partisë nuk është ligjore.

Një dokument i tillë vë në pikëpyetje gjithë procesin e Kuvendi me partitë e reja si dhe vendimmarrjen e KQZ për partitë që ka regjistruar aktualisht në garë.

SHKARKO APP