Si do ta rrëzoni Ramën, zoti Berisha?
(Editorialin e shikoni duke klikuar videon! Eshtë më i plotë si video)
Edi Rama e fitoi edhe Himarën. Edi Rama po u merr votimet vendore dhe parlamentare, zoti Berisha.
Edi Rama edhe pa portier të luajë më skuadrën e tij politike iu mund thellë dhe nuk ka asnjë shpresë në PD dhe Opozitë se mund ta rrëzojnë kryeministrin.
Berisha bërtet se me “Edi Ramën nuk ka zgjedhje”, por përherë hyn në votime e humb. Berisha gërthet se “do ta mundim kryeministrin e krimit”, por Edi Rama po e kthen në shoqatë Partinë Demokratike dhe krejt Opozitën.
Berisha zotohet se do t’i fitojë zgjedhjet e vitit të ardhshëm, por si do ti fitojë? Si në Himarë ku nga 19 vota diferencë herën e parë që ishte Beleri, dje kaloi në 1500 vota me shumë kandidati i kryeministrit?
Kandidati i Partisë Socialiste Vangjel Tavo fitoi garën për kryetar të Bashkisë së Himarës pas zgjedhjeve të pjeshme vendore.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas numërimit të votave të 36 qendrave të votimit Vangjel Tavo mori 5022 vota (58,62%) kundrejt 3545 votave (41,38%) të Petraq Gjikuria, kandidat i koalicionit opozitar “Bashkë fitojmë”.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale zoti Tavo vlerësoi votën e zgjedhësve dhe ftoi rivalin e tij të pranojë detyrën e nënkryetarit të bashkisë.
Pra PD po humbet kudo e në gjithçka!
Dakort që Edi Rama i blen votat, siç po justifikohet Berisha, por si do të reagosh ti Opozitë përballë tij në zgjedhjet e vitit 2025?
Prapë me Berishën dhe Metën përballë si liderë të Opozitës?!
Pse nuk ka ofertë të re dhe te besueshme PD-ja përballë Ramës që të ngrejë popullin në kembë dhe ta mund me votë, sepse nuk mund të blejë krejt popullin opozitar, sado pushtet të ketë Edi Rama?
Si do të marrin 1 milionë vota opozita, kur sot kanë vetëm 500 mijë vota të sigurta?
Si do të krijojë shpresë dhe besim të madh popullor, Opozita, kur ka mbetur me drejtues, laj-thaj , vetëm Berisha dhe Meta?
Natyrisht që të dy kanë elektoratin e tyre, por kurrë nuk e rrëzojnë Edi Ramën me ato vota që kanë pas vetes.
Pse po e rrejnë popullin opozitar liderët e Opozitës se gjoja do të fitojmë në vitin 2025, apo që të fusin deputetë veten dhe miqtë e tyre?
Pse nuk gjejnë një rival si kandidat për kryeministër ndaj Ramës dhe të mos synojnë asnjeri të jenë më në qeveri, pra as Berisha dhe as Meta sepse nuk tërheqin elektoratin gri?
Nuk ecet më me justifikime se “Rama na vjedh e blen votat”!
Demokratët dhe njerëzit anti-qeveri duan zgjidhje, duan ofertë, duan njeri tjetër t’i drejtojë për të mundur Edi Ramën.
Ndryshe le ta gëzoni Edi Ramën kryeministër deri në vitin 2030 zoti Berisha dhe ju të partisë demokratike!
Nuk ka më justifikime se “RAMA NA VJEDH VOTAT”!