Shqipëria e vendosur vetëm me NATO-SHBA dhe loja e Ramës me “të tretët”!

-Pak ditë pasi firmosi me Edi Ramën të ashtuquajturin “Shengeni ballkanik” kryeministrja e Serbisë nënshkroi marrëveshjen me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik që drejtohet nga Rusia dhe është kundër BE. A mos është lojë serbe “shengeni ballkanik” për mallrat ruse në Shqipëri, duke spostuar SHBA?!

 

Mos hapja e negociatave me BE ishte një dështim i qeverisë “Rama” me pasoja të rënda për vendin. Në vend të reflektimit dhe kapjes së kohës së humbur, kryeministri po tenton që këtë refuzim ta përdor për luftë politike të brendshme dhe për diversione rajonale. Frika kryesore e vendeve të BE që janë pro zgjerimit është se pas vetos së Francës, në Ballkan do të rritet ndikimi i Rusisë dhe Kinës. Kjo është dhe arsyeja kryesore pse në debatet që janë zhvilluar këto javë në BE, asnjëherë nuk është folur hapur për problemet që ka me krizën politike dhe kushtetuese, Shqipëria. Pra, BE mendon se problemi gjeostrategjik i Ballkanit është më i rëndësishëm sesa kriza politike dhe çështjet e tjera me të cilat përballet sot Tirana. Për këtë arsye, mbështetja ndaj qeverisë “Rama” dhe Shqipërisë nga vende si Gjermania, Italia e etj, ka qenë e pakursyer, pavarësisht se janë të vetëdijshëm për problemet që janë në Tiranë. Ndërkohë Franca vendosi veton për arsyet e saj, por edhe për shkak të krizës politike që ka Shqipëria. Duke kuptuar se frika kryesore e BE-së është futja e faktorëve si Rusia dhe Kina në rajon, Edi Rama po luan këto kohë me këtë kartë. Në mediat afër qeverisë, por edhe në fjalimet e zyrtarëve të rëndësishëm të mazhorancës, gjithnjë e më shumë kanë zënë vend këto teza. Por duke qenë se vet nuk e thonë dot se “jemi gati të kërkojmë aleatë të tjerë”, në mënyrë diabolike kanë zgjedhur që të fabrikojnë skenarë sikur është opozita ajo që është e interesuar drejt një ndryshimi kursi në partneritetin strategjik. Skema e parë që kanë gati është ajo e “denoncimit për paratë ruse në PD”. Është një skenar i ndërtuar në mënyrë të trashë, me ndihmën edhe të disa mediave të paguara, ku lobimi i PD-së në SHBA paraqitet si një financim rus. Por mazhoranca ka shkuar edhe më tej, duke akuzuar jo vetëm kreun e PD-së, por gjithë aksionin e opozitës gjatë vitit të fundit si një skenarë që lidhet me faktorë të tjerë që duan të destabilizojnë Shqipërinë. Kur opozita protestonte para Kuvendit, kur qytetarët mblidheshin me qindra mijë para Kryeministrisë, raportet e brendshme të qeverisë për një pjesë të diplomatëve, hidhnin dhe aludime se pas kësaj krize dhe këtij reagimi ishin interesa që lidheshin me Rusinë apo faktorë të tjerë. Tashmë që kanë dështuar negociatat, për faj të Edi Ramës dhe jo të opozitës, sërish kjo skemë me “armiq të jashtëm”, po përdoret sërish nga mazhoranca. Skema të tilla që bëjnë BE-në të rrisë dyshimet ndaj zhvillimeve në Shqipëri dhe synojnë të shkatërrojnë në sytë e ndërkombëtarëve, opozitën, janë jo vetëm të dëmshme për vendin, por edhe të rrezikshme. Në këtë mënyrë, Rama do të thotë se vërtetë qeveria e tij është e dështuar, por opozita apo një pjesë e shoqërisë kanë lidhje të dyshimta që rrezikojnë gjithë proceset e integrimit. Ndërkohë e vërteta është ndryshe. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë projekt më të rëndësishëm kombëtar se aleanca strategjike me SHBA, NATO dhe integrimi në Bashkimin Europian. Në çdo sondazh më shumë se 90 % e shqiptarëve janë pro integrimit dhe kundër projekteve të tjera strategjike. Asnjë pjesë e shoqërisë nuk ka dilema lidhur me këto objektiva. Aq më pak opozita, ku çdo partie e saj, projektin më të rëndësishëm vlerëson integrimin dhe aleancën strategjik mes SHBA.

Nëse duhet të flasim për rreziqe reale, pas dështimit të negociatave, ato duhen parë në tjetër drejtim. Sinjali më i gabuar që është dhënë këto kohë është nënshkrimi i marrëveshjes mes Shqipërisë-Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për “Mini Shengenin Ballkanik”. Projekti u quajt nga Edi Rama si një zhvillim që synon të integrojë vendet e rajonit, por në fakt po rezulton tjetër gjë. Marrëveshja synon liberalizimin e tregjeve mes Shqipërisë dhe Serbisë, por në favor të Serbisë dhe mallrave ruse që hyjnë në Beograd. Pak ditë pasi firmosi me Edi Ramën, kryeministrja e Serbisë firmosi marrëveshjen me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik. Ky union është drejtohet nga Rusia dhe ideuar si rivalitet i BE-së. Me këtë marrëveshje Serbia ka hapur dyert për mallrat ruse, pasi ka konfirmuar nga Edi Rama marrëveshjen e tregtisë. Pas këtyre zhvillimeve nuk dihet nëse Rama ka hapur dyert për ekonominë serbe apo indirekt dhe për mallrat ruse. Projekte të tilla të qeverisë “Rama”, të pa konsultuara as me opozitën dhe as me Kosovën, janë devijime serioze të politikës së jashtme. Ndërkohë që Shqipëria i ka të qarta objektivat për në BE, aleancën strategjike me SHBA dhe NATO.

Mili Xhani

SHKARKO APP