Shoqeri në depresion/ Kur të marrin jetën për një karikues celulari !

E tmerrshme. Të të vrasin për një karikues telefoni!

Marvi Mihali, 22 vjeç nga Tirana humbi jetën mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:30 pranë stadiumit “Dinamo”. Ai u godit me thikë nga 24 vjeçari Eugen Bitraj. Policia tha se sherri mes të rinjve ku u përfshinë disa persona ndodhi për motive banale.

22-vjeçari u gjet në rrugë me plagë të shumta thike në trup. Ai u dërgua në spital, por nuk arriti të mbijetojë. Sakaq policia arrestoi brenda natës autorin e krimit dhe bashkëpunëtorët e tij.

Sipas policisë sherri ka nisur në fillim në lokal mes 19 vjeçarit Dejvi Bitraj dhe 22 vjeçarit Marvi Mihali për një karikues telefoni. Mësohet se Marvi kishte blerë një telefon te Dejvi dhe po i kërkonte edhe karikuesin.

19 vjecari e ka terhequr jashtë Marvin në parkingun e makinave të lokalit dhe pasi janë rrahur ka thirrur në ndihmë kushëririn dhe shokët e tij. Në ndihmë të Dejvit kanë shkuar Eugen Bitraj, Kridens Alla,19 vjeç dhe Marsel Alla, 23 vjeç.

“Gjatë konfliktit shtetasi Eugen Bitraj, ka nxjerrë thikën dhe ka goditur shtetasin Marvi Mihali, i cili për pasojë ka gjetur vdekjen në spital”, tha policia.

Të gjithë personat që rrahën dhe më pas i morën jetën të riut janë vënë në pranga nga policia, dhe akuzohen për vrasje, bashkëpunim në vrasje kryer në bashkëpunim dhe me paramendim. 22-vjeçari ishte student në një universitet privat dhe djali i vetem i familjes Mihali.

Janë të shumta rastet kur vriten apo gjakosen të rinjë për një fjalë goje, për shikim apo për një fërkim makine. Ndodh edhe për një karikues telefoni celular të të ik jeta. E pabesueshme se si shoqëria shqiptare po shkon drejt një krize dhe mungese kulture totale. Në vend të sqarimit apo fjalës përdoret thika, arma.

Nuk besoj se mund të ketë shoqeri tjetër në Europën Juglindore si kjo e Shqipërisë; një shoqeri pa ligje, pa rregulla, pa etikë, një shoqeri e pa kulturuar, bile dhe vrasëse për një fjalë goje.

Një shoqeri e cila vetëm rëndohet në drejtimin më të keq të fjalës. Eshtë alarm i madh për të gjithë. Po rrisim një brez që nuk shkon në shkollë ose shkon dhe vetëm drogohet apo shan mësuesit; po rritim një brez të rinjsh pa përspektivë jete normale, po rrisim një brez që po mëson më të keqen e politikës.

S.P

Në foto: Majtas me syze, viktima Marvi Mihali; djathtas autori i krimit Eugen Bitraj

Foto: Rruga Gjin Bue Shpata, prane stadiumit Selman Stermasi në Tirane, vendi ku ndodhi ngjarja

SHKARKO APP