Shukri Xhelili ankimon shkarkimin. Pezullohen zgjedhjet në Dibër

Ish-kryetari i Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili ka ankimuar në gjykatë shkarkimin e tij nga Këshilli i Ministrave, pas skandalit seksual. Xhelili u shkarkua 24 orë pasi televizioni “Ora Neë” publikoi një video ku i kërkonte favore seksuale një nëpunëse të institucionit që drejtonte. Xhelili tashmë kërkon në Gjykatën Kushtetuese anulimin e vendimit të Qeverisë.

Sido që të jetë vendimi i ri i Gjykatës Kushtetuese, “pro” apo “kundër” efekti i menjëhershëm i ankimimit është pezullimi i veprimeve që kanë lidhje me shpalljen e zgjedhjeve, sepse Kushtetuta detyron Presidentin që të presë vendimin e Kushtetueses.

Në të shkuarën, gjykata ka marrë vendime për dy raste të ngjashme shkarkimi, kur dy kryetarë komunash u shkarkuan nga qeveria në vitin 2011 dhe 2013, pas raporteve të deklarimit të pasurive dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit. Vendimet e gjykatës janë barazim. Për të parin është lënë në fuqi vendimi i qeverisë, për të dytin vendimi i qeverisë është rrëzuar dhe kryetari i komunës u kthye në detyrë.

Në një afat normal, gjykata ka kohë dy muaj ta marrë në shqyrtim çështjen dhe më pas nuk ka kufizim kohor se kur e shpall vendimin. Por, burime zyrtare konfirmuan për Top Channel se gjykata do të ketë një vendimmarrje të shpejtë për këtë çështje, për shkak të interesit të lartë publik.

Aktalisht Xhelili  po vuan arrestin me burg pas 3 akuzave në lidhje me videoskandalin, që i kushtoi edhe shkarkimin nga detyra e kryebashkiakut. Por, Shukri Xhelili po provon edhe mundësinë e fundit në hierarkinë ligjore.

SHKARKO APP