Shkodra po e rishkruan historinë e saj të madhështisë

Albert Vataj

Pse vetëm Tirana, të pushtohet nga turistët e huaj. Jo, edhe Shkodra ka se çfarë t’u ofrojë atyre. Edhe ajo ka ditur dhe do të dijë t’i presë dhe t’i përcjellë, për të qenë vazhduese e një historie të gjatë dhe lavdiplotë si kryeqendër e Shqipërisë.

Nuk janë vetëm turistët e huaj, që sa vijnë dhe shtohen, duke e futur Shkodrën në hartën e vendeve të preferuara, është vetë Shkodra që e meriton të ishte dhe të jetë “Shtëpia e Zotit dhe e mikut!”.

Shkodra, po rishkruan historinë e saj, po shpalon faqet e vërdhemta të së shkuarës, për të treguar se ishte ajo që priu, që priti dhe përcolli, jo vetëm ambasadorë dhe konsuj, ndërlidhi shtete dhe kontinente, shënjoi si një piketë në enciklopeditë e botës. Jo vetëm kaq ajo u bë nyja lidhëse e gjithë Veriut, por edhe e çdo cope të trojeve shqiptare, duke qenë sofër e shtruar për të gjithë miqtë dhe pushkë e mbushur për krejt hordhitë.

Të gjitha rrugët, nga deti, liqeni, mali, fusha, të gjitha të çonin në Shkodër. Të gjitha ndalesat ishin në Shkodër dhe prej aty nisnin të gjitha rrugët e gazetarëve dhe fotografëve, antopologëve dhe historianëve, arkeologëve dhe studiuesve, aventurierëve dhe artistëve, hulumtuesve dhe eksploratorëve. Të gjithë u nisën prej aty dhe shkruan faqet më të qenësishme të historisë së Shqipërisë, në kohë të vështira e të trazimta. Në Shkodër u pagëzuan krejt lindjet dhe në prehrin e saj u rritën më të zëshmit e krenarisë shqiptare.

Edhe sot, sot ajo po kthehet, po i jep shkodranëve Shkodrën, nga vullneti i mirë dhe përpjekjet e vazhdueshme të kryebashkiakut, Benet Beci, i cili erdhi me premtime dhe po dëshmon me përmbushje dhe arritje çdo ditë e më impresionuese, për ta bërë Shkodrën atë që ajo meriton.

Beci sot në rrjetet e tij sociale ka ndarë një postim ku tregohen turistët e huaj që vizitojnë qytetin dhe kthejnë shanset e Shkodrës kryeqendër.

Dihet tashmë, se Shkodra është një nga destinacionet më të preferuara nga turistët që vizitojnë Shqipërinë për shkak të historisë së saj të pasur, peizazheve natyrore dhe kulturës së veçantë. Qyteti ka disa atraksione të njohura si,Kalaja e Rozafës, një kështjellë e lashtë me histori dhe legjenda të shumta, e vendosur në një kodër që ofron pamje mbresëlënëse të liqenit të Shkodrës dhe lumenjve Drin dhe Buna.

Jo më pak në këtë dëshirim ëshirim është edhe Liqeni i Shkodrës, një ndër liqenet më të mëdha të Ballkanit, ku turistët mund të shijojnë natyrën, të bëjnë shëtitje me varka dhe të eksplorojnë ekosistemin e pasur.

Ura e Mesit, është një logo, një urë guri e ndërtuar gjatë periudhës osmane, që tërheq vizitorët për arkitekturën e saj dhe peizazhin natyror që e rrethon.

Shkodra gjithashtu ka një qendër qyteti me rrugica të ngushta dhe shtëpi tradicionale, që e bëjnë një vend ideal për shëtitje dhe njohje më të thellë me kulturën lokale. Janë pikërisht këto damarë nëpër të cilët kalon gjaku i vërshimtë i pulsit të qytetit.

Ikonike për Shkodrën është patjetër Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, një muze unik që ruan një arkiv të pasur fotografish nga familja Marubi dhe historia e Shqipërisë.

Përveç këtyre, Shkodra është një pikënisje për të eksploruar Alpet Shqiptare dhe Luginën e Thethit, që tërheqin shumë adhurues të aventurave në natyrë.

Duke ju referuar shifrave shtojmë se deri në vitin 2024, Shkodra pritet të ketë rreth 700,000 turistë, duke shënuar një rritje prej 30% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo rritje lidhet me interesin në rritje të turistëve, si vendas ashtu edhe të huaj, për bukuritë natyrore dhe atraksionet historike të qytetit, përfshirë Thethin dhe zonat e tjera malore të preferuara. Autoritetet lokale kanë vendosur që sezoni turistik të jetë aktiv gjatë gjithë vitit, me disa ngjarje si festat e dimrit dhe karnavalet që kanë sjellë një bum vizitorësh. Për më tepër, Shkodra po zhvillon një brand të ri turistik dhe një faqe interneti për të lehtësuar informimin e turistëve.

Kjo shifër e lartë tregon se Shkodra po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në hartën turistike të Shqipërisë.

Gjallërimi i jetës së natës, vijimi i traditës shkodranë në sferat e ndryshme, dinamizmi që ka pësuar qyteti nga përfshirja në këto kapacitete përfaqësimi, bëjnë që Shkodrës t’i kthehet krenari dhe madhështia e merituar.

Kjo është Shkodra që shkojmë ta shohim dhe ta shijojmë, kjo është ajo që gjejnë dhe preferojnë turistët.

SHKARKO APP