Unioni i gjyqtarëve:E paprecedentë kjo e Erion Veliajt, presion me turma !
Pas protestës së zhvilluar para Gjykatës së Apelit Administrativ në Tiranë , ku morën pjesë qytetarë, deputetë të PS-së dhe kryetari Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili foli ashpër kundër një vendimi i cili pritej të jepej nga kjo gjykatë, ka reaguar fort shoqata e gjyqtarëve.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat ky organizëm thotë se e respekton të drejtën e protestës së gjithkujt, por ngre shqetësimin në lidhje me ushtrimin e trysnisë ndaj gjithë trupës gjyqësore të Gjykatës Administrative të Apelit lidhur me çështje konkrete, të cilat janë ende në gjykim.
Ja deklarata e tyre:
Në datën 11.05.2016 përpara godinës ku ushtron veprimtarinë e saj Gjykata Administrative e Apelit, u mbajt një protestë e cila filloi në orën 10:30 dhe zgjati deri në orën 13:15.
Nga mediat kemi marrë dijeni se protestën e ka thirrur dhe organizuar Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj. Duke respektuar të drejtën e protestës së gjithkujt, në format dhe mënyrat që parashikon ligji, ngremë shqetësimin tonë në lidhje me ushtrimin e trysnisë ndaj gjithë trupës gjyqësore të Gjykatës Administrative të Apelit lidhur me çështje konkrete të cilat janë ende në gjykim. Ushtrimi në këto përmasa i trysnisë ndaj gjykatës, nga palë ndërgjyqëse, qofshin këto edhe institucione shtetërore është i paprecedentë. Mënyra e zhvillimit të kësaj proteste përpara godinës së gjykatës jo vetëm ka penguar funksionimin normal të veprimtarisë së Gjykatës Administrative të Apelit për disa orë, por ka cenuar në mënyrë të padrejtë imazhin e gjykatës. Në këto rrethana, kërkojmë nga organet kushtetuese vendimmarrëse në lidhje me gjykatat, që të ushtrojnë autoritetin e tyre kushtetues dhe ligjor për të ndërprerë çdo lloj trysnie ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Administrative të Apelit. Lutemi gjithashtu organizmave ndërkombëtarë që veprojnë në Shqipëri që të mbikëqyrin situatën dhe të ushtrojnë sadopak ndikimin e tyre për eleminimin e çdo forme të presionit ndaj Gjykatës Administrative të Apelit.