Shteti nuk e mbrojti gjyqtaren. Kronika e një vrasje të paralajmëruar
Fildez Hafizi, 39 vjeç, nënë e dy fëmijëve, me profesion gjyqtare u ekzekutua sot nga ish-burri i saj, Fadil Kasemi në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë.
Ngjarja e rëndë e ndodhur sot ku një grua, nënë dhe një gjyqtare u ekzekutua në mes të ditës në kryeqytet, është rasti konkret kur drejtësia dhe policia e shtetit dështojnë në të gjitha strukturat e tyre.
Dy vite më parë, Fadil Kasemi tentoi ekzekutimin e ish-gruas pak muaj pas divorcit. Ngjarja ndodhi në Golem, në prani të dhjetëra dëshmitarëve dhe fëmijëve të çiftit të divorcuar. Tragjedia është shmangur nga personat që kanë ndërhyrë dhe nuk lejuan që autori të nxjerrë armën.
Pas kësaj ndaj Kasmit ka nisur një proces gjyqësor. Gjyqtarja ka kërkuar urdhër mbrojtje. Procesi ka vijuar në gjykatë dhe autori i tentativës për vrasje është justifikuar se nuk mbante mend se çfarë kishte ndodhur.
Por ky nuk është rasti i vetëm. Ish-bashkëshorti i gjyqtares është ndaluar dhe disa herë të tjera nga policia, për kërcënime dhe për dhunë ndaj Fildez Hafizit. Kasemi është dënuar me burg, por është liruar më pas nga amnistia.
Është nga ato rastet kur policia ka një dosje të plotë të ngjarjeve dhe personi në fjalë dhe për rrezikshmërinë e tij.
Dështimi i institucioneve në mbrojtjen e një zyrtareje të lartë faktohet edhe në një letër që gjyqtarja i ka dërguar Ambasadorit të SHBA, Donald Lu. Në letër ajo pranon se institucionet nuk i japin asnjë garanci për jetën dhe nuk e mbrojnë.
Hafizi shkruan ndër të tjera se ndihet e braktisur nga shteti përballë kërcënimeve të ish-burrit ndaj i drejtohet Donald Lu me argumentin se “nuk kam më se kujt t’i drejtohem. Ju siguroj që shqetësimin tim e kam ndarë me krerët më të lartë të sistemit të drejtësisë, sigurisht duke u kujdesur gjithmonë që të mos influencoj në dhënien e drejtësisë, por mesa duket veshët janë të shurdhër. Për të ndarë këtë shqetësim timin do ju isha mirënjohëse nëse do më kushtonit disa minuta nga koha juaj”, thuhet në letrën e publikuar nga “BalkanWeb” që gjyqtarja Hafizi i ka dërguar ambasadorit Lu.
Për shkak të tentativës për vrasje në vitin 2015 me armë dhe për rasteve të tjera të dhunës, ngjarja e sotme duket kronikë e një vrasje të paralajmëruar. Janë të gjitha të dhënat dhe denoncimet e bëra nga gjyqtarja që tregojnë se ky rast duhet të ishte trajtuar më me kujdes. Së pari nga kolegët e saj gjyqtarë që kanë dhënë vendimin për ngjarjen e vitit 2015, por edhe nga Policia e Shtetit e cila ka pasur dosjen e plotë të shkeljeve dhe rrezikshmërisë së ish-burrit të gjyqtares.
Ngjarja në vitin 2015 në Golem
Nga dokumentet e Policsë Gjyqësore dhe verifikimet e bëra nga prokurori, rezulton se rreth orës 16:00 të datës 19.07.2015 shërbimet e policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë informacion se në vendin e quajtur plazhi i Golemit të rrethit Kavajë në afërsi të një hoteli, shtetasi Fadil Kasëmi ka kanosur me anën e një pistolete që e mbante pa leje të organeve kompetente, në prani të fëmijëve, ish-bashkëshorten e tij, shtetasen Fildes Hafizi.
Shtetasja Fildes Hafizi ka kallëzuar se ka qenë e martuar me shtetasin Fadil Kasëmi e se në muajin maj të këtij viti ishin divorcuar, divorc për të cilin Fadili nuk ka qenë dakord. Para disa ditësh ajo ka ardhur në plazh në Golem së bashku me nënën dhe dy fëmijët, të cilët i ka në kujdestari, ku ka marrë një dhomë me qira. Për lëvizjen e fëmijëve ajo ka vënë në dijeni të atin e tyre, shtetasin Fadil Kasëmi. Fëmijët kanë mbajtur lidhje me të atin, duke e telefonuar disa herë në ditë.
Çifti ka patur probleme e mosmarrëveshje gjatë kohëve të fundit dhe shtetasja Fildes Hafizi, duke u ndjerë e rrezikuar, i është drejtuar Gjykatës së Shkallës se Parë Tiranë me kërkesë për lëshim të urdhrit të mbrojtjes, por në gjykimin e kërkesës së saj ajo nuk është paraqitur e për pasojë gjykata ka pushuar gjykimin.
Vrasja e gjyqtares, Monika Kryemadhi: Shoqëria të reagojë
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka reaguar sot për vrasjen e gjyqtares. Kryemadhi shprehet shoqëria dhe institucionet duhet të reagojnë fuqishëm për mbrojtjen e grave.
Postimi i Kryemadhit në Facebook:
“Vrasja e paralajmëruar e një nëne, gruaje për më tepër gjyqtare është akti më i rëndë dhe katastrofik që mund t’i ndodhë një vendi që pretendon të jetë anëtar i BE.
Me revoltën e një nëne, me forcën e një gruaje që ka përballuar shumë vështirësi në jetë dhe me kurajon e përfaqësimit të një force politike si LSI, sot ngre zërin tim fuqishëm kundër këtij sistemi që ende dhunon gratë e pafajshme.
Të gjithë ne mbajmë përgjegjësitë tona për këtë situatë të rëndë, por më shumë duhet të ndihen përgjegjës ata që e lanë nënën e dy fëmijëve në dorën e një vrasësi që disa herë e kishte paralajmëruar aktin e tij të burracakërisë.
Policia, gjykata, shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të grave, politika dhe e gjithë shoqëria shqiptare duhet të reagojë me forcë dhe efikasitet. Qarravitjet në rrjetet sociale apo emisione televizive nuk mund ta zgjidhin kurrë këtë situatë të rënduar të krimit në familje. Duhet që çdo gjë të nisë nga vetë ne”.
Reagon BE: Të tmerruar! Një tjetër viktimë e dhunës në Shqipëri
Delegacioni i Bashkimit Europian është shprehur i tmerruar nga ngjarja e vrasjes së gjyqtares Fildes Hafizi (Kasemi) duke u shpreh se mbrojtja e grave është një përgjegjësi e plotë e shtetit
“Të tmerruar! Një tjetër viktimë e dhunës në Shqipëri. Mbrojtja e grave nga kërcënimet është përgjegjësi e plotë e shtetit. Institucionet përkatëse të përgjigjen menjëherë. Gratë nuk duhet të jetojnë me frikë në dëshirën e tyre për ta jetuar jetën si duan,”- u shpreh delegacioni i BE.
Bregu: Prokurorë pijanecë, gjyqtarë druvarë, ekspertë mashtrues, s’mbrojtën as një nënë gjyqtare!
Nga Majlinda BreguKa dale nga burgu me amnisti ne 2016?! Eshte denuar per dhune ne familje, ka tentuar ta vrase ne 2015 dhe lirohet ne 2016 per ta vrare nenen e tre femijeve ne 2017?! Fillojeni Vettingun nga vendimet per krimin ne familje! Urdhra mbrojtje te mohuara, te dhena e te paekzekutuara, tentativa vrasje te amnistuara!
Prokurore pijanece, gjyqtare druvare, eksperte mashtrues! Beni publik emrin e nisni hetimin per prokurorin qe kanosjen me arme te atij qe vrau nenen e femijeve sot e pa si armembaktje pa leje! Fillojeni Vettingun ketu! Per krimin me makaber qe po shfaros gra e nena perdite !
Leviz Etilda! Kerko te te japin llogari qysh diten e pare pa u zbardhur mire dita, te gjithe gjykatat e drejtorite e burgjeve per urdhrat e mbrojtjes, lirimet me kusht, kohen e apelimit, ekspertet prane gjykatave!
Hiqeni nga lista e amnistise tentaviven per vrasje e per me teper ndaj nenes se femijeve! Hiqini te drejten e perfitimit nga ulja e denimit cdo lloj dhunuesi grash e femijesh! Nuk i mbron dot urdhri i mbrojtjes nese nuk ashpersohen vendimet kunder dhunuesve! Nuk mbrojti dot as nje nene gjyqtare! Nuk funksionoi drejtesia as per te bere drejtesi per nje grua e cila gjyqtaret qe duhet te benin seancen per nje veper te kryer ne kushtet e flagrances e kishin kolege!!! Po vrasin grate e nenat perdite e diten per diell! Dhe po behet kaq e zakonte sa as ndjeshmeri as pergjegjesi nuk po mban askush!
Kjo eshte lufte! Ne lufte o vritesh, o te vrasin!
Rrëfimi i ndjerë i pedagoges për gjyqtaren që u ekzekutua nga ish-burri
Pedagogia Majlinda Keta ka kujtuar momentin e fundit kur është takuar me gjyqtaren dhe miken Fildez Hafizi, e cila u ekzekutua sot nga ish-bashkëshorti i saj.
Nëpërmjet një statusi në Facebook, Majlinda Keta thotë se 1 qershori ka qenë hera e fundit kur është takuar me të, ku kanë folur për shumë gjera bashkë, mes të cilave edhe për historinë, që sot asaj i mori jetën.
Postimi i plotë i Majlinda Ketës
Edhe nje grua e vrare…..39 vjec, nene e 2 femijeve te mrekullueshme. Edhe kjo me urdhra mbrojtje….. urdhra nga institucioni prej ku jepte drejtesi per ne, gjykata.
Amnistija e nje dhunuesi ….. na dhunoi te gjithave serish. Fildez nuk e besoj dot se ike, te vrane!!! Luftove per dinjitetin tend femeror, luftove si profesioniste, luftove per familjen tende……po nuk ja dole dot Fildez. Jam e tronditur dhe ende nuk e besoj dot se humba nje mike, nje grua luftetare me fatin dhe kete shoqeri ende ne pritivizem. 1 qershori ishte dita e fundit qe te takova….ishe me 2 yjet e tua, atje ne TEG.
Me listove gjithe gjerat e bukura qe po te ndodhnin me femijet e tu, karrieren tende……folem per reformen qe pritej ne drejtesi….kishe plane, shihje qarte te ardhmen tende dhe te femijeve, besoje se do ja dilje jetes bashke me dy femijet e tu te shkelqyer……anashkaluam me delikatese edhe historine e keqe qe te njihja….. kete qe te mori jeten.
Te urova per shume te mira….prisja lajme te bukura nga ty luftetare e paepur per femren dinjitoze ne familje e drejtesi. Dezi bukuroshja…..ta vrane te drejten per te jetuar, ndonese ti luftove te ofroje drejtesi per shume te drejta te bashkeatdhetareve te tu. Me trondite mikja ime, na trondite te gjithave qe te njihnim qysh nga arsimi.
Klajda Gjosha: Kur vritet një gjyqtare, çfarë ndodh më gratë e tjera…
Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha ka shprehur dhimbje për vrasjen e gjyqtares ditën e sotme në Tiranë.
Gjosha akuzon struktura e shtetit për mos reagim në kohën e duhur. Ndërsa ngre alarmin për gratë e tjerë që janë të dhunura në vend.
Postimi i plotë i Klajda Gjosha: “Çfarë po ndodh në këtë vend? Një grua, një nënë, vritet në mes të kryeqytetit. Ajo çka ndodhi sot, është një këmbanë e fortë alarmi! Kur nuk mund të garantohet jeta e një gjygjtareje, cfarë sigurie mund të kenë sot dhjetar gra që dhunohen e kërcënohen?
Sa kurajo gjen në këtë vend një burrë për të vrarë gruan e tij, në mes të kryeqytetit, në mes te ditës! Forca e ligjit duhet t’i kishte dhënë një zgjidhje edhe këtij fenomeni, por sërish tepër vonë për jetën e nënës së dy fëmijëve të mitur!
Uroj që familja të gjejë forcë për të përballuar dhimbjen dhe shteti të zgjohet sa më parë nga gjumi i thellë!”.