Sistem mazhoritar. PD me vrap e me dëshirë drejt opozitës së përhershme

PD po nxiton drejt asgjësimit të saj politik. Me një miopi të madhe apo me një strategji të dikujt për ta shkrirë PD-në, kjo mbetet ende për tu sqaruar. Partia Demokratike nuk do të humbë kohë dhe duke filluar nga dita e hënë, në Parlament do të paraqesë kërkesën për krijimin e një komisioni ad hoc për Reformën Zgjedhore.

Në mbledhjen e kryesisë së Grupit Parlamentar të PD, demokratët vendosën që në fokus të opozitës do të jetë problematika që ka të bëjë me shitblerjen dhe manipulimin e votës, si dhe votimi e numërimi elektronik. Burime nga selia blu bëjnë me dije se pavarësisht nëse maxhoranca do të japë apo jo pëlqimin për ngritjen e komisionit, opozita gëzon të drejtën që të kërkojë komision ad hoc në Kuvend.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, deklaroi dy ditë më parë se marrëveshja me Ramën është “e vdekur”, por nëse ai do të jetë i gatshëm për të bashkëpunuar për Reformën Zgjedhore, PD do të angazhohet që të realizohet votimi dhe numërimi elektronik.

“Marrëveshja ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. A bëri pala tjetër diçka për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme? E kundërta. Bëri gjithçka që, siç edhe vetë e quan, avazin e vjetër. Që në këtë moment nuk ka më marrëveshje. Sepse thelbi i marrëveshjes ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme, pastaj si një fluks i shpresës për fatet e reja politike të vendit kishte edhe një angazhim për hapa të përbashkët për reforma të rëndësishme. Por kur hapi i parë hidhet në erë si rezultat i mosmbajtjes së fjalës nga njëra palë, që ishte qeveria, që ishte Edi Rama, atëherë çfarë prisni që të vazhdohet me hapa të tjerë? Ura për të shkuar te hapat e tjerë ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndaj edhe thirrja ime është fare e qartë: Rivendosja e institucionit të zgjedhjeve është përcaktuese. Asgjë tjetër nuk mund të ndodhë pa një reformë të sistemit politik”, deklaroi Basha.

PROJEKTI I PD

Burime nga selia blu bëjnë me dije se demokratët kanë tashmë projektin e tyre politik, të cilin do ta ofrojnë si propozim në komisionin ad hoc që do të krijohet në Kuvend. Lulzim Basha do të propozojë në Kuvend rikthimin e sistemit maxhoritar, ku Shqipëria të jetë e ndarë në 100 zona elektorale. Burime nga selia blu sqarojnë se demokratët do të propozojnë një sistem maxhoritar të pastër, por duke propozuar rritjen e pragut elektoral që do të sjellë forcat politike në Parlament shkruan Express.

Në çdo rast me sistem të pastër mazhoritar përfiton PS. Nuk dihet se kush ua ka mbushur mendjen në PD që të kërkojnë vetë dhe për vete litarin dhe karriken ku do varen! Me sa duket PD po zbaton çdo gjë kërkon Edi Rama, nisur nga pazari i natës së 17 majit.

Sa thes i madh me euro paska qenë atë natë?!

SHKARKO APP