Adriatik Llalla: Hetoni politikanë dhe zyrtarë për kultivimin e drogës
Kryeprokurori i Republikës Adriatik Llalla ka hapur fushatë hetimi edhe për politikanët dhe zyrtarët e lartë që janë pas grupeve kriminale të drogës. Gjatë analizës së punës në Shkodër, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla kërkoi që hetimi i kultivimit të kanabisit të arrijë deri tek zyrtarët që ofrojnë mbështetje.
“Pavarësisht operacioneve periodike policore, nuk janë zbuluar personat përgjegjës për këto vepra penale. Do të kërkoj nga ju që të shqyrtoni çdo informacion dhe të zhvilloni hetime proaktive për këto raste, me qëllim zbulimin e autorëve, por edhe të personave zyrtarë që mund t’i mbështesin” tha Llalla.
Kreu i organit të akuzës, kërkoi nga prokurorët të hetojnë edhe prerjen e paligjshme të pyjeve në Lezhë dhe Pukë: “Prokuroria e Pukës dhe e Lezhës, duhet të vijojë të jetë më aktive në hetimin e veprave penale të dëmtimit të pyjeve. Këto zona kanë hapësira të mëdha pyjore, e cila është një trashëgimi natyrore që duhet ruajtur.
Qeveria shqiptare ka marrë përsipër një Moratorium për ndalimin e prerjes së pyjeve dhe ju takon ju si prokurorë të orientoni oficerët e policisë gjyqësore të institucioneve të tjera, që të hartojnë në mënyrën e duhur ligjore referimet për rastet e shkeljeve të tilla ligjore” tha Llalla. Flitet se pas kultivuesve të drogës janë disa deputetë dhe zyrtarë të lartë, por akoma nuk ka ndonjë arrestim ndër këta politikanë.