Shoqatat e gazetarëve: SOT, protestë kundër ligjeve të qeverisë “Rama”

Organizatat e mediave dhe shoqërisë civile, në një njoftim për mediat mbrëmjen e djeshme deklarojnë se sot në orën 09:30 do të zhvillojnë protestë kundër ligjeve të medias, para parlamentit.

Organizatat e pavarura citojnë qëndrimin e Komisionit Europian dhe Këshillit të Europës, të cilët sot kanë kritikuar ashpër projektligjet e qeverisë “Rama”. Shoqatat ftojnë kolegët e mediave t’i bashkohen protestës kundër paketës antishpifje. “Ne i kërkojmë qeverisë të pranojë vërejtjet e Komisionit Europian si dhe kërkesën e Komisioneres Mijatovic që specifikisht thotë: “interneti të mbetet i hapur dhe forum publik dhe që të mbizotërojë vetërregullimi në media, përfshirë median online”,- thuhet në deklaratë.

Deklarata e plotë e organizatave të shoqërisë civile

Organizatat e shoqërisë civile shqiptare të të drejtave të njeriut dhe organizatat përfaqësuese të gazetarëve të renditura më poshtë falënderojnë Komisionin Europian dhe Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë si dhe Komisioneren e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic për kontributin që kanë dhënë gjatë këtyre ditëve të tensionuara në mbrojtje të lirisë së shprehjes në Republikën e Shqipërisë.

Organizatat vërejnë se kërkesat tona në lidhje me të ashtuquajturën “paketë anti-shpifje” janë tërësisht të përputhura me qëndrimet e Komisionit Europian dhe Komisioneres Mijatovic si më poshtë:

  1. Nuk mund të ketë regjim rregullimi administrativ për median online, por regjime të tilla janë të pranueshme por jo të detyrueshme vetëm për median audiovizuale;
  2. Një institucion administrativ si AMA nuk mund të zëvendësojë gjykatat në shqyrtimin e ankesave ndaj përmbajtjes së një publikimi;

Për sa më sipër, organizatat përsërisin kërkesën ndaj qeverisë shqiptare të tërheqë projektligjet nga procedura parlamentare.

Ne i kërkojmë qeverisë të pranojë vërejtjet e Komisionit Europian si dhe kërkesën e Komisioneres Mijatovic që specifikisht thotë: “interneti të mbetet i hapur dhe forum publik dhe që të mbizotërojë vetërregullimi në media, përfshirë median online.”

Organizatat theksojnë se në rast se shumica parlamentare do të votojë në kundërshtim të kërkesave të Komisionit Europian këto projektligje, beteja do të vijojë deri në rrëzimin e plotë të çdo tendence anti-demokratike dhe anti-europiane.

SHKARKO APP