Shqiptare-amerikania e famshme, Mira Murati largohet nga OpenAI. Ishte drejtuese për teknologjinë në firmën për Intelegjencën Artificiale
Mira Murati, drejtuesja për teknologjinë në organizatën OpenAI, do të largohet nga firma e inteligjencës artificiale. Drejtuesja e lartë e bëri njoftimin përmes një shkrimi në rrjetin X, ndërsa këtë vit shumë drejtues të lartë janë larguar nga kompania.
“Po largohem sepse dua të krijoj hapësirën dhe kohën e duhur për të bërë eksplorimet e mia”, shkroi zonja Murati në rrjetin X.
Duke reaguar në postimit të saj në rrjetin X, Shefi Ekzekutiv i firmës OpenAI, Sam Altman e falënderoi Mirën për kontributet e saj.
“Do të shprehem më gjerësisht së shpejti për planet e tranzicionit, por për tani, dua ta shfrytëzoj këtë moment vetëm për të ndjerë falënderim”, shkroi ai.
Largimi vjen pas një fushate që çoi në sigurimin e 6.5 miliardë dollarësh në investime për kompaninë që llogaritet të kenë një vlerë prej 150 miliardë dollarësh, në varësi të ndryshimit të strukturës së saj në një korporatë.
OpenAI ka në plan të tjetërsojë strukturën e saj në një korporatë fitimprurëse, dhe do t’i ofrojë zotit Altman një pjesë të pronësisë së saj, sipas një njoftimi nga agjencia e lajmeve Reuters. Fushata për financimin ende nuk është mbyllur ndërsa kompania është në proceset përfundimtare.
Nuk është e qartë nëse largimi i zonjës Murati do të ndikojë në fushatën për mbledhjen e fondeve. Një klauzolë në proces i lejon investitorët që të tërhiqen nga marrëveshja nëse kompania përballet me gjëra që mund të ketë ndikim negativ.
Për 6 vjet e gjysmë, Mira Murati ka qenë pjesë e organizatës që ka krijuar inteligjencën artificiale të njohur si ChatGPT, dhe shërbeu për një kohë të shkurtër si shefe e kompanisë kur bordi drejtues e largoi bashkëthemeluesin Sam Altman.
Sipas të dhënave të saj në rrjetin LinkedIn, zonja Murati mori rolin e nënpresidentes për inteligjencën artificiale të aplikuar në firmën OpenAi në dhjetor të vitit 2020 dhe u ngrit në detyrë duke marrë postin e shefes për teknologjinë në maj të vitit 2022. Më herët ajo ka punuar për një firmë të realitetit virtual dhe të shtuar si dhe për kompaninë Tesla.
Në rolin e drejtueses për teknologjinë, zonja Murati shfaqej shpesh përkrah zotit Altman si simboli i krijuesit të aplikacionit ChatGPT.
Zonja Murati drejtoi prezantimin e variantit të inteligjencës artificiale GPT-4o, i aftë për të zhvilluar një bisedë reale me zë. Vendimi i zonjës Murati është i fundit në një seri largimesh të drejtuesve të lartë të firmës OpenAI.