“Shqipëria në udhëkryq”, DW jehonë fjalës së Bushatit në Kuvend

Radio shtetërore gjermane Deutsche Welle ka pasqyruar protestën e opozitës sot para Kuvendit. Media gjermane, i jep një rendësish të posaçme deklaratës që ish-ministri Jashtëm bëri gjatë punimeve të Kuvendit. Në vijim raportimi i plotë i  “Deutsche Welle”.

Opozita dhe mbështetësit e saj vijuan në Tiranë edhe sot serinë e protestave antiqeveritare. Protesta u zhvillua para godinës së Parlamentit, ku mbahej seanca plenare. Me një pjesëmarrje të tkurrur nga ajo e një jave më parë dhe shumë më të vogël nga protestat para godinës së Kryeministrisë, protestuesit përsëritën të njëjtat kërkesa: largimin e kryemnistrit Rama, rrëzimin e qeverisë së tij, zgjedhje parlamentare të parakohshme, të përgatitura nga një qeveri kalimtare.

Opozita e akuzon qeverinë Rama se është ilegjitime, e ardhur në pushtet nga blerja e votave dhe lidhjet me krimin. BE dhe faktori ndërkombëtar deklarojnë me këmbëngulje që Qeveria Rama është legjitime. Vetë kryemnistri Rama i hedh poshtë akuzat e opozitës dhe këmbëbgul se mandati që i kanë dhënë shqiptarët PS për të qeverisur vendin deri në 2021 është i panegociueshëm me opozitën.

Studentë në krye të protestës, tensione me policinë

Ndryshe nga shtatë protestat e mëparshme, në protestën e sotme, në krye të protestuesve ishin studentë, kryesisht anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Në sheshin përballë Parlamentit, protestuesit kishin ngritur në mënyrë simbolike një piramidë, të quajtur prej tyre ” Piramida e krimit”, ku ishin renditur, të shkruara, akuzat e opozitës ndaj qeverisë Rama: korrupsioni, blerja e votës, trafiku i drogës, pastrimi i parave etj. Protestuesit i vunë flakën kësaj piramide dhe tentuan disa herë të thyenin kordonin e policisë. Ata hodhën kapsolla tymuese, shishe dhe bomba Molotov në drejtim të policëve.

Protesta e opozitës përfundoi pas tri orësh në selinë e PD, ku nënkryetari i saj, Edi Paloka deklaroi se “do të rrimë në shesh derisa Rama të largohet”. Kryetari i PD, Lulzim Basha nuk mori pjesë në protestën e sotme pasi sipas burimeve nga PD ndodhet për një vizitë zyrtare në Berlin, “për të paraqitur para CDU-së situatën politike në Shqipëri”. Protesta e sotme u mbyll pa përdorimin e gazit lotsjellës nga policia.

Bushati: Shqipëria në udhëkryq

Ndërsa jashtë godinës së Parlamentit zhvillohej protesta e opozitës, seanca plenare brenda tij u përqëndrua në zgjidhjen e krizës politike dhe në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Ish-Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, deputeti socialist, Ditmir Bushati tha se ” Shqipëria është në udhëkryq, nga një krizë e madhe politike dhe sociale, ku ulja në bisedime për të gjetur udhën e arsyes dhe jo të arrogancës, është emergjente”. Ai bëri prezent shqetësimin ” që pasuria e vendit është në dorën e një grupi të vogël njerëzish”.

Zgjedhjet lokale të 30 qershorit ishin një fokus tjetër i seancës së sotme parlamentare. Kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruҫi bëri me dije se ato do të zhvillohen në datën e caktuar me dekret presidencial, më 30 qershor.

Parlamenti miratoi vetëm me votat e maxhorancës socialiste shtyrjen e reformës zgjedhore për t’u kryer për zgjedhjet që do të pasojnë. Zgjedhjet lokale të qershorit do të kryhen me Kodin Zgjedhor ekzistues, pasi nuk ka kohë për ta ndryshuar atë. Deputetët e rinj të opozitës, që kanë marrë mandatin nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, si pasojë e heqjes dorë nga mandatet parlamentar të deputetëve të PD dhe LSI, të fituara në zgjedhjet parlamentare 2017, votuan kundër shtyrjes së Reformws Zgjedhore. DW

SHKARKO APP