Shqipëria nuk njeh rekomandimet e Gjykatës së Arbitrazhit ICSID
Avokatura e Shtetit pritet të mos i përcjellë rekomandimet e Gjykatës së Arbitrazhit ICSID për ndërprerjen e procedurave penale për ish-drejtuesin e kompanisë “KGE” dhe televizionit “Agon Channel”, Francesko Beketi.
Burime të “Boldnews” nga Avokatura e Shtetit në Tiranë u shprehën se juridiksioni i Gjykatës së Arbitrazhit ICSID nuk i përfshin në juridiksionin e saj çështjet penale. Për këtë arsye, ky vendim nuk mund të shtrijë efektet e tij mbi procesin penal që po zhvillohet tashmë në Gjykatën e Tiranës kundër Beketit dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, të akuzuar se janë të përfshirë në një skemë mashtruese financiare me vlerë rreth 40 milionë euro. Po ashtu, qëndrimi i Gjykatës ICSID nuk shtrin efektet as tek masa e sigurisë e karakterit penal për sekuestron preventive ndaj pasurive të Beketit dhe bashkëpunëtorëve të tij në Shqipëri.
Paraditen e së hënës, përfaqësues të Beketit në Tiranë shpërndanë njoftim zyrtar, ku theksohej se “Me një urdhër unanim dhe historik të lëshuar të premten në Uashington DC, pas një seance dëgjimore të arbitrazhit përpara Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve për Investimet (“ICSID”), Qeverisë së Shqipërisë i është kërkuar të “ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të pezulluar” procedurat e ekstradimit në Londër kundër Francesco Beçhetti-t, pronarit të Agon Channel TV dhe Mauro De Renzis, administratorit.
Veç kësaj, Trupa e Gjykatës së Arbitrazhit e përbërë nga tre anëtarë, rekomandoi gjithashtu që Shqipëria të pezullojë procedurat vijuese penale kundër Paditësve të kësaj çështjeje dhe që të dyja palët të arrijnë në një marrëveshje mbi ruajtjen e aseteve te Paditësit, që kanë qenë të sekuestruara nga shteti Shqiptar, përgjatë gjithë kohëzgjatjes së arbitrazhit. (Çështja ICSID nr. ARB/15/28 – Hydro Srl, Costruzioni Srl, Francesco Beçhetti, Mauro De Renzis, Stefania Grigolon dhe Liliana Condomitti, kundër Shqipërisë)”.
Ndërkohë, Avokatura e Shtetit, e cila ka pasur përfaqësues të saj gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje në Gjykatën e Arbitrazhit, shprehen se vendimi i së premtes (dt. 04.03.2016) i ICSID është një opinion i ndërmjetëm dhe në pjesën përfundimtare të tij shpreh rekomandimet e saj për autoritetet shqiptare. Pra, bëhet fjalë për rekomandime, të cilat nuk kanë fuqi detyruese për autoritetet që i drejtohen.
Shteti shqiptar e ka njohur juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare të ICSID me ligjin nr. Nr. 7515, datë 1.10.l991 “Për anëtarësinë e Republikës së Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Ndërkombëtare për Rindërtimin dhe Zhvillimin, Korporatën Financiare Ndërkombëtare, Shoqatën e Zhvillimit Ndërkombëtar, Agjencinë e Garantimit të Investimeve Shumëpalëshe dhe në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Konflikteve në Investimet”, dekretuar nga Presidenti i Republikës së asaj kohe, Ramiz Alia.
Nëpërmjet këtij ligji, shteti shqiptar pranon edhe juridiksionin e Gjykatës së Arbitrazhit ICSID, e cila shqyrton konfliktet tregtarëve ndërmjet palëve. Konventa e ICSID nuk parashikon asnjë lloj detyrimi ndaj palëve për problematika të aspektin penal.
Për këtë arsye, Avokatura e Shtetit, si përfaqësuese e Shqipërisë në procesin e arbitrazhit me Francesko Beketin, nuk e konsideron të arsyeshme t’u përcjellë autoriteteve penale shqiptare opinionin e ndërmjetëm dhe rekomandimet e Gjykatës së Arbitrazhit ICSID.