Vasili: U qeverisëm 4 vite nga një i çmendur si Rama, t’i tregojmë vendin!

Retorikës së ashpër të ditëve të fundit nuk i ka munguar as kreu i LSI-së Petrit Vasili, i cili sot nga Gjirokastra tha se në këto 4 vite u qeverisëm nga një i çmendur, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama.

“Këta duan skllevër, këta duan ta kthejnë Shqipërinë në një sokak të Rilindjes së rivdekur. Ne do t’i tregojmë vendin me 26 qershor Ramës, se ne kemi nevojë për lirinë tonë, demokracinë tonë dhe këto 4 vite u qeverisëm nga një i çmendur, si Rama”,– tha Vasili.

Petrit Vasili gjithashtu premtoi se ndryshe nga qeveria Rama, LSI do të mbështesë turizmin e bujqësinë duke ulur taksat. “LSI do të ofrojë mbështetje të plotë për turizmin duke zeruar taksat. Jo më taksa për të zmadhuar tepsinë qeveritare,” u shpreh kreu i LSI-së.

Akuza e Petrit Vasilit mbetet akuza më e rëndë që Edi Ramës i është bërë në këto 27 vite, qëkur Rama njihet në publik. Realisht akuzë e rëndë!

Fjala e plotë e kryetarit të LSI-së, Petrit Vasili në takimin e Gjirokastrës: Forcë e parë, sepse Shqipëria ka nevojë të marrë frymë. Të gjithë kanë nevojë të marrin frymë, në radhë të parë ekonomia e këtij vendi, që është kapur për gryke ka nevojë të marrë frymë. Gjirokastra e njerëzve të zgjuar e ndjen më shumë se kurrë lakun në fyt, dhe unë, në çdo cep të Shqipërisë dhe në çdo vend e në çdo fshat kam në dorë vetëm një gjë: Planin e LSI-së për Shqipërinë e ardhshme. Nuk qeveriset Shqipëria pa një plan. Nuk qeveriset Shqipëria pa objektiva. Nuk qeveriset Shqipëria me tepsi.

Prandaj, nga ky shesh, ku është bërë historia, ne do të bëjmë historinë e transformimit ekonomik të këtij vendi dhe kjo histori fillon nga taksat tre here më të ulëta për bizneset deri në 20 milionë lekë, taksat dy here më të ulëta për bizneset deri në 100 milionë lekë, 40% më të ulëta për ato mbi 100 milionë lekë. Një ekonomi që ka dy motorë të mëdhenj të pashfrytëzuar por të lënë qëllimisht në harresë, në prapambetje, për të mos i dhënë frymë këtij vendi. Kemi dy rezerva gjigante: kemi një bujqësi dhe një turizëm që e transformojnë Shqipërinë.

Prandaj, jo sot, por nesër në 26 qershor bujqësia e këtij vendi, bujqësia e Gjirokastrës, bujqësia e gjithë Shqipërisë do të ketë që në vitin e pare 250 milionë euro që bujqërit dhe fermerët shqiptarë të transformojnë veten e tyre. TVSH-ja e të gjithë produkteve bujqësore do të jetë zero. Tatimi mbi fitimin do të jetë zero, që fermeri të punojë për veten e tij, për fëmijët e tij, për familjen e tij, jo për taksidarët e pashpirt që ia rrëmbejnë paratë dhe nuk i japin asnjë ndihmë.

Njerëzit e mendjes, nga të cilët ka plot në Gjirokastrën e mençur, kanë nevojë për frymëmarrje. Taksa mbi pagën, mbi gjakun e tyre, do të jetë dy here e gjysmë me e ulët, sepse Shqipëria ka nevojë për mendjen e tyre. Ka nevojë të eci përpara. Nuk ka nevojë që njerëzit e mendjes të taksohen si në feudalizëm e këto para, ky mendje, ky gjak, kjo djersë të venë në xhepat e taksidarëve për të zmadhuar tepsinë e tyre të madhe apo për t’i hedhur në sokaqe qytetesh pa vlerë dhe kuptim. Ne nga ky qytet, që ka një histori të jashtëzakonshme, do të fillojmë rindërtimin e një turizmi nga themelet.

Sepse është një pasuri gjigante që fle, që e kanë kapur për fyti, që e sabotojnë përditë. Nuk duan që të ecim përpara, sepse duan që njerëzit të jenë të varfër, të jenë skllevër, kurse me një turizëm që ne e mbështesim me fond kombëtar, me masterplan kombëtar, me taksa zero për gjithë agroturizmin e kësaj zone të mrekullueshme, i kthejmë përfundimisht gjirokastritëve dhe rinisë shqiptare, në zot të ekonomisë së tyre, në zot të fatit të vet dhe jo në skllevër të këpucëve të pushtetit, sepse këta skllevër duan, jo njerëz të lirë.

Këta duan ta shndërrojnë Shqipërinë në një hajdutllëk sokaqesh. Ju e keni pare që të gjithë këto para që duhet t’i shkonin bujqësisë, gjithë këto para që duhet të shkonin për rezorte për turizëm, gjithë këto para që do të ndihmonin shumë mire biznesin e vogël dhe gjithë shtresën e mesme që vuan së tepërmi, i kanë kthyer në sokakë pakuptim të rilindjes së rivdekur.

E kjo rilindje e rivdekur në vend t’i kthejë këto para, i kthen në sokake. E po ua them edhe nga sheshi i Çerçizit siç ua thashë në Tiranë dhe mbajini mend: ato kulla që kanë ngritur, si Kulla e Korçës që ka shëmtuar një qytet të mrekullueshëm, duhen vetëm për një gjë, që të kujtojnë një kohë të çmendur që u qeverisëm nga një i çmendur. Ne, më 26 qershor e përzëmë, i tregojmë vendin. Sepse ne kemi nevojë për rininë tone, për ekonominë tone, për LSI-në tone, që është jo vetëm forcë e parë, forcë e paparë, por edhe forca që duhet për çdo shqiptar.

LSI forcë e parë, në Gjirokastër force e pare, në Kukës, në Sarandë, në të gjithë Shqipërinë forcë e parë. S’ka si të jetë ndryshe! Rroftë Gjirokastra. Përpara për fitoren e Vangjel Tavos, mikut, vëllait, shokut e tërë skuadrës së deputetëve të Gjirokastrës që janë krenari e qytetit dhe krenari për të tërë Shqipërinë.

SHKARKO APP