Shteti islamik që të pret mjekrën e gjatë! Një turist thotë: Me ndaloi policia dhe më tha “rruaj mjekrrën ose ta rruajmë ne!”

Një kampion olimpik, një këngëtar i njohur dhe një turist perëndimor në Tashkent së fundi kanë pretenduar se janë shënjestruar nga fushata që Uzbekistani po vazhdon kundër mjekrave të gjata.

Sportisti – i cili fitoi medalje të artë në Lojërat Olimpike që u mbajtën këtë verë në Paris – i tha Radios Evropa e Lirë se ai dhe disa atletë të tjerë, që kishin mjekra të gjata, u urdhëruan që të rruheshin para një video-lidhjeje me presidentin e shtetit, Shavkat Mirziyoev.

Olimpisti, që foli në kushte anonimiteti, tha se kjo bisedë me video-lidhje u realizua kur atletët ende gjendeshin në Francë.

Mediat uzbeke raportuan se teksa po vazhdon fushata e autoriteteve kundër mjekrave, disa të rinj së fundi u gjykuan në gjykatat administrative për “fshehjen e fytyrës në publik, që parandalon identifikimin”.

Shumë të tjerë që kishin mjekra të gjata u detyruan t’i rruanin ato në stacione policore, nën instruksionet e zyrtarëve të zbatimit të ligjit. Dosjet për këto raste, që i ka siguruar Radio Evropa e Lirë, tregojnë se shumica e burrave të prekur nga kjo fushatë ishin myslimanë të zakonshëm, aktivistë dhe artistë.

Sipas një postimi të bërë në mediat sociale nga një turist gjerman, të huajt po ashtu janë prekur nga fushata e policisë uzbeke ndaj burrave me mjekra.

Turisti tha se zyrtarët policorë e kanë ndaluar në rrugë gjatë vizitës së fundit në kryeqytetin uzbek, Tashkent, dhe e urdhëruan atë ta rruante mjekrën e gjatë, të cilën e kishte rritur për tre vjet.

“Më çuan në stacion policor pa më dhënë ndonjë shpjegim”, tha ky person. “Më thanë se ose duhet ta rruaj mjekrën vetë apo ata do ta bënin”.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të verifikojë pretendimin e turistit. Por, raste të ngjashme kanë raportuar dhjetëra burra lokalë në Uzbekistan viteve të fundit, teksa grupet për të drejtat e njeriut kanë akuzuar me shtetin e Azisë Qendrore me shumicë myslimane për kthim prapa në reformat modeste në lirinë fetare që kishte bërë kur Mirziyoev erdhi në pushtet më 2016.

Policia është akuzuar se ka mbledhur të rinjtë me mjekra të gjata në Tashkent dhe në qytetin lindor të Namanganit dhe i ka detyruar që të heqin mjekrat. Autoritetet i kanë mohuar këto pretendime.

Një zyrtar në Televizionin dhe Radion Kombëtare, i tha REL-it në kushte anonimitete se është një ndalesë jozyrtare që performuesit të shfaqen në televizion me mjekra. Kjo ndalesë zbatohet si në kanalet shtetërore, ashtu edhe në ato private, tha ai.

Në një rast të fundit, këngëtari i popit Shohjahon Juraev u ndalua që të merrte pjese në një garë muzikore në kanalin televiziv, Zor, për shkak të mjekrës që mbante, tha zyrtari.

“Juraev më pas hoqi mjekrën dhe iu mundësua që të merrte pjesë në shfaqjen televizive si anëtar i panelit”, shtoi zyrtari.

Gjatë një koncerti, Juraev u tha admiruesve të tij se kishte rruar mjekrën sepse artistët që rrisin mjekrën nuk mund të shfaqen në televizion.

Fotografitë e këngëtarit të publikuara në rrjetet sociale tregojnë se ai kishte pasur mjekër të shkurtër dhe mustaqe.

Çfarë thotë ligji?

Uzbekistani nuk ka një ligj që në mënyrë eksplicite ndalon mjekrën.

Policia e justifikon fushatën kundër mjekrës së gjatë me një ligj të ri që ndalon çdo mbulim të fytyrës që pamundëson identifikimin e një personi. Ligji hyri në fuqi në tetor të vitit 2023 si pjesë e një pakete ndryshimesh në Kodin e Përgjegjësive Administrative.

Shkelja e ligjit konsiderohet kundërvajtje, e dënueshme me gjobë deri në rreth 400 dollarë. Paga mesatare në Uzbekistan është 390 dollarë, sipas shifrave zyrtare.

Ata që refuzojnë instruksionet e policëve për të rruar mjekrat e tyre të gjata shpesh përballen me akuza shtesë për huliganizëm dhe mosbindje të zyrtarëve policorë.

/Radio Europa e Lirë/

Përgatiti: Mimoza Sadiku

SHKARKO APP