Shqipëria në grupin e “ferrit” dhe të “sherrit”

Editorialin e shikoni duke klikuar videon!

Shqipëria në grupin e “ferrit” dhe të “sherrit”

Më keq se kaq nuk mund të shkonte. Shqipëria ka mësuar sot rivalët për në kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Shorti është treguar “mizor” pasi do të kemi dy përballje të ndezura me Serbinë dhe dy “beteja” shumë të vështira kundër Anglisë. Dy ekipet e tjera në grup, Letonia dhe Andorra, të paktën në letër janë lehtësisht të kalueshme.

“Tre Luanët” janë një nga skuadrat më të vështira për kuqezinjtë, sidomos në fazën eliminatore aty ku rrallë herë lënë pikë, ndërsa me Serbinë jemi ndeshur në eliminatoret e Europianit të vitit 2016. Në atë përballje të Beogradit, e cila u përfshi nga trazira të shumta, takimi u ndërpre dhe Shqipëria e fitoi në tavolinë 0-3.

Do të jenë sfida ku nuk do të mungojnë përleshjet fizike mes tifozerive. Tifozët serbë në fakt do të jenë shumë të angazhuar, pasi priten trazira edhe kundër Anglisë. Për të mos u harruar janë përleshjet masive që ndodhën në Gjermani gjatë verës, një ndër ndeshjet e pakta ku pati përleshje jashtë fushave. Prania e shumë emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Angli, do e kthejnë duelin mes Anglisë dhe Serbisë, si një ndeshje ku niveli i sigurisë do të duhet të jetë në nivelet më të larta.

Mediat serbe e kanë komentuar si një grup shumë të vështirë duke veçuar pikërisht Anglinë, por edhe Shqipërinë. “Rrugë e vështirë drejt Botërorit”, ka shkruar “Kurir”. Ndërkohë, “B92” shkruan: Do të jetë ferr. Media tjetër në Serbi “Novosti” e ka quajtur këtë ditë ters, sipas një besëtytnie kur data 13 bie në ditë të premte është ters dhe ndodhin ngjarje negative.

SHKARKO APP