Shteti i Vatikanit: Zyrtarët që nuk vaksinohen humbasin vendin e punës
Vatikani ka paralajmëruar zyrtarët se nëse refuzojnë të vaksinohen kundër Covid-19 pa arsye serioze shëndetësore, ata rrezikojnë të humbin punën e tyre. Një dekret nga Kardinali Giuseppe Bertello, tha se vaksina ishte një “zgjedhje e përgjegjshme”, duke pasur parasysh rrezikun e infektimit dhe dëmtimit të njerëzve të tjerë.
Dekreti me shtatë faqe parashikon që ata që nuk mund të vaksinohen për arsye shëndetësore mund të transferohen në një post tjetër, ku do të vijnë në kontakt me më pak njerëz, por të marrin të njëjtën pagë. Qyteti i Vatikanit, është shteti më i vogël në botë dhe punëson disa mijëra njerëz, shumica e të cilëve jetojnë në Itali. Programi i tij i vaksinimit filloi muajin e kaluar dhe Papa Françesku, 84 vjeç, ishte një nga të parët që mori vaksinën.
Vatikani ka paralajmëruar zyrtarët e tij se ata rrezikojnë të humbasin vendin e punës nëse refuzojnë të vaksinohen kundër Covid-19 pa patur një arsye serioze shëndetësore. Dekreti megjithatë, përcakton që ata të cilët refuzojnë të marrin vaksinën pa ndonjë arsye të fortë do t’i nënshtrohen një dispozite të veçantë të një ligji 2011 lidhur me të drejtat dhe detyrimet e punëtorëve.
Ky nen në ligjin e vitit 2011 përcakton se punonjësit që refuzojnë “masat paraprake” ka të ngjarë t’i nënshtrohen “pasojave të shkallëve të ndryshme që mund të çojnë në pushime nga puna”.